Sunday, May 20, 2012

Drejtësi e Drejtë dhe e Shpejtë!

Postuar nga admin me January - 27 - 2012

nga Artur Zheji

Shqipërisë i duhet një Drejtësi e Drejtë dhe e Shpejtë, për t’i prerë rrugën spekulimeve politike që kanë dalë si xhindet nga shishja dhe po helmojnë me kutërbim vdekjeje tërë shoqërinë. Duhet vepruar drejtësisht dhe me shpejtësi, sepse klithmat jakobine dhe histerizmat televizive po rikthejnë një situatë të mbingarkuar me toksina mbytëse për normalitetin që na duhet, për të përballuar efektet anësore dhe përbrendësore të krizës ekonomike që kamzhikon gjithë Europën.

Arvizu e mbajti fjalën. Ai e përkrahu Prokurorinë e Përgjithshme të shqiptarëve, dhe dilemat e 21 Janarit 2011, duke vënë në dispozicion FBI-në dhe ekspertizën e saj, besojmë të paanshme. Tani që lënda e parë e drejtësisë po formatohet, politika duhet të heshtë sa më shumë dhe media opozitare duhet t’i heqë fotografitë e jetimëve të 21 Janarit, nga faqet e para, pasiqë mallëngjimet dramatike të lotëve të tyre të pafajshme është e turpshme të shndërrohen në kapital politik të pamoralshëm. Nga ana tjetër edhe Qeveria dhe qeveritarët e mazhorancës, është mirë të mos ndërsehen dhe të mos shprehin një acarim kaq ulëritës. Ata duhet t’i hapin krahun Drejtësisë, sado i hidhur qoftë zigzagu që po përshkon tani ajo, sepse nuk mund të shkohet në zgjedhjen e Presidentit, dhe aq më tepër në zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s, ngarkuar me një helmatisje të tillë e cila mund të degradojë në gjëra edhe më të këqija.

Nuk është korrekte të vazhdohet dhe të sulmohet sistematikisht Prokurorja e Përgjithshme, nuk është korrekte të komentohen në mënyrë trashanike dhe arrogante veprimet e saj, pasiqë prodhojnë vetëm efekte shterpe dhe demonizojnë jashtë çdo logjike institucionet tona, të votuara edhe ato, korrektësisht nga ana e kësaj mazhorance parlamentare. Nëse hetimet e Prokurorisë janë të kontestueshme nga mazhoranca apo nga opozita, le të listohen, nëse ka, fakte dhe prova që rrëzojnë faktet dhe provat e saj, por jo të stisen epitete dhe fyerje apo akuza, të cilat kanë vetëm një themel subjektiv dhe shprehin një pakënaqësi me konsekuenca të pakuptueshme nga ana e opinionit publik.

Të gjithë e dimë se në 21 Janarin e vitit 2011 kanë ndodhur gjëra të rënda.

Në 21 Janarin e vitit 2011 u provokua e gjithë Shqipëria dhe përpara Kryeministrisë shqiptare u vendos një fitil baruti, të cilin nuk e fikëm dot vetë, por fatmirësisht na e fikën miqtë e huaj, amerikanë dhe europianë. Ky fitil baruti, instrument ekstrem dhe i dënueshëm politik, që kërkonte të shpërthente kaosin dhe mundësisht një luftë civile, është padyshim një nga pikat më të zymta dhe më të ulëta të politikëbërjes në këtë dekadë të tretë të tranzicionit shqiptar. Por nga ana tjetër u kuptua se karremi i urrejtjes dhe provokimit radikal, hedhur nga opozita, u gëlltit në mënyrë naive nga qeveria dhe mazhoranca më 21 Janar 2011, duke dhuruar kështu një kapital politik në duart e opozitës, i cili peshon rëndë në duart e kundërshtarit. Kemi hyrë kështu në një spirale urrejtjeje dhe ‘lufte’, ku termat: ‘Vrasës! Prapa hekurave! Puçistë! Kriminelë!’, janë shndërruar në etiketime normale të një klime politike dhe shoqërore anormale.

Mos vallë mendohet se do të mbahet me këtë ritëm dhe këtë vrer ‘maratona’ politike shqiptare deri në takimin elektoral të vitit 2013? Atëherë duhet të presim përshkallëzime të tjera. Por ku do të shkohet? Mos vallë në të tjerë 21 Janarë, në emër të hakmarrjes dhe revanshit?

Drejtësia e vënë në këtë kurth tensionesh, në këtë klimë llogoresh dhe urrejtjesh, kuptohet, nuk mund të veprojë në mënyrë objektive.

Por ndërkohë çfarë ndodh përreth kësaj arene të përgjakur dhe zymtake politike? Kronikat nga aksidentet automobilistike apo nga goditja e kriminalitetit, janë shndërruar në buletine lufte me të vdekur dhe me të plagosur që vetëm shtohen. Por askush nuk ua vë veshin. Kronikat nga treguesit ekonomikë nuk janë aspak entuziaste. Bursat e lëndëve të para energjetike në botë, vetëm ngrihen, duke eksituar kështu ngritjen universale të të gjitha çmimeve. Porse ky debat është lënë për më vonë.

Askush nuk di apo nuk është i interesuar të dijë se çfarë ndodh në qytetet tona përtej Tiranës. Si jetohet dhe si duhet të jetohet aty. Cila është perspektiva e jetës së provincës, sa e jetueshme është ajo?Pobujqësia dhe blegtoria e shqiptarëve? Sigurisht një temë kjo e klasifikuar si banale dhe jo e rëndësishme për mediat dhe politikën shqiptare. Po çështja e mprehtë e cilësisë së asaj çka hanë dhe konsumojnë shqiptarët? Çështja e kontrollit të lëndëve të para që përdor ‘industria’ jonë ushqimore, që ngop, nuk dimë se me çfarë, barkun e uritur të shqiptarëve? Edhe kjo, me sa duket, është e klasifikuar si një jo temë, pasiqë nuk e mbush dot frazën e politikishtes, me terma të mëdha dhe bombastike.

Dhe kësisoj vetmia e shqiptarëve, nga politika kujdestare dhe politika e programeve, bëhet mjerisht më e thellë.

Dhe shqiptarët po kuptojnë përditë e më shumë se, me sa duket, politikanët shqiptarë e duan pushtetin vetëm për pushtet dhe privilegje personale.

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org

(marre nga gazeta MAPO)

Gjithashtu mund te lexoni

Komentoni

Terre des hommes Albania

Zbulime të pakëndshme: Frankfurter Allgemeine Zeitung për 21 Janarin

nga Pjesë nga FAZ/Karl Peter Scharz/Ina Verbica Para një vitit para kryeministrisë në Shqipëri u vranë katër demonstrues. Prokurorja që [...]

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

nga Ilirian Agolli Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të [...]

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

nga Ani Ruci Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes [...]

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

nga Ilirian Agolli Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për [...]

Ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE, të hidhet dritë e plotë mbi ngjarrjet e 21 janarit

nga Armand Mero Në Shqipëri, tre ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarjet e 21 janarit ku katër [...]

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri – Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

nga Vilma Filaj-Ballvora Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në [...]

Etiketat

Top Artikuj