nga EDI LESI
Çdo ditë, në Tiranë, afër sisht dhjetë veta ndahen nga jeta për shkak të moshës, shkaqeve natyrale e shëndetësore apo aksidentale. Një vit më parë, katër qytetarë më shumë se në një ditë të zakonshme vdiqën në Tiranë. As aksident, as shkaqe natyrore. Më shumë, kronikë e një dhune të paralajmëruar. Pse u vranë Aleks Nika, Hekuran Deda, Ziver Veizi e Faik Myrtaj? Kujt i interesonte t’u ndërpritej jeta katër burrave të pafajshëm? Kujt i voliste kjo dramë? Një vit më pas, siç pritej, Edi Rama ngriti një fushatë të madhe mediatike. Siç pritej, një vit më pas, ai ende nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi që i takon si organizator i dhunës së paprecedent në përplasjen me Kryeministrinë, që solli vdekjen tragjike të katër protestuesve. Është e dukshme se ai, për më tepër, e shfrytëzoi edhe këtë ngjarje të rëndë për interesat e tij. Ky skenar nisi herët, që në fund të vitit të shkuar, me vizitat në shtëpitë e viktimave të 21 janarit, në Krishtlindje. E gjitha kjo është, më shumë se sa trukohet në ekrane, një përshpirtje e respekt për kujtimin e atyre që nuk jetojnë më. Është, në fakt, kthim në vendin e krimit. Njihet mirë në psikologjinë e dikujt që ka bërë keq, nxitja e brendshme që ka për të shkelur sërish aty ku ndodhi gjëma. Dëshmitarë okularë kanë treguar se Edi Rama tha “Ok”, u çlirua nga ankthi i pritshmërisë dhe urdhëroi shpërndarjen e protestës, kur i bënë të ditur një vit më parë se para Kryeministrisë kishte të vdekur. Mision i përfunduar? A duhet ta vërë në pozitë të sikletshme një udhëheqës politik një sjellje e tillë? Po ashtu, nuk është aspak e pafajshme pamja dhe gjesti i tij i fiksuar në kamera para të shtënave tragjike, teksa drejtonte me gisht turmën drejt Kryeministrisë, ndërsa vetë gjendej shumë larg sherrit. Në cilin qytet europian një drejtues opozite do të udhëhiqte kësisoj mbështetësit e tij? Cili lider i opozitës në Perëndim do të priste të kishte viktima në anëtarësinë e tij teksa vetë bën llogaritë pasi e ka braktisur grigjën? Dihet se Hekuran Deda dhe Aleks Nika, Ziver Veizi e Faik Myrtaj do të ishin sot në vatrat e tyre familjare nëse nuk do t’i kishte thirrur Edi Rama për të dhënë jetën që ai të bëhej kryeministër. Ata dhe familjet e tyre do t’i përjetonin si gjithë të tjerët ditët në kapërcyell të viteve dhe çdo ditë të vitit nëse Edi Rama do të respektonte ligjet dhe rregullat e demokracisë. Një arsye përse ata nuk janë më, është sepse Edi Rama kishte një ngut dhe ngarend të pazakontë për t’u bërë kryeministër. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij nuk mund të prisnin zgjedhjet e ardhshme parlamentare për të garuar, për të marrë pushtetin, gjithnjë nëse populli do t’i jepte votën. Rama nuk e duronte qëndrimin në opozitë. Si mund të vihet në pushtet kur nuk fiton zgjedhjet? Kjo pyetje do ta ketë munduar gjatë kryetarin e opozitës. E vendosi një ditë që në pushtet mund të vihet me dhunë. Qeveria e njohur ndërkombëtarisht mund të rrëzohet në bulevard dhe legjitimiteti i saj bie me viktima, me të vrarë. Kjo ndodhi më 21 janar. Ndërsa të gjithë presim një orë e më parë që të vihet drejtësia për viktimat, çdokush ka në dorë të bëjë të tijën. Çka duhej të bënte z. Rama është një “mea-culpa” për përgjegjësitë e tij. Gjë që nuk ndodhi as dje. Për më tepër, gërmohet plaga e rëndë duke bërë “Public relation” me viktimat dhe dhimbjen e familjarëve. “Një shfrytëzim i paturpshëm i kësaj fatkeqësie” e kanë quajtur edhe miqtë ndërkombëtarë politikën që është bërë me të vrarët. Orteku mediatik që ka ngritur gjithë këto ditë me dhimbjen e familjeve të viktimave, që kulmoi dje, është një gjë që nuk shet dhe nuk e afron ditën e ardhjes në pushtet. Përkundrazi, kjo vë me të vërtetë në pikëpyetje limitet etike e humane të një kandidati për kryeministër. Një kandidat me kufij etikë e ka të vështirë të jetë i pëlqyeshëm nga shumica. Edhe në demokracinë tonë, që nuk është ende e përsosur, në pushtet vihet me votën e popullit. Ky sistem është pranuar herët nga paraardhësit e të majtëve në botë, qysh se ata janë ndarë nga metodat e proletariatit dhe kanë pranuar demokracinë si të vetmen lojë në treg. Pas 21 janarit, kryesocialisti Rama ka vazhduar të jetojë njësoj. Ai ka arritur të mbajë Partinë Socialiste. Ka bërë pushime të kushtueshme. Darkon, drekon dhe udhëton kudo. Jeta e tij ka rrjedhur e qetë dhe pa peshën që duhet të ketë në ndërgjegjen e dikujt vdekja e katër qytetarëve shqiptarë. A ia vlen një kësi sakrifice që dikush të bëhet kryeministër? Çdo jetë shqiptari vlen më shumë sesa ëndrra e dikujt për të qeverisur vendin.
Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org
