nga Dr. Faruk Borova
-1-
Pothuajse në çdo mjedis politik apo social, në këto 20 vite post-totalitare përdoret termi demokraci. Në këtë kontekst, togfjalëshi i përdorur nga ne, “Kështjella e demokracisë”, do të thotë “Kështjella që sundohet nga populli”, pra është shtëpia e tij, e drejta e tij, prona e tij, të cilën ai e ruan me fanatizmin dhe dëshirën më të madhe. Ky nocion u përdor për herë të parë tamam aty ku e ka origjinën, pra në qytetin-shtet të Athinës, e cila në vitet 500-330 p.e.r. ( pra 2300 – 2500 vjet më parë), e quante shtetin e saj demokratik, pasi të gjithë qytetarët e civilizuar, merrnin pjesë në vendimmarrje politike për menaxhimin e vendit. Kjo lloj demokracie në atë kohë u quajt demokraci e drejtpërdrejtë, pasi në “Parlamentin” e kohës, merrnin pjesë përfaqësues të popullit, jo të votuar, por që fitonin me short të drejtën e pjesëmarrjes.
Ishte pikërisht Aristoteli ai që përligji konceptin e sundimit të shumicës, edhe pse deklaronte se qeverisja nga populli, në fakt do të thoshte qeverisje nga të varfrit, nga të cilët mund të pritej shpronësimi i të pasurve ( koncepti komunist i barazisë), por ishte po ai që legjitimonte se shumica duhet të jetë sovran, e jo të mirët, pasi të mirët janë më të pakët.
Në Lashtësi – Mbi këtë bazë të funksionimit të demokracisë athinase, u ngrit shteti i përbërë nga tre pushtete – ligjvënës, ekzekutiv dhe drejtësi. Pra, kuptohet qartë se qysh 2300 vjet më parë, u ngrit “Kështjella e demokracisë”, si një godinë trekatëshe funksionale, e cila ishte nën kujdesin e sovranit popull. Në këtë kështjellë ishin vendosur të tre pushtetet, nga një për çdo kat, dhe nga sistemet paraardhëse despotike dhe tiranike, nuk u trashëgua asgjë. Kështu filloi konceptimi dhe funksionimi i demokracisë së hershme.
Si funksionon demokracia në botën e sotme të qytetëruar? Ajo mori konceptet e hershme, i zhvilloi dhe i pasuroi ato më tej dhe sot është aty ku është. Konkretisht, në vendet “Republikë parlamentare”, demokracia përbën një kështjellë katërkatëshe dhe përfundon me një papafingo të ujdisur shumë mirë. Në çdo kat më vete, janë të sistemuara tre pushtetet e hershme, duke inkluduar këto kohët e fundit, në një kat më vete, edhe pushtetin e medias.
-2-
Në papafingo qëndron gardiani i Kushtetutës, i cili quhet President dhe përdor Kushtetutën, mo ta mo si ato librat e shenjtë. Vërtet është në papafingo gardiani, por duke qenë kjo papafingo e ujdisur për mrekulli, ai ndjehet mirë, prandaj edhe punët i bën mirë. Është i vetmi ai, që ka një lidhje të brendshme me katin e Drejtësisë, pasi përgjigjet para demosit për mbarëvajtjen e tij. Të gjitha shtetet që e kanë ngritur një kështjellë të tillë, sovrani i kështjellës është shumë i kënaqur dhe përpiqet që ta mirëmbajë, duke e ruajtur nga erozioni apo korrozioni, që në gjuhën moderne quhet KORRUPSION, veprim ky që shpesh ka bërë që kështjella të pësojë krisje të mëdha e deri në shembje. Me të drejtë mund të shtrohet pyetja, se çfarë kushtesh kanë plotësuar vendet perëndimore, që kështjellat e tyre kanë qëndrueshmëri dhe janë funksionuese. Dhe përgjigja është kjo. Tre janë kushtet: Projekt funksional – materiale të mira dhe ustallarë e ndihmës të specializuar për kështjella të tilla.
Po ne shqiptarët si vepruam për ndërtimin e një kështjelle të tillë? Ishte fundi i ’90-s, kur edhe “demosi” shqiptar vendosi ta ndërtojë këtë lloj kështjelle, inspiruar edhe nga vëllezërit europiano-lindorë, krahas dhe demoralizimit të tiranit anti-demos.
Filloi puna. Në fillim duhej të shembej “Kështjella e totalitarizmit”. Mori demosi kazmat dhe filloi shembjen. Për çudi, edhe tirani me të tijtë filloi të hiqte ndonjë gur, por disa nga gurët i linte mënjanë. Nga euforia, sovranit nuk i binte shumë në sy ky veprim. Kështjella u shemb shpejt dhe sovrani, bile pati një farë vetëkënaqësie se si u prish kaq shpejt dhe nuk e kuptonte mirë se prishjen e ndihmonte edhe një murlan i fortë, që frynte nga Perëndimi. Ishte marsi i ’91-shit kur u ndërtua kështjella e re. Ajo filloi funksionimin, por popullit nuk po i pëlqente aspak dhe mbeti i zhgënjyer. Arsyet ishin shumë të qarta. Projekti ishte gërshetim i dy tipave të kështjellave. Nga pamja e jashtme ishte tipi i ri, ndërsa nga brenda tipi i vjetër. Ndërtimi u bë mbi themelet e vjetra, si edhe materialet ishin shumica nga ato të vjetrat, por sidomos llaçi lidhës ishte marrë aty afër kështjellës së parë, i markës “Toka i takon atij që e punon”, ndërsa ustallarët e ndihmësit ishin të gjithë ustallarë të mirë, por për tjetër profil. Ata dinin të ndërtonin vetëm “Kështjella totalitare”. Meqenëse projekti kishte papafingo, aty u vendos gardiani, por për ironi të fatit, gardiani ishte ‘Tirani i fundit’, një ngjarje e paprecedentë në sistemet demokratike. Në krye të vitit ajo u prish. Fatmirësisht, nuk mbeti nën rrënoja asnjë nga sovrani, por as edhe nga bashkëpunëtorët e tiranit.
Rifilloi ndërtimi në marsin e ’92-shit. Përsëri, godina u ngrit pothuajse mbi ato themele, me ndonjë riparim të vogël të tyre. Si lëndë e parë u përdorën mjaft nga mbeturinat e shembjes së parë, por gjëja më e papranueshme ishte përdorimi i po atij llaçi lidhës. Edhe projekti, nëse në dukje ishte i përshtatshëm, zbatimi u bë shkel e shko, pasi ustallarët kryesorë dhe ndihmësit në shumicë ishin pothuaj po ata ustallarë të “Kështjellave totalitare” dhe në të rrallë ndonjë usta i tipit të ri. Se sa i vërtetë ishte ky pohim, kuptohej nga kënga që këndonin gjatë punës “ Bashkëfajtorë e Bashkëvuajtës”.
-3-
Veçori e kësaj godine ishte edhe fakti se gardiani i Kushtetutës u interesua që papafingo të ishte pothuaj e blinduar dhe që të komunikonte nga brenda me të gjitha katet, që për nga funksionimi i ngjante, mo ta mo kështjellave të vjetra, duke formuar një hapësirë të vetme nga brenda. Pas nja 2-3 vjetësh, filloi krisja e parë, pasi gardianit nuk ia pranuan Kushtetutën dhe u krijua përplasja e parë në kështjellë. Por, pas pesë vjetësh ajo u shemb keq, aq keq saqë disa mendonin se s’do të mund të ringrihej më, por me ndihmën e miqve tanë, e rindërtuam në ’97-n. Përsëri pati probleme në ’98-n dhe pak në 2002-shin. Kështu shkoi kjo punë e kështjellës sonë, prish e ndreq, tamam sikundër “Kështjella e Rozafës”, po me të vetmin ndryshim se kjo kështjellë prishej ditën e ndërtohej në errësirë..
Siç dihet, në demokraci organizimi është i tillë. Punët në kështjellë i kryejnë politikanët, të cilët vijnë nga forcat politike, kundërshtare, por jo armike me njëra-tjetrën. Kundërshtimet duhet t’i bëjë njëra forcë ndaj tjetrës, për të mirën e sovranit në tërësi. Ndërkohë, karakteristikë e katit ku ndodhet Parlamenti është kjo: Aty strehohen deputetët, të cilët populli i zgjedh nga burrat dhe gratë, më të mençur, më të zotë dhe mbi të gjitha, më të denjë për t’i shërbyer popullit dhe aspak vetes së tyre, prandaj dhe quhen përfaqësues të popullit. Por si ndodh tek ne, po e përshkruajmë më poshtë.
Në vitin 2008, këto parti politike miratuan një ligj i cili kishte vetëm të meta, por dy ishin fatale.
Së pari, kandidatët nuk zgjidheshin më nga populli, por lideri i partisë bënte një listë, si t’ia kishte qejfi dhe aspak për nga aftësia e si njeri.
Së dyti, gardianit të Kushtetutës ia ndryshuan komplet strehën, duke e nxjerrë pothuaj në qiell të hapur, pa i lënë asnjë lloj kushti për të vepruar në mënyrë normale. Ai tashmë nuk ka as kamxhik, e as Kushtetutë dhe lidhja e papafingos me katin e drejtësisë pothuajse është bllokuar.
Në këtë mënyrë, këta politikanët sikur i thonë atij: “ Z. President! Ti rri i qetë aty ku je, se na duhesh aty, por mos u merakos për punën, se ta bëjmë ne, e ti s’ke pse lodhesh”.
A mund të monitorohet kështu demokracia? Sigurisht që jo, dhe më e keqja është, jo se nuk e kuptojnë këtë veprim, por se kështu duan të veprojnë politikanët tanë të nderuar.
Tashmë që kanë kaluar 20 vjet nga fillimi i procesit të ndërtimit të “Kështjellës demokratike”, jo vetëm se nuk ka përfunduar së ndërtuari, por edhe s’po ka sy për qabe, siç thotë populli, për t’u mbaruar. Me përjashtim të efektit të ndryshimit të sistemit, pra ndryshimit të ‘kështjellës’, efekti i sistemit të ri nuk po ndjehet, pasi ana funksionale mungon. Megjithatë, jo gjithçka konsiderohet se ka shkuar kot, pasi sovrani tashmë ka shumë eksperiencë dhe e kupton shumë mirë se këta tipa ustallarësh dhe ndihmësish e ndërtojnë me dashje ‘kështjellën’ e dobët. Që të ndërtohet ‘kështjella’ dhe të arrihet funksionimi normal i saj, do të duhet të arrihen këto pikësynime.
-4-
“Sundim i shumicës dhe tolerancë për garantimin e të drejtave të gjithkujt, për pronën dhe lirinë e plotë të fjalës, të cilat të trajtohen si parakushte të demokracisë, por jo si elementë të saj”. Kjo mund të arrihet me punë këmbëngulëse të “demosit”, duke pasur parasysh tre kushtet e mëposhtme të cilat janë:
Së pari, projekt i mirë, i cili duhet të sigurohet nga politika nën kujdesin e pronarit të ‘kështjellës’, pra popullit.
Së dyti, të sigurohet lëndë e parë e mirë dhe jo si ajo që u përdor më parë dhe së treti, ndoshta më kryesorja, ustallarët dhe ndihmësit, të mos jenë ata që ndërtuan këto 20 vjet kështjellën si ajo e Rozafës, një kështjellë e rreme, por të jenë ustallarë me diplomë dhe me licencë për kështjella të tilla.
Të gjitha sa thamë më sipër janë të mundshme për t’u realizuar nga sovrani shqiptar, por e rëndësishme është që për ndjekjen e disa punimeve dhe kryesisht për kolaudimin e saj, duhet një prezencë e specialistëve të huaj.
Se sa e mirë do të dalë kjo kështjellë, po u veprua kështu, do të mahniten edhe nihilistët e këtyre kështjellave. Ndryshimi kryesor me të sotmen, nëse ngrihet kjo godinë, do të jetë se nëse me godinën e vjetër kënaqeshin vetëm një pjesë e privilegjuar e popullit dhe e politikanëve, në këtë godinë të tipit të ri do të kënaqen të gjithë. A nuk do të jetë një gjë e bukur po u veprua kështu?… Sigurisht që po!
Le të shpresojmë që të veprohet kështu dhe sa më shpejt, pasi kemi humbur shumë kohë…
Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org
