nga Arjan Vasjari
Në fakt, ajo çfarë palët nuk duhet të presin nga 21 Janari, është saktësisht ajo çfarë ato presin prej tij. Që nuk është e thënë se, duhet të jetë domosdoshmërish ashtu si ato shpresojnë. Madje, ajo çfarë palët shpresojnë, po merr përditë trajtat e një agresioni cinik kundër asaj date, sepse, që të dyja, nuk presin nga hetimi atë se “çfarë ka ndodhur”, por atë se “çfarë dëshirojnë që të ketë ndodhur”. Prandaj, edhe kur thonë “t’i shkohet deri në fund zbardhjes së asaj dite”, kjo më së shumti duhet kuptuar si një shpresë meskine se, pas plumbave mizorë mbi viktimat e pafajshme ose dhunën barbare mbi institucionet, ka më shumë se aq, fshihet diçka tjetër që është jo vetëm më e madhe, por më e rëndësishmja, më dobiprurëse. Që nënkupton se, sipas tyre (dëshirës së tyre), 21 Janari duhet me patjetër të ketë brenda intrigë politike, komplot revolucionar. Për një skenar tjetër, le të themi “më normal”, që ka të njëjtin marzh besueshmërie si ky për të cilin flasin gjithë ditën, as që duan të dëgjojnë. Thënë shkurt: palët presin që 21 Janari mos t’i zhgënjejë në pritshmëritë e tyre. Dhe pritshmëri do të thotë: implikim politik i kundërshtarit.
Sa është e mundur që të ketë implikim politik? Është po aq e mundur sa edhe të mos ketë aspak implikim politik. Dhe përderisa deri në këtë moment nuk kemi asnjë provë të besueshme se turmat erdhën para Kryeministrisë me orientim politik për t’i bërë rreshtore Kryeministrit, apo gardistët qëlluan me armë zjarri pas urdhrit politik të Kryeministrit, atëherë është më racionale t’i besojmë 21 Janarit ashtu si e pamë dhe jo ashtu si po përpiqen të na e interpretojnë. Në këtë vështrim, qëndrimet politike që palët kanë ndërtuar ndaj 21 Janarit janë kokë e këmbë absurde. Absurd është qëndrimi i mazhorancës për t’i zgjatur mandatin komisionit parlamentar për hetimin e 21 Janarit, absurd është disponibiliteti qesharak i opozitës ndaj prokurorisë në këtë hetim. Sepse kuptohet: Sali Berishës, më shumë se zbardhja e dhunës që një hordhi kriminelësh bënë kundër institucionit kushtetues, i intereson që pas tyre të qëndrojë Edi Rama. E njëjta gjë vlen edhe për këtë të dytin: më shumë se zbardhja e vrasësve të atyre katër qytetarëve të pafajshëm, i intereson që pas vrasësve të qëndrojë Sali Berisha. Të dy këta pretendojnë vetëm nektarin politik të 21 Janarit. Asgjë tjetër, asgjë më pak!
Por, përtej kësaj dhe pavarësisht gjithçkaje, për njëri-tjetrin ata do të ngelen përgjithmonë prapavija politike e asaj dite. Nuk ka rëndësi asnjë fakt dhe provë: për Edi Ramën, Sali Berisha ka qenë e do të mbetet urdhëruesi politik i atyre që qëlluan mbi demonstruesit. Nuk ka rëndësi asnjë hetim apo dëshmi: për Sali Berishën, Edi Rama ka qenë e do të mbetet organizatori politik i dhunës mbi institucionet kushtetuese. Me fjalë të tjera, nëse çështja shtrohet për të gjetur implikimet politike të 21 Janarit, atëherë nuk ka nevojë për sforcime të tjera. Palët, sipas dëshirës së tyre, “i dinë”. Madje “i kanë ditur” me saktësi që atë ditë të një viti më parë. Po çfarë ndryshon kjo? Çfarë zgjidh në raport me 21 Janarin? Asgjë! Absolutisht asgjë!
Dhe pikërisht prej këtij fakti, ajo çfarë palët presin nga 21 Janari nuk është normale. Kjo sepse njolla politike që ato kërkojnë me obsesion te kundërshtari ekziston edhe pa u hetuar fare. Ngaqë njolla politike, sipas kulturës së tyre, nuk është fakt racional, por bindje irracionale. Të cilën nuk ia shkul dot nga koka as Sali Berishës për Edi Ramën dhe as Edi Ramës për Sali Berishën. Në këto kushte, meqenëse 21 Janarit historia na detyron t’i vëmë një emër, është më mirë që t’ia vëmë ashtu siç e pamë të gjithë dhe jo të na e imponojnë palët ashtu si kanë dëshirë që ne ta besojmë. Kjo do t’i ndihmojë shumë të gjithë për të gjykuar me gjakftohtësi mbi atë se çfarë dhe pse ndodhi atë ditë. Në të kundërt, nëse do të vazhdohet me vesin patologjik për të zbuluar me çdo kusht fajin politik te kundërshtari, atëherë 21 Janari do të jetë një mitër e mbarsur gjithmonë me urrejtje politike. Le ta mendojnë njëherë palët 21 Janarin si një tragjedi “më normale”! Le ta respektojnë më shumë dhe përdorin më pak! Dhe në fund, le të korrigjojnë pretendimet dhe mos të presin prej asaj dite atë që ajo, mbase, nuk ua jep dot: kapitalin politik!
Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org
