Sunday, May 20, 2012

Breza pa “busull”…

Postuar nga admin me January - 23 - 2012

nga Ndue Dedaj

…Apo shoqëri tranzitore e inkriminuar?

E keni dëgjuar? Për një parkim makine vritet një njeri! Siç ndodhi kohët e fundit në Kamzë. Dhe nuk është e para herë që humbasin jetë njerëzish për gjëra kaq të vogla, ashtu siç besohet se ata që më së shumti nuk durojnë, nuk e marrin në sy rrezikun, janë të rinjtë. Ata që kanë dalë si kanë dalë nga bankat e shkollës apo ende janë aty. Në këto njëzet vjet është lindur e rritur brezi tipik i tranzicionit. Ne nuk mund të themi se si është ai, ama nëse do ta kuptosh sadopak se ku fillon problemi, shih së pari në shtëpinë e secilit dhe në shkollën e të gjithëve. Problematikën kritike të moshës delikate mund ta prekësh që në fillimet e adoleshencës. Shkolla nuk është më një vend i qetë ku mund të punosh pa travlim. Përkundrazi, shpesh oborret a korridoret e saj përshkohen nga sherret. Nxënësit, sigurisht jo në “kor”, shpesh tregohen të papërmbajtur, zhurmëmëdhenj, ndonjëherë edhe agresivë, brenda dhe jashtë mureve të shkollës. “Sjellje e padenjë në shoqëri”, do të ishte thënë dje. Mësuesit janë thuajse të vetmit që përballen me karshillëkun dhe teprimet e tyre. Edhe autori i “Kurbanit” përshkruan një rast të tillë në një nga shkollat 9-vjeçare të Tiranës, ku drejtoresha ishte detyruar të bërtiste me sa kishte në krye për të vendosur qetësinë dhe solemnitetin e rastit, pasi ishte dita e parë e shkollës dhe për më tepër kishte edhe të ftuar nga autoritetet shtetërore. Por kjo duket asgjë para asaj kur dhuna në shkolla ka përfunduar në krim. Para tre muajsh, pas një loje në pushimin e madh, humbi jetën një nxënës në njërën nga shkollat e mesme të Peshkopisë, pasi u godit fatalisht me thikë nga shoku i tij i klasës. Adoleshentë me armë të ftohta në brez, e nganjëherë jo vetëm “të ftohta”, shëtisin lirisht në mjediset publike. Për sigurinë e jetës në shkolla është folur deri në Parlamentin e Shqipërisë, por ndonjë masë për t’u lavdëruar nuk shihet. Pra, problemi është përtej se arsimor, pedagogjik, social, është dhe policor, juridik e politik. Në jo pak shkolla, sidomos në qytete, ka nga një grup shqetësues të mosbindurish që bën si i fortë, rreth të cilit vërtiten si kureshtarë dhe të tjerë. Nuk është se këta turbullojnë vetëm jetën e shkollës ku janë, por ndonjëherë lakmojnë dhe grupet e të fortëve. Një prokurore në Tiranë, gjatë një interviste televizive, u shpreh se fëmijët po përdoren nga rrjetet kriminale. Pra, sa më shumë të gërmosh, aq më e vështirë bëhet tabloja. Ndaj koha në të cilën rrojmë, në mënyrë të vazhdueshme, shtron pyetjen: Çfarë është adoleshenca e sotme? Kë po rrisim dhe si po edukojmë? Si duhet të sillemi me të? A i njohim problemet e saj dhe a jemi të aftë t’i trajtojmë ato? Më saktë, a i prekim me dorë dukuritë, në “konkretësinë” e tyre të përditshme dhe a mundemi të ndikojmë në kurimin e atyre që quhen si sëmundje të moshës së adoleshencës? Por a kemi një përgjigje të kualifikuar për këtë? Duket se jo dhe aq. Edhe pse flitet për ditë, edhe pse kemi strategji për fëmijët e të rinjtë, edhe pse kemi dhe një ministri që e ka rininë në emërtesën e vet, krahas turizmit, kulturës dhe sporteve. Për t’u ndalur te kjo e fundit, personalisht nuk kam dëgjuar për ndonjë politikë që ky dikaster ndjek për rininë në këtë mandat qeverisës, por dhe më parë. Dikush duhet ta dijë e ta thotë shtetërisht, dhe jo vetëm ta thotë, se cila është përbërja e sotme e rinisë shqiptare: sa janë nxënës e studentë, sa janë në punë, sa janë në emigracion, sa nuk kanë ku të punojnë, sa janë në burgje dhe për cilat krime, sa janë “parazitë”, se vetëm kështu mund të ndërmerren hapa konkretë për përmirësimin e jetës të kësaj moshe. Ky mbase do të ishte dhe censusi më i domosdoshëm sot.

Ka ardhur një kohë e “begatë” plot laryshi për filozofët, sociologët dhe psikologët. Gjyshërit kanë zënë tavolinat dhe po shkruajnë kujtimet e jetës së tyre, si kurrë më parë, shumë prej tyre me dëshirën për të qenë nga pak disidentë në regjimin e kaluar. Prindërit, në kërkim të vetvetes në sfera të ndryshme të jetës, përgjithësisht jashtë zanatit të tyre (në politikë, biznes, apo dhe ca dhe nga ato punët e paligjshme). Kurse, për pasardhësit e tyre, ajo që u dhurohet rëndom nga prindërit është morali(zimi) tipik: “Bëhuni, se për vete e keni”. Brezi i ri, që i bie të jetë i treti, gjendet në qejf… Kjo është diagrama e shoqërisë së sotme. Të gjithë të pakënaqur nga vetja dhe nga njëri-tjetri. Nga breznitë e “kryqëzuara”. Dhe askush që të thotë se si duhej të ishte ndryshe. Askush nuk bën analizë se pse këta të rinj i kemi kështu, të çrregullt? Pa i hyrë shpjegimit për gjërat e tjera thelbësore, a e vret ndokush mendjen se këta të rinj kanë lëvizur nëpër një shoqëri përherë “tranzite”, pra jo vetëm në këto njëzet vitet e tranzicionit (që ka gjasë të bëhen tridhjetë!), por dhe më përpara, kur me rininë është eksperimentuar duke e kaluar nga njëra iniciativë revolucionare në tjetrën, nga njëri aksion ideologjik në tjetrin, por duke e lënë atë pa një themel të vetin. “Si është rinia sot, është atdheu nesër” ishte njëra nga parullat më të zëshme të Partisë së Punës. Por a nuk mund të thuhet sërish e njëjta gjë, paçka se jo më në formë propaganda, se ashtu siç e formojmë dhe edukojmë rininë sot, do të kemi shqiptarin e nesërm? Pra, nëse kemi fëmijë dhe të rinj që marrin drogë, që nuk shkojnë në shkollë, që janë të dhënë vetëm pas qejfit dhe teprive, të budallallepsur pas rrjeteve sociale, kjo do të jetë “gjeografia” dhe harta social-kulturore e së nesërmes, një përqindje analfabete, një përqindje e “droguar”, një përqindje tjetër dembele dhe e paorientuar drejt punës dhe tregut. Nuk është se bëjmë ndonjë zbulim me këtë që po themi, gjithsekush e di këtë verdikt, që nuk qëndron vetëm për ne, por dhe për të tjerët, thënë aq shqip dhe aq thjeshtë: “çfarë të mbjellësh, do të korrësh”. Janë ca gjera që nuk ndryshojnë me përsosjen e teknologjisë, infrastrukturës, modernitetit, globalizimit. Nuk mplaken disa vlera apo virtyte, ani se avionët fluturojnë më shpejt dhe kësisoj linjat e largëta janë bërë më të shkurtra, interneti ka pushtuar çdo cep e qelizë të planetit, folklori ndihet pak e më pak. Bie fjala, prapë edukimi mbetet edukim (shkollim, formim), karriera mbetet karrierë, modelet e progresit mbeten mësim për të tjerët, asgjë nuk bëhet me magji, me të lutura apo me klikime të pafundme në botën virtuale, rrjetet sociale. Duke diskutuar me specialistë të edukimit dhe arsimtarë për gjendjen e sotme të shkollimit, ata tërheqin vëmendjen te një kategori elitë në shkollë, nëse mund të quhet kështu, nxënës më të vërtetë lider në mësime, mbase pak, por ama janë, edhe nga gjimnazet e rretheve më në periferi dalin vazhdimisht të tillë, por e dinë ata se si e përballojnë rëndomësinë e një pjese tjetër, me të cilët janë të shtrënguar të jenë në një shkollë, klasë, mjedis social-kulturor. Nxënës që bëjnë diferencën ka pasur historikisht, prandaj dhe janë konkurset, olimpiadat e kanë qenë dukur dhe të ashtuquajturat “medalje të arit”. Por në analizën tonë fokusi rrotullohet rreth asaj kategorie që është në antipod jo vetëm me elitën e shkollës, por me gjithë komunitetin e përfshirë në procesin e dijes, ku thënë në mënyrë të figurshme mesatarët janë të shumtit në shkollat publike, dhe atyre u shkakton aq shumë mundim pikërisht ajo pjesa e adoleshentëve që ka marrëdhënie formale dhe problematike me shkollën. Pedagogjistët e moralistët e traditës do të mjaftoheshin me shprehjen “një dru i shtrembër prish krejt barrën”, por duket se problemi është shumë më serioz, nuk flitet më thjesht për ca teprime, por për mbërritjen deri te krimi në radhët e adoleshentëve. Një nxënës 13-15-vjeçar që sot nuk i bindet mësuesit të tij, drejtuesit të shkollës, nesër nuk do t’i bindet ligjit, në kuptimin e plotë të fjalës, nuk do t’i bindet shtetit, shoqërisë, të cilën do ta lëndojë e tronditë në mënyrë të vazhdueshme me aktet dhe qëndrimet e tij. Fundja nëse gjërat nuk i shohim me këtë sy, na rrofshin fjalimet e bukura mikluese qeveritare për rininë, fëmijët, apo strategjitë që i qepim hollë me perin e organizmave të specializuara ndërkombëtare, por shpesh pa frytshmërinë e duhur. Mjaft prej këtyre dokumenteve nuk e përmbajnë krimin në radhët e adoleshentëve, nuk e parashikojnë një rast si ai i shkollës së Peshkopisë. E çfarë do të thotë kjo? Që rastet sporadike nuk përbëjnë dukuri? Kurse sipas nesh, raste të tilla i përmbysin strategjitë me fraza të rrumbullakosura dhe kërkojnë një tjetër qasje, nisur bash nga këto anomali sociale. Strategjitë për fëmijë e të rinj lipset të jenë, jo vetëm se si duhet të jenë parametrat e edukimit dhe të sjelljes, por më parë si ato janë në realitetin tranzitor shqiptar.

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org

(marre nga gazeta SHQIP)

Gjithashtu mund te lexoni

Komentoni

Terre des hommes Albania

Zbulime të pakëndshme: Frankfurter Allgemeine Zeitung për 21 Janarin

nga Pjesë nga FAZ/Karl Peter Scharz/Ina Verbica Para një vitit para kryeministrisë në Shqipëri u vranë katër demonstrues. Prokurorja që [...]

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

nga Ilirian Agolli Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të [...]

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

nga Ani Ruci Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes [...]

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

nga Ilirian Agolli Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për [...]

Ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE, të hidhet dritë e plotë mbi ngjarrjet e 21 janarit

nga Armand Mero Në Shqipëri, tre ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarjet e 21 janarit ku katër [...]

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri – Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

nga Vilma Filaj-Ballvora Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në [...]

Etiketat

Top Artikuj