nga Andrea Stefani
Mirë apo keq, ju do të jeni me vendin tuaj? – e pyetën një herë Robert Kenedin. Jo, jo, – u përgjigj Kenedi, unë dua të jetoj në një vend të drejtë. Na u kujtua ky episod sot, kur po dëgjojmë gjithnjë e më dendurisht nga përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë të bëjnë thirrje që partitë, në trajtimin e krizës politike të kenë parasysh interesin kombëtar. Dhe tashmë kur Kolegji Zgjedhor është shprehur në mënyrë shumë të dyshimtë në favor të Lulzim Bashës, porositë e ndërkombëtarëve i drejtohen më shumë opozitës së pakënaqur. Duket sikur i thonë: Respektoje vendimin e Kolegjit, edhe pse jo i drejtë, sepse ky është “interesi i kombit”! Prandaj na u kujtua episodi me Robert Kenedin. Se, a mund të jetë në interes të kombit të respektosh padrejtësinë? Nëse do të qe vërtet kështu, atëherë nuk mund të mos pyesësh: A janë akoma në interesin kombëtar përpjekjet për të realizuar idealin e ngjizur në parullën e viteve ’90: “liri-demokraci”?! Sepse të respektosh vendimin e një gjykate që mbështet grabitjen e zgjedhjeve nga një pushtet autokratik, është të dalësh njëherazi edhe kundër demokracisë, edhe kundër lirisë.
* * *
Nuk ka shumë dallim nëse vendi i nënshtrohet një diktature që lind nga gryka e pushkës apo një pushteti që grabit votat. Në të dyja rastet, pavarësisht nga dallimet në dukje, kemi të bëjmë me një thelb të dhunshëm. Por në pushtetin berishist, të dy opsionet e të keqes po shkrihet në një. Dhe kombit nuk mund t’i vijë asgjë e mirë prej një pushteti që përjetëson vetveten me vrasje demonstruesish e deri edhe me vjedhje votash. Tashmë është e qartë se pushteti berishist nuk themelohet mbi të drejtën. Prandaj, që të qëndrojë i është dashur të përdorë edhe grykën e pushkës, si më 21 janar, ashtu edhe grabitjen e votës, si me 8 maj. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, dhe akoma më pak bufonata arrogante prej servili të pushtetit e KQZ-së, nuk do të mund të maskojnë me “shtet ligjor” grabitjen që sapo ka ndodhur, dhunimin e radhës të demokracisë nga një pushtet gjithnjë e më hapur antidemokratik. Por kapja e gjyqësorit dhe asgjësimin i pavarësisë së tij nga pushteti berishist nuk janë një sekret as për ndërkombëtarët. Jo rastësisht, presioni dhe ndikimi i politikës mbi gjyqësorin është një nga kritikat kryesore që i bëhen Shqipërisë në raportet e tyre. Dhe i kujt mund të jetë ky ndikim në mos i qeverisë? Edhe në zgjedhjet e 8 majit nuk pamë asgjë më shumë, por zbatimin e taktikës berishiste për t’i grabitur zgjedhjet me vendime gjykate, me “shtet ligjor”, duke përdorur gjyqtarë të kapur apo të trembur. Me vendime që i shpalli si të drejta aktet e një KQZ-je që është kritikuar edhe nga vetë ndërkombëtarët për një qëndrim politik në favor të pushtetit.
* * *
Kapja e gjykatave është një e keqe themelore për një vend. Është pikërisht kjo e keqe që i mundëson një pushteti ta degjenerojë një demokraci në demokraturë. Që padrejtësinë ta maskojë me “drejtësi”, madje që edhe kundërshtarët e padrejtësisë t’i paraqesë si kundërshtarë të “shtetit ligjor”, që nuk respektojnë gjykatat dhe vendimet e tyre! Prandaj, opozita politike duket të ketë një nga synimet e saj strategjike, çlirimin e drejtësisë nga prangat e pushtetit berishist. Po ç’qëndrim duhet të mbajë ajo karshi vendimit të turpshëm të Kolegjit, që maskoi edhe një herë padrejtësinë me drejtësi? Ta respektojë për hatër të “interesave kombëtare”? Kurrsesi! Koniuktura dhe sugjerimet e ndërkombëtarëve mund të bëjnë që opozita, taktikisht, t’i nënshtrohet këtij vendimi. Por ajo nuk mund ta respektojë atë. Që në këtë moment ajo duhet të përdorë të gjitha mjetet që padrejtësia e sapo kryer nga Kolegji të demaskohet sa më shumë. Këtij qëllimi i shërben edhe opinioni i kërkuar nga Komisioni i Venecias. Një hajdut të dëmton kur të vjedh, por dëmi i vërtetë është nëse ai arrin që ta shpallë vjedhjen si akt të ligjshëm, krimin si drejtësi. Demaskimi i “fitores” së Bashës në Tiranë është njeri nga hapat e parë të opozitës për të dalë nga kurthi me “shtet ligjor” ku e ka futur klani i korruptuar berishist. Ajo duhet t’i tregojë njerëzve se, ashtu si dje Enver Hoxha e shiste diktaturën për demokraci, është Sali Berisha sot që po e shet autokratizmin për demokraci e shtet ligjor. Hapat e tjerë duhet të synojnë çlirimin e drejtësisë. Opozita duhet të ftojë ndërkombëtarët të bashkëpunojnë në korrektimin e të gjitha të metave që ata konstatojnë në raportet e tyre për gjyqësorin. Sepse vetëm duke ringjallur të drejtën, opozita do investohet edhe për ringjalljen e një lirisë e bashkë me to, edhe të demokracisë që “demokratët” në pushtet po e varrosin duke përdorur si varrmihës gjykatës servilë dhe pa integritet. Disa ndërkombëtarë na flasin sot për një interes kombëtar që edhe ata vetë, po të kruajnë pak kokat e tyre, ka rrezik do zbulojnë se nuk e dinë ç’do të thotë. Por thjesht e thonë ngaqë besojnë se thirrja për t’u sakrifikuar për kombin tingëllon mirë tek shqiptarët. Mirëpo, nëse sot ka një interes kombëtar për të cilin ja vlen të investohesh, është pikërisht demaskimi i padrejtësisë së maskuar me drejtësi, demaskimi i vjedhjes së maskuar me ligj. Themelimi i drejtësisë së lirë nga tutelat politike, gjë që kombi shqiptar s’e ka pasur kurrë në historinë e vet, është sot ideali kombëtar. Shndërrimi i gjykatave nga vegla të dhunës së maskuar të pushtetit në mbrojtëse të drejtave e lirive qytetare, është sot interes kombëtar. Sepse, pa rivendosur drejtësinë nuk do të ketë demokraci dhe liri në Shqipëri. Dhe pa liri e demokraci shqiptarët do kenë një të ardhme të zymtë e të mjerë, në Tiranë, Prishtinë e kudo.
Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org
(marre nga gazeta PANORAMA)