Sunday, May 20, 2012

Fjalimi historik i kryetarit të paligjshëm

Postuar nga admin me April - 18 - 2011

nga Rexhep QOSJA

Më 22 shkurt 2011 Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen në të cilën nuk merrnin pjesë deputetët e tri partive kryesore opozitare – të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Vetëvendosjes, zgjodhi kryetarin e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacollin, kryetar të Republikës së Kosovës në rrethin e tretë të votimeve.
Më 7 mars Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Vetëvendosja kërkuan prej Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vendosë nëse me rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacollit kryetar ishte shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Më 21-23 mars, edhe pse prej tri partive kryesore opozitare i kontestuar si i paligjshëm në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, kryetari i Aleancës Kosova e Re, Bahgjet Pacolli, i ftuar prej Republikës së Shqipërisë i bëri vizitë zyrtare shtetërore Shqipërisë!

Më 28 mars, as një javë plot pas vizitës së tij zyrtare shtetërore në Republikën e Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli të paligjshme zgjedhjen e Behgjet Pacollit kryetar i Republikës së Kosovës. Brenda gjashtë muajsh Republika e Kosovës ndodhet kështu për herë të dytë në krizë institucionale dhe politike!

Më 6 prill Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ishte deklaruar kundër çdo bashkëpunimi me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, më sajë të ndërmjetësimit të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kristofer Dell, u morën vesh mes vete për tejkalimin e krizës institucionale dhe politike, në të cilën ndodhej vendi.

Më 7 prill, Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen në të cilën merrnin pjesë të gjitha partitë kuvendore, me përjashtim të Vetëvendosjes, zgjodhi në rrethin e parë të votimit zonjën Atifete Jahjaga, pjesëtare e sektorit më të çmuar prej popullit në jetën shtetërore të Kosovës – Policisë së Kosovës, për kryetare të Republikës së Kosovës.

Dhe, në këtë mënyrë u tejkalua kriza institucionale dhe politike në të cilën ndodhej Republika e Kosovës.

Fushata kundër Behgjet Pacollit
Edhe pse prej tri partive kryesore opozitare të Kosovës, e kjo domethënë gati prej gjysmës së elektoratit të Kosovës, i kontestuar i paligjshëm në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, deri në ditën e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e tij të paligjshme, do të zhvillojë një varg veprimtarish në cilësinë e kryetarit (të paligjshëm) të Kosovës: do të pranojë delegacione, do të pranojë zyrtarë vendorë e ndërkombëtarë, do të vizitojë komuna e fshatra në Kosovë, do të ketë shumë paraqitje më të shkurtra a më të gjata në mediat elektronike e të botuara dhe, madje, do të bëjë dy vizita shtetërore – në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Maqedonisë.

Me gjithë këtë veprimtari të dendur politike e shtetërore të kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, në cilësinë e kryetarit (të paligjshëm) të Kosovës, nuk do ta quaja të arsyeshme, prandaj as të nevojshme, të merresha me atë ushtrim detyre, sikur të mos ishte vizita e tij shumë e madhëruar prej fillimit, gjatë sendërtimit dhe menjëherë pas mbarimit të saj në Republikën e Shqipërisë.

E quaj të arsyeshme, prandaj edhe të nevojshme, të merrem me të jo vetëm për shkak të anës së saj politike, por aq më shumë, për shkak të anës së saj kulturore dhe morale.

Para se të shfaq gjykimet për këtë vizitë, sot të shpallur historike për shkak të karakterit dhe kushteve të sendërtimit të saj, është e nevojshme të bëj disa sqarime, me të cilat dëshiroj të mënjanohen që përpara disa keqkuptime të mundshme.

Nuk e pranoj fushatën politike dhe jo vetëm politike të bërë kundër Behgjet Pacollit para zgjedhjes dhe pas zgjedhjes së tij kryetar i Republikës së Kosovës në Kuvendin e Kosovës. E pranoj mospajtimin parimor të organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me kandidimin dhe zgjedhjen e Behgjet Pacollit kryetar i Republikës së Kosovës, të cilët do të ishte mirë dhe do të ishte mirë sepse vetëm ata kanë të drejtë morale që të mospajtohen edhe me sa e sa kandidime, zgjedhje, nderime që bëhen në Kosovë tani e dymbëdhjetë vjet, por nuk e pranoj fushatën që një varg vetjesh politike dhe jopolitike do të zhvillojnë kundër tij.

Janë një varg arsyesh pse unë jam kundër kësaj fushate:
1.Jam kundër kësaj fushate sepse kam qenë dhe do të jem gjithnjë kundër fushatave të grupeve të ndryshme politike dhe jopolitike ndaj vetjeve të ndryshme. Lukunitë përndjekëse në jetën shoqërore i konsideroj të dëmshme, kur e kur të rrezikshme, edhe sot si dje, i vetëdijshëm se pas tyre gjithmonë janë fshehur dhe fshihen leverdi politike, ideologjike, materiale, fetare, partiake e të tjera.
2.Jam kundër kësaj fushate sepse jam i vetëdijshëm se një numër i pohimeve me të cilat synohet komprometimi i tij kombëtar politik dhe moral janë të gënjeshtërta.
3.Jam kundër kësaj fushate sepse numrin më të madh të atyre që e kanë organizuar dhe merenduar këtë fushatë kundër Behgjet Pacollit i njoh mirë prej shumë kohësh. Shumicën prej atyre i kam dëgjuar dhe i kam parë duke u hallakatur nëpër Jugosllavi me gojën përplot deklarata se si Kosova nuk mund të bëhet kurrë Republikë dhe kjo nuk mund të bëhet kurrë do të thoshte nuk duhet të bëhet kurrë! Të gjitha ata i kam parë dhe i kam dëgjuar duke deklaruar, në procesin e diferencimit ideopolitik pas vitit 1981: se demonstratat e vitit 1981 të rinisë sonë studentore dhe shkollore ishin demonstrata armiqësore; se ishin demonstrata nacionaliste dhe irredentiste; se ishin armiqësore sepse me to kërkohej që Kosova të bëhej Republikë; se ishin armiqësore sepse me to rrezikohej bashkim-vëllazërimi dhe cenohej integriteti territorial i Jugosllavisë. E të tjera të ngjashme e të pangjashme. Behgjet Pacollin, ndërkaq, kurrë nuk e kam parë a dëgjuar duke u stolisur me deklarata të tilla.
4. Jam kundër kësaj fushate për arsye se akuza për disa gjykime servile ndaj Serbisë dhe akuza për disa takime me kryetarin e Jugosllavisë së mbetur e të Serbisë, kryekriminelin e luftës, Sllobodan Millosheviqin, për arsye se akuza të tilla, por, të argumentuara me të dhëna të botuara a të xhiruara në televizione, mund të bëhen edhe kundër vetë organizuesve dhe zbatuesve të fushatës ndaj Behgjet Pacollit.
5. Jam kundër kësaj fushate sepse disa nga organizuesit dhe zbatuesit e fushatës së sivjeme ishin organizues të fushatës kundër Behgjet Pacollit edhe në vitin 2007 kur ai sapo kishte krijuar Aleancën Kosova e Re dhe ishte futur në zgjedhje. Edhe atëherë isha shprehur kundër fushatës ndaj Behgjet Pacollit. Në bisedën e shkurtër në njërin nga televizionet e Tiranës, vërejtjes së gazetarit bashkëbisedues se mbrojtja e Pacollit mund të më dëmtojë sepse Pacollin nuk e duan amerikanët i isha përgjigjur: “Unë nuk mendoj se a do të më dëmtojnë dhe sa do të më dëmtojnë ato që them. Unë mendoj a do të them të vërtetën dhe të drejtën”.

Sivjet, ndërkaq, nuk e kisha quajtur të arsyeshme të ngrihesha kundër fushatës ndaj Behgjet Pacollit për dy arsye kryesore: e para, sepse nuk mund të pajtohesha me shantazhimin që i bënte ai Partisë Demokratike të Kosovës duke thënë edhe vetë ai edhe Partia e tij: ose Behgjet Pacolli kryetar i Kosovës ose nuk ka koalicion dhe, e dyta, sepse mendja ime është parimisht kundër zgjedhjes së shqiptarit më të pasur në botë për kryetar të shtetit më të varfër të Evropës, Republikës së Kosovës. Dhe, nuk mund të pajtohem sepse edhe filozofia politike edhe praktika politike evropiane e kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë se aty ku bashkohet fuqia e pushtetit politik dhe fuqia e pushtetit ekonomik aty liri nuk mund të ketë. Si krijues që ia ka kushtuar jetën mendore lirisë së Kosovës, lirisë e demokracisë së popullit shqiptar dhe lirisë në përgjithësi kudo qoftë e paarritur a e cenuar ajo, unë nuk do të votoja më 22 shkurt, dhe nuk do të votoj për Behgjet Pacollin kryetar i Republikës së Kosovës, në qoftë se jam gjallë, as kur të kandidohet ai mbas ndryshimeve që do të bëhen në Kushtetutë për zgjedhjen e kryetarit të Republikës së Kosovës në zgjedhje të përgjithshme.

Dhe, nuk do të votoja për të edhe për një arsye tjetër: edhe për arsye se dëshira e tij pambarimisht e madhe për t’u bërë i pushtetshëm në qoftë se jo si kryetar i Kosovës, atëherë doemos si zëvendës kryeministër i parë i Qeverisë së Kosovës, e rrit shumë mosdurimin ndaj arrivizmit të pafrenuar politik të pasanikut Behgjet Pacolli.

Vizita zyrtare shtetërore në Shqipëri
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me të cilin zgjedhja e kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, shpallet zgjedhje e paligjshme është vendim që flet shumë për Kosovën dhe që flet shumë për Shqipërinë: flet shumë se si po ndërtohet demokracia në Kosovë dhe flet shumë se si po shkelet demokracia në Shqipëri. Ky vendim e nderon Kosovën dhe i shërben shumë Kosovës në sytë e ndërkombëtarëve, sepse u dëshmon atyre se institucionet e pavarura në Kosovë, megjithatë, janë institucione të pavarura, që mund të marrin vendime pa iu nënshtruar trysnive të institucioneve politike e shtetërore si në Shqipëri, madje, pa iu nënshtruar as trysnisë së Kuvendit të Kosovës prej të cilit ato zgjidhen. Ftesa që i është bërë kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, për vizitë zyrtare dhe shtetërore në Republikën e Shqipërisë në cilësinë e kryetarit (të paligjshëm) të Republikës së Kosovës, sado në mënyrë të pandërmjetuar, tregon qartë se sa pak përfillen institucionet e pavarura, siç janë institucionet e Gjyqësorit, në Republikën e Shqipërisë. Sikur të mos ishte kështu, sikur të mos shpërfillej në mënyrë aq të pashembullt siç kemi pasur rastin të bindemi sa e sa herë e jo vetëm pas 21 janarit të këtij viti Gjyqësori në Republikën e Shqipërisë, sikur të mos shpresonin, ndoshta sikur të mos ishin të bindur, ftuesit se Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk do ta shpallë të paligjshme zgjedhjen e Behgjet Pacollit kryetar i Republikës së Kosovës, atëherë nuk do të ndodhte:
1. që të ftohej apo të pranohej për vizitë zyrtare shtetërore një kryetar, zgjedhja e të cilit ishte kontestuar si e paligjshme në Gjykatën Kushtetuese prej tri partive kryesore të opozitës.
2. që të çohej televizion që ta tregonte shtëpinë e tij me gjithë çka e përbën përjashta dhe përbrenda dhe ky kallëzim televiziv të emetohej me qëllim që të rritej popullorësia politike dhe ekonomike e pronarit të asaj shtëpie, në të vërtetë e atij pallati.
3. që të shpallej doktor honoris causa nga Universiteti Evropian i Tiranës.
4. që t’i bëhej e mundshme paraqitja me fjalim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Çka mund të thuhet pas të gjitha këtyre privilegjeve që i krijohen një kryetari (të kontestuar në Gjykatën Kushtetuese dhe shpejt të shpallur i paligjshëm prej saj) nga një shtet me traditë politike e diplomatike?

Mund të thuhet se ky shtet lehtë e shpejt po e shpërfill, po e cenon, po e shkel përvojën e vet shtetërore njëshekullore!
Mund të thuhet se ky shtet, domethënë regjimi i tij, sot po dëshmon në raste të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme kulturë të paktë politike.

Mund të thuhet se në këtë shtet nuk ka sistem vlerash; përkundrazi, ka shpërfillje të vlerave themelore që përcaktojnë sjelljet, gjykimet, politikën dhe diplomacinë e një shteti të lirë, të pavarur e sovran.

Mund të thuhet, madje, se leverdi të hamendësuara apo të sendërtuara bëjnë që sjelljet e këtij shteti të lëkunden përmbytshëm prej një megalomanie, siç është kiç-megalomania e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e deri te kiç-thjeshtësia e kryeministrit, Sali Berisha.

Mund të thuhet se disa nga mediat elektronike në këtë shtet, që ia kanë shitur regjimit shpirtin e institucionit informues, bëjnë edhe aso sjelljesh e veprimesh që komprometojnë fort dinjitetin e mediave të lira e të pavarura. A ka kush që nuk do ta shikojë me dyshim rrëfimin pamjesor e dëgjimor televiziv për pallatin në pikëpamje arkitekturore artistike po thuaj modest, por që lë pa frymë autorin e rrëfimit? A i ka shkuar mendja atij, duke e bërë atë rrëfim televiziv, se ndërtesat mund t’i rrënojë ndonjë tërmet, mund t’i rrënojë ndonjë bombë a akt i çmendur terrorist, por se ekzistojnë disa vlera të tjera shpirtërore të cilat nuk mund t’i rrënojnë as tërmetet, as bombat, as aktet terroriste, as njerëzit e as koha!

Nuk janë pallatet luksoze dhe eurot, ndoshta, vlera më e madhe në jetë, siç përpiqet të na bindë ky rrëfim televiziv.
Çka mund të thuhet për shpalljen e kryetarit (të paligjshëm) të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, doktor honoris causa në Universitetin Evropian të Tiranës?

Mund të thuhet shumëçka.

Mund të thuhet se universiteteve të cilat sjelljen e tyre universitare e mbështesin në vlera arsimore, kulturore, shkencore, artistike, nuk mund t’u ndodhë të shpallin doktor honoris causa një kryetar shteti zgjedhja e të cilit gjendet në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese me ankesën e partive kryesore të opozitës për shkelje të Kushtetutës së vendit me rastin e zgjedhjes së tij.

Mund të thuhet se universiteteve të tilla nuk mund t’u ndodhë të shpallin doktor honoris causa një kryetar shteti vetëm 28 ditë pas zgjedhjes së tij kryetar pavarësisht nëse është i pakontestuar apo jo në Gjykatën kushtetuese të vendit!

Për një mendje universitare, por universitare historike, që më shumë se pallatet luksoze, eurot e leverditë politike çmon vlerat kulturore, shkencore dhe artistike, nuk mund të mos jetë e pashpjegueshme, madje, e përçudshme se si Universitetit Evropian të Tiranës, madje, se si asnjë universiteti publik a privat shqiptar nuk i ka shkuar mendja të shpallë doktor honoris causa një Adem Demaç, 28 vjet burgje të të cilit për historinë kombëtare shqiptare vlejnë më shumë sesa pallate, më shumë sesa miliona dollarë a euro, më shumë sesa karrierat politike, por u shkon mendja të shpallin doktor honoris causa vetëm njerëz të politikës, që sot janë e nesër harrohen si të mos kishin qenë.

Për një mendje universitare, por universitare historike, që më shumë se leverditë politike çmon vlerat kulturore, shkencore dhe artistike, si vlera historike, nuk mund të mos jetë e pashpjegueshme, madje, e përçudnueshme se si Universiteti Evropian i Tiranës, se si Universiteti Publik i Tiranës, se si asnjë universiteti të Shqipërisë nuk i ka shkuar mendja të shpallë doktor honoris causa asnjë albanolog dhe asnjë krijues tjetër të shkencave a të arteve në Kosovë?

Nuk ka dyshim se Adem Demaçi mund të jetojë gjatë e mirë, në qoftë se fati ia cakton ashtu, edhe pa atë honoris causa të Universitetit Evropian të Tiranës, a të cilitdo universitet tjetër shqiptar apo të cilitdo universitet tjetër në botë.

Nuk ka dyshim se Adem Demaçi, albanologë të tjerë dhe krijues të tjerë shkencorë dhe artistikë, mund të jetojnë gjatë e mirë, në qoftë se fati ua cakton ashtu edhe pa tituj të tillë, por mos do të ishte më mirë për historinë e kulturës kombëtare shqiptare, mos do të ishte më mirë për integrimet e shqiptarëve e të kulturës kombëtare shqiptare, mos do të ishte më mirë për bashkimin e kombit shqiptar që më parë se karrierat kalimtare politike, të nderohen krijuesit e atyre veprave, dhe të atyre vlerave pa të cilat ky integrim dhe ky bashkim nuk mund të bëhet as kur duhet, as si duhet dhe as si është në interesin historik të popullit shqiptar.

Fjalimi historik në Kuvendin e Shqipërisë
Aq sa do ta ketë befasuar Behgjet Pacollin apologjia për pallatin e tij, aq sa do ta ketë befasuar Behgjet Pacollin shpallja e papritur doktor honoris causa në Universitetin Evropian të Tiranës, aq do t’i ketë befasuar edhe zyrtarët dhe titullarët e Tiranës fjalimi që do të mbajë ai, Behgjet Pacolli, në Kuvendin e Shqipërisë.

Dhe, si të mos i befasojë?

Ky fjalim pa dyshim do t’i ketë befasuar edhe zyrtarët dhe titullarët e Prishtinës.

Ky fjalim, ndërkaq, do ta befasojë edhe Rexhep Qosjen dhe do ta befasojë sepse me idetë dhe me mendimet kryesore të tij ishte fjalim si ta kishte shkruar vetë ai.

Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Behgjet Pacolli tha çka në këtë Kuvend nuk ishte dëgjuar prej kohës së Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit dhe Fan Nolit. Prej kohës së këtyre tri figurave të mëdha të historisë kombëtare, kryetari i Republikës së Kosovës, i kontestuar si i paligjshëm në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, që shtatë ditë më vonë, pikërisht më 28 mars, edhe do të shpallet i paligjshëm për shkak të zgjedhjes së paligjshme në Kuvendin e Kosovës, do të mbajë ashtu fjalimin e parë historik në Kuvendin e Shqipërisë pas vitit 1991.

Dhe, ky fjalim mund të quhet historik për më shumë arsye.

Prej vitit 1991, në Kuvendin e Shqipërisë ishin dëgjuar fjalime, që kishin të bënin vetëm me Shqipërinë shtetërore dhe, kur e kur, shkurt, me Kosovën, dhe me shqiptarët në Maqedoni e në Mal të Zi. Të gjitha planet dhe të gjitha pamjet (vizionet) politike të titullarëve shqiptarë ishin plane dhe pamje për shqiptarët dhe për Shqipërinë e kufijve të vitit 1912-1913. Ishin këto fjalime të zyrtarëve dhe të titullarëve, në të vërtetë fjalime të burokratëve, të cilët mendojnë dhe shprehen vetëm për ato që shohin dhe për ato që bëjnë: fjalime mendimepakta, shikimengushta, zemërvogla. Ishin këto fjalime të burokratëve që qe 20 vjet luftojnë mes vete për poste e privilegje që sjellin ato poste, por që nuk janë në gjendje as të mendojnë as të kenë pamje (vizion) si do të duket populli i tyre, kombi i tyre, pas një viti e lëre më pas pesë, dhjetë a njëzet vjetësh! Ishin këto fjalime shqiptuesit e të cilave përpiqeshin, në radhë të parë, të mos thoshin diçka (gjithëkombëtare), që mund të mos e pëlqenin ata faktorë ndërkombëtarë, të cilët më parë se për një dëshirojnë të flitet për dy kombe shqiptare!

Fjalime të këtilla, tipike burokratike, titullarët kryesorë të Shqipërisë shtetërore, kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi, dhe kryeministri Sali Berisha do të mbajnë edhe në Kuvendin e Kosovës, madje, edhe në Universitetin e Prishtinës, me rastin e shpalljes së tyre doktorë honoris causa!

Fjalime të tilla, burokratike, shikimengushta, do të mbajë edhe shkrimtari prej të cilit kjo nuk pritej – shkrimtari Ismail Kadare me rastin e shpalljes anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, me rastin e shpalljes doktor honoris causa i Universitetit të Prishtinës dhe me rastin e shpalljes së dytë doktor honoris causa në Kosovë – me rastin e shpalljes doktor honoris causa në Universitetin Amerikan të Kosovës!

Dhe, pikërisht këtë traditë tragjike të fjalimeve të çastshme shikimengushta në Kuvendin e Shqipërisë, do ta thyejë për herë të parë njeriu prej të cilit kjo pritej më së pakti: do ta thyejë biznesmeni dhe kryetari (i paligjshëm) i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Behgjet Pacolli në Kuvendin e Shqipërisë nuk do të flasë siç qe njëzet vjet flasin zyrtarët dhe titullarët e Shqipërisë shtetërore: nuk do të flasë veçmas për Shqipërinë shtetërore e veçmas për Kosovën. Behgjet Pacolli në Kuvendin e Shqipërisë nuk do të flasë as siç kishin folur paraardhësit e tij, kryetari i Kosovës kur Kosova ende nuk ishte shtet, Ibrahim Rugova, dhe kryetari i Kosovës kur Kosova ishte shtet, Fatmir Sejdiu: nuk do të flasë veçmas për Shqipërinë shtetërore dhe veçmas për Kosovën.

Behgjet Pacolli, i pazënë prej ideologjisë komuniste staliniste prej së cilës kishin qenë të pushtuar titullarët e Shqipërisë shtetërore, sidomos Sali Berisha dhe prej ideologjisë komuniste titiste prej së cilës kishin qenë të pushtuar dy titullarët e Kosovës, do të flasë për shqiptarët si një tërësi, si një komb, do të flasë për gjeografinë, historinë, gjuhën, kulturën e njësishme të kombit shqiptar. Mund të thuhet kështu, pikërisht kështu, sepse Behgjet Pacolli do të rrëfejë se çka, çfarë institucionesh të përbashkëta politike, ekonomike, bujqësore, energjetike, arsimore, kulturore e të tjera do të duhej të krijojnë Shqipëria shtetërore dhe Kosova me qëllim që populli shqiptar të ekzistojë, të funksionojë, më në fund, si një Komb Modern. Dhe pamjen (vizionin) e tij historike, gjithëkombëtare, do ta përmbyllë me pohimin historik: ARDHMËRIA E POPULLIT SHQIPTAR ËSHTË BASHKIMI KOMBËTAR.

Derisa kryetari (i paligjshëm) i Republikës së Kosovës, biznesmeni, Behgjet Pacolli, po e përmbyllte fjalimin e tij jetësor, që do ta nderojë përgjithmonë, duke ua mbajtur ashtu një leksion politik historik burokratëve të Tiranës, gjuhën e të cilëve aq tmerrshëm e kanë shkretuar fjalët parti, e djathtë, e majtë, grushtshtet, puç, mazhorancë, zgjedhje, korrupsion, privatizim, trafikim i qenieve njerëzore, media elektronike, fitore, disfatë, bllokmenë, e të tjera, e të tjera, unë shihja në televizionin që po shikoja se sa shumë ishin zmadhuar sytë e dëgjuesve të tij në Kuvendin e Shqipërisë. Si të mos zmadhoheshin? Ata po dëgjonin çka nuk kishin ditur të mendonin, sepse po dëgjonin çka nuk kishin ditur as të ëndërronin! Asgjë e çuditshme: edhe mendimet, edhe ëndrrat e tyre për të sotmen dhe për të ardhmen e kombit shqiptar mendojnë se përcaktohen tjetërkund!

Për këtë arsye nuk është e çuditshme pse fjalimi historik i kryetarit (të paligjshëm) të Republikës së Kosovës në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Behgjet Pacolli, do të heshtet si të mos ishte mbajtur në numrin më të madh të mediave shqiptare, në mënyrë të veçantë në mediat e vëna ne shërbim të regjimit autoritar të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë.

Fatmirësisht, ato që i hesht dhuna e burokracisë së regjimeve autoritare ato aq më me përkushtim i rikujton dhe i sendërton historia.

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org

(marre nga gazeta PANORAMA)

Gjithashtu mund te lexoni

Komentoni

Terre des hommes Albania

Zbulime të pakëndshme: Frankfurter Allgemeine Zeitung për 21 Janarin

nga Pjesë nga FAZ/Karl Peter Scharz/Ina Verbica Para një vitit para kryeministrisë në Shqipëri u vranë katër demonstrues. Prokurorja që [...]

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

nga Ilirian Agolli Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të [...]

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

nga Ani Ruci Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes [...]

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

nga Ilirian Agolli Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për [...]

Ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE, të hidhet dritë e plotë mbi ngjarrjet e 21 janarit

nga Armand Mero Në Shqipëri, tre ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarjet e 21 janarit ku katër [...]

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri – Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

nga Vilma Filaj-Ballvora Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në [...]

Etiketat

Top Artikuj