Sunday, May 20, 2012

Amerika, Europa dhe Ballkani përgjatë vitit 2012*

Postuar nga admin me January - 23 - 2012

nga Janusz Bugajski

2012-a është vit zgjedhjesh në Shtetet e Bashkuara. Zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen më 6 Nëntor, dhe gjatë 11 muajve në vijim presidenti Barak Obama dhe rivalët e tij republikanë do të bëjnë fushatë për Shtëpinë e Bardhë. Kandidati republikan do të zgjidhet gjatë javëve në vijim nga zgjedhjet paraprake.

Do të jetë një fushatë presidenciale mjaft e nxehtë, e cila do të përqendrohet në ekonominë e bllokuar, në borxhin kombëtar i cili po rritet me ritme të shpejta, në nivelin e lartë të papunësisë dhe në shpenzimet marramendëse qeveritare.

Në rrethana të tilla, politika e jashtme do të marrë një rol dytësor gjatë zgjedhjeve, sigurisht nëse nuk ndodh ndonjë krizë e madhe ndërkombëtare, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Kjo nxjerr në pah një rrezik afatgjatë… Amerika mund ta kufizojë angazhimin e saj global për shkak të prioriteteve vendase, detyrimeve financiare dhe kundërshtimit publik të problemeve të huaja që pasojnë luftërat e kushtueshme në Irak dhe Afganistan.

Shumë qytetare amerikanë ndihen të lodhur nga tepria e politikave të jashtme dhe mungesa e politikave të brendshme; ose ata thjesht nuk e kuptojnë se sa i rëndësishëm është sot roli i Shteteve të Bashkuara në mbarë botën.

Zvogëlimi i burimeve dhe kapaciteteve të Amerikës u bë i qartë disa ditë më parë, kur Obama zbuloi një strategji të re për një ushtri më të vogël dhe më pak të kushtueshme. Shtetet e Bashkuara do të zvogëlojnë prezencën e tyre ushtarake në Europë dhe do të dërgojnë më shumë përforcime në rajonin Azi-Paqësor për të balancuar Kinën. Gjithashtu, Uashingtoni do të shmangë përfshirje të mëtejshme në misione të gjata dhe të kushtueshme paqeruajtëse dhe shtet-formuese.

Fatkeqësisht, zvogëlimi i pranisë globale të Shteteve të Bashkuara mund të jetë një shkak për paqëndrueshmëri të mëdha ndërkombëtare. Pa lidershipin amerikan, një sërë krizash rajonale mund të përshkallëzohen, ndërkohë që fuqitë ambicioze rajonale sfidojnë interesat e perëndimorëve. Kjo mund të shkaktojë llogaritje të gabuara dhe konflikte, të cilat nuk mund të zgjidhen lehtë.

Viti 2012 do të sjellë një botë më të rrezikshme dhe më të paparashikueshme. E ardhmja nuk do të jetë as një-polare as shumë-polare, por gjithnjë e më shumë jo-polare. Rënia e profetizuar e Perëndimit ka të ngjarë të mos shoqërohet me ngritjen e vendeve anëtare te BRIC, si qendra të fuqishme globale. Vendet anëtare në BRIC janë Brazili, Rusia, India, Kina.

Brazili nuk ka një ndikim të madh rajonal dhe fuqia e tij ekonomike ka pak mbështetje ushtarake. Rusia është një fuqi në rënie, e cila varet nga të ardhurat nga nafta dhe gazi, dhe kompensimet nga dizajnet imperialiste dhe fqinjët e dobët. India, e cila njësoj si Brazili ka masa sigurie të kufizuara dhe përballet me konflikte separatiste etnike, rajonale dhe fetare, të cilat do të sfidojnë integritetin e vendit.

Kina është një fuqi e kujdesshme, e cila nuk do përfshihet në konflikte që nuk ndikojnë drejtpërsëdrejti në interesat e saj. Pekini do ta zgjerojë gradualisht ndikimin e tij ekonomik dhe kulturor, ndërkohë që do të mbetet nën varësinë e tregjeve të jashtëm për rritje të mëtejshme.

Një botë e jo-polarizuar është në vetvete më e paqëndrueshme sesa një botë që rrotullohet rreth liderëve të besuar globalë. Për ta përmbledhur, unë mendoj se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë një faktor i rëndësishëm global dhe viti që vjen do të sjellë një sfidë shumë të madhe për Uashingtonin… Do të jetë një sfidë për Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe Presidentin amerikan nëse mund të bashkëpunojnë për të ringritur ekonominë amerikane dhe për të ruajtur rolin global të Amerikës.

Sfida e madhe e Europës
Liderët e Bashkimit Europian dhanë një mesazh mjaft të hidhur për Vitin e Ri, duke paralajmëruar që Europa përballet me një vit të vështirë mes recesionit ekonomik. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se Europa po përjeton sfidën e saj më të vështirë në këto dekada. Zhvillimi në Europë është bllokuar. Kriza e borxhit i ka detyruar qeveritë të shkurtojnë shpenzimet, duke qenë se kostoja e huamarrjes për disa ekonomi të mëdha, përfshirë këtu edhe Italinë dhe Spanjën, është rritur ndjeshëm. Ajo gjithashtu ka dobësuar integritetin e Eurozonës dhe ka shtuar mundësinë e ndarjes.

Të gjitha qeveritë europiane po përballen me presionin për të shkurtuar shpenzimet dhe përballjen me detyrimet e borxhit të tyre. Tani ekziston frika për një krizë të dytë kredish, e cila vjen nga ekspozimi i bankave europiane ndaj borxhit të madh të Italisë. Presidenti italian u ka bërë apel hapur qytetarëve të sakrifikojnë për të parandaluar një kolaps financiar.

Si do të ndikojë e gjitha kjo në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu edhe Shqipërinë? Banka Botërore ka paralajmëruar se vendet e Ballkanit do të përballen me vështirësi ekonomike. Rritja e GDP-së në të gjashtë vendet mendohet se ka treguar një tendencë rënieje në krahasim me llogaritjet e mëparshme dhe ajo do të varet në një masë të gjerë nga aftësia e liderëve të Eurozonës për të zgjidhur krizën e borxhit. Nëse kriza fiskale e BE-së vazhdon, pasojat negative do të shihen edhe në performancën e ekonomive të Ballkanit.

Rënia e GDP vjen kryesisht nga shkurtimet në investimet e huaja dhe tregti, si dhe nga rënia e remitancave. Edhe pse ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk u prekën fillimisht nga kriza financiare globale, trazira të mëtejshme në BE do të kenë një ndikim më të drejtpërdrejtë. Tregtia me BE-në, veçanërisht me Italinë dhe Gjermaninë, është stimuluesi kryesor për eksportin dhe rritjen e ekonomisë, gjë që siguron gjysmën e transaksioneve.

Një krizë e tejzgjatur do t’i përçajë lidhjet ekonomike me vendet e Ballkanit, jo vetëm në tregti dhe investime, por edhe në disponueshmërinë e kredive bankare. Ndërkohë që sistemi bankar në vendet e Ballkanit Perëndimor duket elastik, shumica e bankave të huaja në rajon janë nga vendet e BE-së. Shtimi i stresit në bankat mëmë mund të përshpejtojë krizën e një rajoni për kredi.

Pavarësisht të gjitha këtyre problemeve, integrimi në BE mbetet ende shpresa më e mirë e rajonit për një shërim afatgjatë dhe rritje ekonomike. Një kombinim i politikave fiskale strikte dhe reformave të vazhdueshme për të arritur standardet e BE-së, sigurisht do ta shtonte këtë perspektivë.

Zgjerimi i mëtejshëm i unionit do të jetë një çështje tjetër mjaft e debatuar. Duke marrë parasysh gjendjen e përgjithshme në BE, askush nuk mund të jetë i sigurt nëse dyert për anëtarësime të reja do të jenë të hapura, pasi Kroacia të futet me vështirësi në vitin 2013. Kolapsi ekonomik i Europës mund të ndalë zgjerimin e mëtejshëm të BE-së në drejtim të Jugut apo Lindjes. Kjo gjithashtu do të dekurajojë zbatimin e reformave në kryeqytetet që aspirojnë të bëhen anëtare të Unionit dhe do të nxisë pasigurinë ekonomike, shqetësimin social dhe paqëndrueshmërinë politike.

Një tjetër rrezik që i kanoset Europës është rishfaqja e mundshme e populizmit, ksenofobisë dhe nacionalizmit si pasojë e rënies së standardit të jetesës, rritjes së nivelit të papunësisë, masave më të rrepta, shtimit të pasigurisë dhe heqja e iluzionit ndaj elitës qeverisëse.

Në të vërtetë, kancelarja Merkel ka paralajmëruar së dështimi i Eurozonës do të vërë në rrezik dekadat e paqes që BE presupozohej se duhet të garantonte. Kjo do të dobësojë besimin në institucionet ndërkombëtare, do të kufizojë iniciativa të reja të përbashkëta dhe do të shtojë mundësinë e konflikteve brenda dhe ndërmjet vendeve… fenomene këto për të cilat të gjithë mendonim se ishin tashmë pjesë e së shkuarës së Europës.

*Editoriali i autorit në emisionin e tij të përmuajshëm ‘Bugajski Hour’ në Albanian Screen. Bugajski është analist i njohur i çështjeve ndërkombëtare.

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org

(marre nga gazeta MAPO)

Gjithashtu mund te lexoni

Komentoni

Terre des hommes Albania

Zbulime të pakëndshme: Frankfurter Allgemeine Zeitung për 21 Janarin

nga Pjesë nga FAZ/Karl Peter Scharz/Ina Verbica Para një vitit para kryeministrisë në Shqipëri u vranë katër demonstrues. Prokurorja që [...]

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

nga Ilirian Agolli Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të [...]

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

nga Ani Ruci Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes [...]

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

nga Ilirian Agolli Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për [...]

Ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE, të hidhet dritë e plotë mbi ngjarrjet e 21 janarit

nga Armand Mero Në Shqipëri, tre ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarjet e 21 janarit ku katër [...]

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri – Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

nga Vilma Filaj-Ballvora Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në [...]

Etiketat

Top Artikuj