Sunday, May 20, 2012

Drejt një përgjegjësie të përbashkët fiskale evropiane

Postuar nga admin me January - 30 - 2012

nga Prof. Dr. Ilia KRISTO*

Janë bërë krahasimisht më të shpeshtë zëra të njohur të ekonomisë e financës globale, të mbështetur edhe nga disa projeksione të CEBR në Angli, që konsiderojnë gjasat që kriza në Eurozonë në 2012 të sjellë shpërbërjen e Bashkimit Evropian si një Bashkim Ekonomik/monetar në kuptimin e mirëfilltë teknik të tij.

Gjykoj dhe shpresoj fort që shpërbërja e bashkimit monetar evropian duket akoma një rrezik i largët, sidomos pas angazhimit të Italisë dhe Greqisë për të konsoliduar më tej financat e vendeve të tyre. Mendoj që zhvillimet e fundit politike duhet të shërbejnë për të ndarë qartë dy anët e kësaj krize: që konsolidimi fiskal dhe patja e monedhës së përbashkët, janë dukuri me pika të përbashkëta, e nuk duhet të shihen si përjashtuese të njëra-tjetrës. Në pikën më kulmore të kësaj krize, autoritetet evropiane treguan më shumë se kurrë mbështetje për një monedhë të përbashkët, dhe tashmë nuk ka asnjë zhvillim që të na bëjë të mendojmë se e kundërta mund të ndodhë në vazhdim. Në popujt e vendeve përkatëse, qeveritë teknike kanë fituar besueshmërinë e humbur të qeverive politike që zëvendësuan, dhe kjo u jep atyre një bazë të fortë për të implementuar planet e shkurtimeve buxhetore – një luks që nuk e patën (dhe nuk e meritonin) qeveritë Berluskoni dhe Papandreus.

Në vijim, mendoj që diskutimi do të fokusohet në idetë e patjes së një “bashkimi fiskal” evropian (parimisht pjesë e marrëveshjes së Bashkimit Ekonomik Evropian), dhe kjo e ndryshon thelbësisht debatin. Pra krijon një paradigmë të re ekonomike për Evropën. Vendet e Evropës së Bashkuar duhet të krijojnë përgjegjësi të ndërvarura në borxhet që lëshojnë, duke qenë se edhe pasojat e një sjelljeje të papërgjegjshme fiskale do t’i vuajnë po të ndërvarur. Është njësoj si kreditimi konsumator me garantor, dhe ka përfitime të dukshme në minimizimin e rrezikut moral. Kështu që sfida më e madhe që i paraqitet monedhës së përbashkët nuk i vjen nga vetvetja, po nga mundësia që vendet evropiane kanë për të punuar bashkë, sepse ekzistojnë zgjidhje të përbashkëta për probleme të veçanta, dhe të cilat nuk prekin sovranitetin kombëtar apo disa çështje të tjera me ndjeshmëri të lartë në Evropë.

Pakti i Ri i Stabilizimit dhe Rritjes (i njohur si SGP 2.0) përpiqet të bëjë pikërisht këtë. Duke implementuar disa mekanizma të kontrollit dinamik mbi borxhin, deficitin, dhe cilësinë e ndërmjetësimit financiar, vendet janë në korrent me politikat fiskale të vendeve të tjera përpara se gjendja të kalojë në pika kritike. Arsyeja pse kjo nuk ishte bërë më përpara është thjesht çështje paradigmash dhe sjelljesh proaktivie/reaktivite të vendeve të veçanta dhe bllokut të integruar në tërësi, konsideruar prirjet gjeoekonomike dhe politike. Qeveritë dhe shumica e ekonomistëve, në mënyrën se si mendojnë mbi ekuilibrat makroekonomikë, supozojnë racionalitet të agjentëve. Ndonëse kjo është më shumë e vërtetë në nivel individual për çdo agjent, agregimi i racionaliteteve në një sistem nuk është gjithmonë racional. Pra, produkti përfundimtar ekonomik jo gjithmonë i përngjan komponentëve. SGP 2.0, i mbështjell në synimin e tij kryesor e me një mbështetje politike të gjerë, mund të jetë mekanizëm që realizon bashkimin fiskal në Evropë.

Ndërsa për efektin në Shqipëri, mjafton të imagjinoni një ekonomi pa euron, me nivel euroizimi zero. Në kuptimin strukturor, lidhjet tona ekonomike me vendet e tjera nuk bazohen në monedhën e përbashkët, por në brumin ekonomik që ajo monedhe e përbashkët blen. Është apo jo euro, rëndësia e saj bëhet dytësore. Rëndësia primare është siguria, konfidenca, dhe qëndrueshmëria që jep një zhvillim i tillë. Pra, mesazhi që mbart ai. Në rastin më të keq, duhet të kalojë një periudhë riorientimi dhe riorganizimi, sigurisht, por nuk duhet të harrojmë që roli i monedhës është të lehtësojë transaksionet. Vlera që qëndron pas ”letrës monedhë” është aty, pavarësisht emrit që i vihet monedhës. Prandaj, nëse ka diçka që duhet të na shqetësojë është të vazhdojmë të përmirësojmë konkurrueshmërinë, dhe të kontribuojmë në zinxhirin e vlerës që krijon ekonomia jonë.

Kriza dhe zhvillimet e mësipërme duket që kanë pasur prirjet për reflektim filozofik, politik dhe një ulje me këmbë në tokë të kontinentit evropian dhe konsiderimin e një globi në ristrukturim e sipër ku vendet e zhvilluara, në zhvillim, dhe ato që janë duke u ngritur në këmbë, duhet të gjejnë vetveten në zinxhirin global të krijimit të vlerave në përputhje me parimet tashmë të njohura të konkurrueshmërisë.

E përkthyer në Shqipëri do të thotë vizion, strategji, konkurrueshmëri dhe aftësi dinamike për të reaguar në raste vlerësim-zhvlerësimesh të monedhave kryesore për të minimizuar kostot, maksimizuar përfitimet nga këto lëvizje, apo mbrojtje nga ekspozimet e rastit. Këto janë elemente që do gjenden më shpesh teksa ekonomia jonë fillon t’i ngjajë një ekonomie dinamike, dhe është mbi të gjitha detyrë e bizneseve dhe e institucioneve publike për të krijuar sintoni dhe mjedisin e përshtatshëm për këtë. (Referencë: Ekosistemi i Sipërmarrjes, Kristo.I, Revista Monitor 2011)

*Lektor në Fakultetin e Ekonomisë UT, dhe konsulent ekonomik tek ISN Albania, (www.isnalbania.com)

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org

(marre nga gazeta MAPO)

Gjithashtu mund te lexoni

Komentoni

Terre des hommes Albania

Zbulime të pakëndshme: Frankfurter Allgemeine Zeitung për 21 Janarin

nga Pjesë nga FAZ/Karl Peter Scharz/Ina Verbica Para një vitit para kryeministrisë në Shqipëri u vranë katër demonstrues. Prokurorja që [...]

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

nga Ilirian Agolli Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të [...]

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

nga Ani Ruci Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes [...]

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

nga Ilirian Agolli Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për [...]

Ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE, të hidhet dritë e plotë mbi ngjarrjet e 21 janarit

nga Armand Mero Në Shqipëri, tre ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarjet e 21 janarit ku katër [...]

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri – Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

nga Vilma Filaj-Ballvora Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në [...]

Etiketat

Top Artikuj