Sunday, May 20, 2012

Fusnota e dialogut

Postuar nga admin me January - 27 - 2012

nga Shkëlzen Maliqi

Përfundimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të ndodhë deri nga fundi i muajit shkurt. Tashmë nuk ka asnjë të panjohur se cili do të jetë rezultati i këtij dialogu. Formula që propozon Brukseli, dhe me të cilën është pajtuar Prishtina, është përfaqësimi i Kosovës në forumet rajonale dhe ndërkombëtare me një yll pranë emrit, që do ta dallonte nga shtetet e tjera. Ky yll do të jetë shenjë e fusnotës, ku shënimi në fund të faqes do të sqaronte se Kosova nuk njihet nga disa vende të rajonit (Serbia, BeH,Greqia,Rumania). Se si do të formulohet konkretisht teksti i fusnotës ende po negociohet, por esenca e propozimit të ndërmjetësuesit është që emri i Kosovës të shënohet pa atributin e republikës. Si kundërpeshë për këtë “lëshim” në fusnotë nuk do të figurojë konstatimi, për të cilin ka insistuar Serbia, që Kosova në forumet rajonale të jetë e përfaqësuar mbi bazën e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.

Kjo formulë nuk është ndonjë shpikje magjike, është thjesht një konstatim i realitetit, sepse është fakt qëSerbianuk po e njeh pavarësinë e Kosovës, madje zotohet se këtë nuk do ta bëjë kurrë. Nga ana tjetër, edhe Rezoluta 1244 në realitetin aktual të Kosovës, praktikisht ka humbur çdo kuptim, dhe vetë Misioni si i tillë më shumë ekziston në letër, dhe jo si një garant i fundit që dëshmon sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.

Cili është qëllimi i këtij kompromisi të fusnotës? Synohet tejkalimi praktik i dualizmit që kufizon Kosovën por edhe proceset e stabilizimit dhe sigurisë në raj0n. Gjendje faktike, nëse nuk do të arrihej kompromisi, do të kushtëzonte vazhdimin e bllokadës afatgjate, ndoshta edhe me dekada, siç është rasti i Qipros, ose i dy Koreve, ose i Maqedonisë që ndërkombëtarisht nuk njihet me emrin e saj zyrtar, por me një emër tjetër të pranueshëm për Greqinë. Kur i përmendi këta shembuj, e ka edhe të tjerë, nuk po bëj paralele të vetë rasteve, secili prej tyre i ka specifikat e veta, po vetëm dua të cek se rreth njohjes së Kosovës ka dualizëm që pengon afirmimin e Republikës së Kosovës si subjekt i barabartë i së drejtës ndërkombëtare, që edhe pengon anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Tek kriza e Veriut, çështja e reciprocitetit dhe qasjet nacionaliste ndaj proceseve aktuale, shpesh harrojmë se sherri i vërtetë për avancimin e pavarësisë dhe sovraniteti qëndron edhe më tej te vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit, por edhe mosnjohja e pavarësisë nga pesë shtete anëtare të BE-së. Këto janë ato fakte të hidhura dhe pengese madhore që nuk mund t’i injorojmë, dhe janë digat që pamundësojnë vetëvendosjen dhe afirmimin e sovranitetit të plotë të shtetit të Kosovës.

Por ne, në të vërtetë, e kemi edhe një rrethanë tejet pozitive dhe premtuese në faktin që pavarësia e Kosovës është sponsorizuar nga shtetet e mëdha perëndimore, dhe tani numri i njohjeve është rritur në 85 shtete, gjë që edhe i mundëson Kosovës ushtrimin e shumicës së funksioneve të shtetit sovran duke avancuar marrëdhëniet me pjesën e botës që Kosovën e njeh si shtet. Por, në anën tjetër, janë bllokadat dhe obstruksionet e përmendura që pengojnë ngritjen e Kosovën si shtet me gjithë fuqitë që i ka potencialisht. Rusia dhe 5 shtetet e BE-së na bëjnë që të çalojmë seriozisht, ndoshta po aq sa edhe dobësitë e qeverisjes.

Për më shumë, për shkak të këtij dualizmi në raport me Kosovën, ngec edhe procesi i përfundimit të arkitekturës së stabilitetit dhe sigurisë të rajonit, dhe si pasojë edhe e zhvillimit të përshpejtuar ekonomik të Kosovës, të Serbisë dhe të vendeve tjera të rajonit. Derisa çështja e Kosovës mbetet e hapur dhe me këtë dualizëm, dhe Serbia ushqen hapur ambicien që ta rikthejë kontrollin mbi Kosovën, të gjitha mekanizmat e intervenimit ndërkombëtar dhe përpjekjet që rajoni si të tërësi të bëhet pjesë e integrimeve euroatlantike, mbeten punë e papërfunduar dhe në aspektin esencial – pezull.

Kuptohet se kompromisi i propozuar nga BE-ja nuk është ideal, dhe të gjithë faktorët tashmë i kanë shfaqur vërejtjet dhe pakënaqësitë me të. Por, me rëndësi është se ky kompromis premton ecuri dhe avancim, në vend të vendnumërimit të tashëm, madje edhe në zgjidhjen ne çështje së Veriut.

Kosova me kompromisin do të bëhet pjesë e proceseve rajonale, e barabartë në çdo aspekt, pos që nuk do ta ketë emrin e plotë në forumet ku paraqitet edhe Serbia. Në të gjitha raportet e tjera, Kosova do të figurojë si republikë. Ky avancim në raporte do të ndodhë edhe në raportet me BE-në, ku për “fusnotën” thuhet se do të formulohet pak më ndryshe. Me rëndësi është se kjo fusnotë do të mundësojë avancimin e raporteve me BE-në në çështjet jetike për ardhmërinë e Kosovës, përmbushjen e kritereve për heqjen e regjimit të vizave dhe integrimin e Kosovës në BE.

Ata që vuajnë nga simbolika dhe që kompromisin në fjalë e kuptojnë si heqje dorë nga sovraniteti i Kosovës, kryesisht vuajnë nga miopia dhe vetëmjaftueshmëria nacionaliste dhe injoranca ndaj rendit botëror aktual, me konfiguracionin e forcave fatmirësisht që e ka mundësuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por nuk ka mundur ta detyrojë më shumë se gjysmën e botës, ndër to edhe shtetet e mëdha si Rusia, Kina, India, Brazili, Spanja etj., që pavarësia e Kosovës të ketë njohje universale.

Kundërshtarët miop nuk duan ta shohin digën e madhe që pengon “vetëvendosjen” e plotë. Ata mendojnë se Kosova mund të mbajë një qëndrim më të vendosur, më dinjitoz, më kryeneç. Por, janë pak si kërkesa fëmijësh që nuk e kuptojnë botën e të rriturve, thirrjet për qëndrim më dinjitoz dhe kryeneçësi nga ana e Lëvizjes Vetëvendosja, kur ata besojnë se Kosova mund të dalë edhe me forcën e vetë nga situata e sotme duale. Kjo aq më pak mund të realizohet duke i shkuar për zët përpjekjeve të Uashingtonit dhe Brukselit që pavarësia e Kosovës të avancohet gradualisht, duke e eliminuar Rezolutën 1244, dhe detyruar Serbinë, me kushtëzimet tashmë të artikuluara qartë nga Gjermania dhe SHBA-të, që të lejohet përfaqësimi i Kosovës në forumet rajonale dhe ndërkombëtare, të hapet rruga për heqjen e statusit të pavarësisë së mbikëqyrur (kjo tashmë po projektohet), të krijohet armata e Kosovës (në këtë po punohet) dhe të detyrohet Rusia, e pastaj edhe të Serbia, që të pajtohen me realitetin në Kosovë.

Njohja e plotë dhe sovraniteti do të janë akti i fundit, kurse gjatë shkurtit do të shohim realizmin e skenarit me kompromisin e fusnotës. Ky skenar mund të prishet vetëm nëse Serbia e refuzon kompromisin, por pasojat e kësaj atëherë do t’i paguante ajo vetë dhe këto mjaft shtrenjtë. Kosova me këtë nuk ka çka humb, vetëm do të forconte përkrahjen e fuqive të mëdha. Nga ana tjetër, forcat izolacioniste në Kosovë, si p.sh. Vetëvendosjes, nuk e kanë përkrahjen e mjaftueshme dhe mobilizmin që të bëjnë obstruksionin shkatërrues.

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org

(marre nga gazeta MAPO)

Gjithashtu mund te lexoni

Komentoni

Terre des hommes Albania

Zbulime të pakëndshme: Frankfurter Allgemeine Zeitung për 21 Janarin

nga Pjesë nga FAZ/Karl Peter Scharz/Ina Verbica Para një vitit para kryeministrisë në Shqipëri u vranë katër demonstrues. Prokurorja që [...]

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

nga Ilirian Agolli Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të [...]

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

nga Ani Ruci Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes [...]

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

nga Ilirian Agolli Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për [...]

Ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE, të hidhet dritë e plotë mbi ngjarrjet e 21 janarit

nga Armand Mero Në Shqipëri, tre ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarjet e 21 janarit ku katër [...]

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri – Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

nga Vilma Filaj-Ballvora Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në [...]

Etiketat

Top Artikuj