nga Gerta Gixhari
Jetoj në Tiranë dhe më shumë sesa ajri i qytetit që më jep frymë çdo ditë, nuk më intereson ajo godinë. Nuk më intereson “Qazim Mulleti”. Më intereson Tirana e pastër, e gjelbër, e çliruar. Një qytet që të ma bëjë jetën të lehtë, pa strese. Fundja, asnjëherë Tirana nuk ka çaluar nga qytetarëtPaguajnë taksë për gjelbërimin dhe nuk e kanë, paguajnë taksë për pastrimin dhe nuk e kanë, paguajnë… paguajnë dhe vetëm paguajnë… për t’u mos u shpërblyer për asgjë.
Kam kohë që dëgjoj pikëpyetjet që ngrihen për Tiranën. Gjithçka nis nga Tirana, a thua është shtet brenda shtetit?! Kryeministria e këtij shteti?! Tirana, një emër i konflikteve të mëdha dhe i kompromiseve të mëdha. Kjo betejë ka nisur dhe po vazhdon me revansh. E kuptoni se e kam fjalën për zgjedhjet, luftën për muret e verdha. E kemi parë çdo 4 vjet, një film që pret të fitojë gjithmonë çmimin “Oskar”, por ata (ndërkombëtarët) nuk po na e japin atë “trofe”, gjithmonë ky film mbetet në nominim. Në të gjitha zgjedhjet para 2007-s apo 2009-s thanë se është shansi i fundit, edhe këtë herë këtë po thonë, po a ka veshë që dëgjojnë!!! Por më parë dua të dëgjoj këta të mëdhenjtë e kombit tonë se çdo thonë. Çfarë do të bëjnë për Tiranën tonë. Askush deri tani nuk po flet. Dilema e emrave do të na shoqërojë edhe për pak kohë. Kush do ta marrë Bashkinë e Tiranës? …Ishim në ankth… kë do të kishte PD-ja kandidat… e mësuam më në fund… përsëri kishim ankth… do të rikandidonte apo jo Edi Rama?! Ky është çmimi që meriton Tirana, i cili është interesi për Tiranën, se kush do e marrë bashkinë Luli apo Edi. Kjo është ajo që po dëgjojmë çdo ditë.
Mazhoranca e pati më të lehtë të deklarojë emrin e vet, pasi akoma nuk e ka pjesë të sajën Bashkinë e Tiranës, e ndërsa krahu tjetër duhet ta mendojë mirë mos t’ia marrin nga duart. Dhe, mesa duket e pati këtë frikë, priti deri sa PD-ja të kishte bërë publike emrin e saj dhe peshoi përballë emrit Basha çdo alternativë tjetër socialiste. Derisa konfirmoi rikandimin e tij. Që Rama të rikandidojë për të katërtën herë është gjëja e fundit që socialistëve duhet t’u shkonte ndërmend. E para se është bërë tashmë figurë e konsumuar dhe aq më shumë akoma kur mori edhe drejtimin e socialistëve. Partia Ramës nuk po i jep kohë të merret me bashkinë. Partia e bëri që Rama të harrojë triumfin në mandatin e tij të parë trevjeçar në vitin 2000, dhe pak në vazhdimin e të dytit, kur shembi ndërtimet pa leje buzë Lanës, kioskat e parkut “Rinia”, “Kthim në identitet” të godinave të rëndësishme të Tiranës, meritë që nuk mund t’i mohohet. E dyta, më bën të dyshoj se partia më e madhe opozitare nuk paska kandidatë të tjerë të denjë për t’u përballur?! Megjithëse këtë radhë më 8 maj, Rama është vetëm me disa shoqërues “të vegjël”, ai do të tregojë forcën e tij përballë të djathtës në një kohë krejt tjetër nga ajo e zgjedhjeve të mëparshme. Ka përfituar më shumë kohë si lider partie, por ish-aleati Meta është kundërshtari i tij, do të udhëheqë zgjedhjet e fushatën elektorale si lider për të tretën herë përballë Berishës po si lider, gjithashtu përballë një situate krejt tjetër që ka lënë gjurmë. Me një Parlament më shumë të bojkotuar, me seanca të zhurmshme, e së fundmi me demonstrata. Përballë kësaj panorame, Rama nuk duket të jetë i favorizuar. Bashkisë së Tiranës i duhej një figurë socialiste e vërtetë, e papërlyer, e papërfolur nga mazhoranca e paakuzuar më parë, një figurë paqësore dhe ç’është më e rëndësishmja një figurë që të sjellë jetën në Tiranë. Veç të tjerash një kryetar bashkie që 8-orarëshin zyrtar të punës ta plotësojë brenda mureve të bashkisë. Një kryetar i pranishëm, i cili të merret në mënyrë të përditshme me çështjet e komunitetit dhe jo një kryetar që hyn në zyrën e bashkisë për të dhënë një konferencë shtypi. Qytetit tim i duhet një kryetar real, që të ndjekë me autoritetin e duhur politikën e bashkisë, politikën e kryeqytetasve. Bashkisë së Tiranës i duhet një kryetar që të stopojë vrullin e betonit pa kriter, që ka arritur të përhapet deri te kodrinat e Tiranës rreth e përqark saj. Trotuaret e këmbësorëve kanë hapësira për një kalimtar, që as fëmijën nuk e mban dot për dore, me pllaka të thyera që të hedhin ujin në surrat. Se rikthim në gjendje të mëparshme as që mendohet, kushdo tjetër që të drejtojë atë bashki do të jetë i pafuqishëm përballë betonit. Mbase nuk kam më shans t’i shoh të lira ato pak njolla jeshile të mbetjeve kodrinore, por të paktën të ndërtohen me sistem të rregullt që ta ha syri, me një plan urbanistik që të rregullonte të gjithë territorin. Tirana nga lart i ngjason një rrjete merimange. E çdo shohë turisti i huaj kur të vijë në Tiranë përveç Skënderbeut me kalë, se as qendër kryeqyteti nuk kemi më, një gërmadhë dherash kemi… Të mendosh thjesht një moment se Tiranës i duhet një bus-turist, siç shëtit në çdo vend të Europës për të parë e njohur historinë e arkitekturën e një shteti. Ku mund të kalojë ai autobus turistësh dhe çfarë i ka mbetur kësaj Tirane për t’u parë përveç pallateve shumëngjyrëshe. Vallë, këto pallate do të mbajnë historinë e popullit tonë. E në fakt, çfarë gjurme do të lërë në histori Edi Rama. Epokën e një peneli të çmendur ekstravagant me ngjyra te kombinuara keq.
Për 35 ditë qytetarët janë në majë të piramidës, se hierarkia në këtë rast janë qytetarët, varësia që politika krijon ndaj tyre çdo 4 vjet, atëherë gjen kohën të shkojë nëpër lagje të shkelë rrugët me pellgje të mbushura me ujëra të zeza, të pluhuroset, të shoh varfërinë nga afër, listat veresie. Ky model fushate është bërë si modë dhe në pamje të parë duket se çoç do të bëhet se nga ekrani këta burra tregojnë se e paskan marrë seriozisht kësaj here. Edhe këtij modeli fushate i ka dalë boja, e kemi parë në më shumë se 2-3 fushata paraardhëse. E më pas, piramida kthehet përsëri me kokë lart, pozicionet, ndryshojnë qytetari, vazhdon të përbaltet dhe të neglizhohet dhe të masakrohet nga taksat që nuk merr asgjë në këmbim.
Besoj e mbani mend vrullin e krikove të verdha që bllokonin rrotën e makinës, por ka 6 muaj që policia bashkiake është strukur se kemi fushatë, vendet e parkimit disponohen vetëm nga taksitë, ia kemi kaluar edhe Nju Jorkut. Besoj e dini që çdo vit nëse nuk paguan taksat e gjelbërimit, pastrimit, certifikatat bllokohen, ndërsa tani nuk është më problem se kemi fushatë. Besoj e dini se fëmijët nuk duhet të luajnë kurrë jashtë se aty pranë gjendet rruga e makinave, e dini se asnjë banesë nuk është dhënë për të pastrehët. Bashkia deri më sot vetëm është ankuar dhe nuk ka dëgjuar asnjëherë ankesa.
Është e kotë të shkosh të trokasësh në Bashkinë e Tiranës, asgjë nuk zgjidh. Bashkia është ndërtesë qytetarësh, por asnjëherë ata nuk kanë mundur të hyjnë, sepse kryetari aktual nuk i ka bërë pjesë të saj. Çështjet e bashkisë nuk përfshijnë personazhe të jetës reale, të komunitetit, nuk mund të merren vendimet për qytetarët pa mendimin e qytetarëve. Kryeqyteti do të ishte me një pamje tjetër nëse do të drejtohej në grup, duke formuar ekipet që punojnë për Tiranën, të ndara me zona ku secila të kishte përfaqësinë e vet.
Kaq keq është kombinuar drejtimi i kryeqytetit, nga një dorë e vetme. Tiranën fare mirë mund ta quaj të braktisur nga pushteti vendor.
Përmenda më shumë Edi Ramën jo për arsye bindjesh, por se emri i tij instinktivisht është i lidhur me qytetin, kam 10 vjet që atë kujtoj si kryetar bashkie, lider të kryeqytetit. Akoma nuk e di se çfarë do të ishte në gjendje të bënte krahu tjetër, që mund t’i krahasoja. Fola për të se Tirana për një dekadë është mbajtur nga një palë duar të vetme dhe të pazëvendësueshme. Por ka 5 vjet që kam harruar se bashkia u drejtoka nga Rama. Tani jemi në fushatë dhe ma kujtoi vetë Rama se ai u merrka edhe me punët e bashkisë.
Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org
