nga Adrian Beshaj
Kur ishim të vegjël shkonim shpesh, sidomos të dielave, te çadra e madhe e cirkut të Tiranës. Ishte nga ato pak argëtime të fëmijërisë sonë në kohën e diktaturës, të cilën mezi e prisnim. Gjithë hare dhe kërshëri, nën tingujt e muzikës së orkestrës së vogël, shihnim artistët dhe numrat e ndryshëm artistikë të pasonin njëri-tjetrin: akrobatë, prestigjatorë, ekuilibristë, zhonglerë, klounë etj. Më kujtohet që me interes të veçantë prisnim daljen në arenë të zbutësit të kafshëve, mjeshtrit Tahir Baçova. Ngazëlleheshim dhe e shoqëronim me brohoritje çdo kosh të arushës Mira, rrotullimin e saj rreth vetvetes me turirin përpjetë si duke kërcyer Napolonin. E shoqëronim me habi dhe duartrokitje ngritjen mbi këmbët e pasme të qenusheve Roza dhe Diana, rrotullimin e tyre në valle, lehjet për zgjidhjen e ushtrimeve të thjeshta aritmetike që u impononte mjeshtri Baçova. Vërenim gjithashtu se pas çdo ushtrimi të kryer, zbutësi u jepte kafshëve të zellshme diçka për të ngrënë dhe na dukej se ai ushqim kishte fuqi magjike. Nuk kishte fëmijë që të mos pasionohej pas punës së palodhshme dhe plot pasion të mjeshtrit të atëhershëm Tahir Baçova. Shfaqjet e cirkut kishin goxha jehonë asokohe dhe mbushnin edhe bisedat tona fëminore. Trupa e cirkut shëtiste edhe nëpër qytetet e tjera të Shqipërisë, duke i marrë edhe kafshët me vete.
Cirku i atëhershëm dhe mjeshtri Baçova më janë kujtuar vazhdimisht, por me trishtim e dëshpërim, këto kohë në Shqipërinë e “gabimeve njerëzore” dhe “vakumeve ligjore”. Duket sikur çadra e dikurshme e cirkut i ka shpalosur fletët e saj mbi të gjithë territorin shtetëror shqiptar dhe kulmin e ka ngritur mbi Kryeministri. Jo për faktin se shoqëria e sotme shqiptare është e mbushur me pehlivanë, akrobatë, zhonglerë, klounë joprofesionistë, pasi të tillë ka pasur dhe do të ketë dhe mbase është në natyrën e racës njerëzore. Është ligështuese, madje asgjësuese, të shohësh që ndokush bën edhe rolin e zbutësit të kafshëve në mes të njerëzve. Të gjithë asistojnë të neveritur në ekzekutimin nga ana e njerëzve, juristë, gjykatës, deputetë, ministra, të urdhrave të “Tahirëve” të sotëm që jepen me një kërcitje të gishtave apo një përplasje të duarve. Të gjithë shohin se si njerëzit transportohen me autobusë nga njëri shesh në tjetrin të qyteteve të Shqipërisë për të dhënë shfaqjen e radhës të cirkut të sotëm. Me një shenjë të “Tahirit”, ndonëse pa mustaqe dhe me ngjyrë jo fort të zeshkët të lëkurës, njerëzit ngrihen në këmbë, ngrenë duart lart, hapin gojën, lartësojnë pankartat, të cilat kanë mësuar t’i mbajnë edhe në gjuhë të huaj, dhe kur zbutësi bën shenjën tjetër me dorë apo gishta, të gjithë bien në heshtje. Sigurisht që pasi i kanë kryer me sukses veprimet, zbutësi u jep shpërblimin e merituar: 500 lekë ose një copë bukë. Ka nga ata që i ekzekutojnë ushtrimet e imponuara nga mjeshtri, për objektiva shumë të larta, për shpërblime shumë më të majme: makina luksoze, vila në bregdet apo në mal etj. Por sidoqoftë, në thelb, veprimi mbetet po aq mjeran. Është e krupshme të shohësh se si kryetarë komisionesh zgjedhjesh apo komisionesh ligjesh, rrotullohen rreth vetvetes kinse duke kërcyer Napolonin me turirin lart apo bëjnë kosh kur u thonë “Tahirët” e sotëm. Deputetë, ministra, juristë, avokatë, analistë ngjiten nëpër foltore dhe e hapin gojën në kohën dhe mënyrën që ua kërkon zbutësi. Bash ashtu siç bënin qenushet Roza dhe Diana, që lehnin sipas udhëzimeve të mjeshtrit Baçova. Shpërblimi nuk mungon në asnjë rast.
Edhe zbutësit e sotëm kanë në sfond dy-tre palaço cirku, ndonjërin me kokën si të qenit të stanit dhe ndonjë tjetër si të hardhucës së gurit. Ata i mbajnë iso mjeshtrit dhe i ftojnë spektatorët të duartrokasin.
Shumë vetë thonë se varfëria i përligj të gjitha. Por në botë ka pasur, ka dhe do të ketë njerëz edhe më të varfër se shqiptarët veçse jo pa dinjitet. Nëse njeriun e zhvesh edhe nga dinjiteti e personaliteti besoj se raca njerëzore ka çikur fundin.
Mbase prandaj prona nuk ka shkuar ende në duart e atij që e ka pasur dhe që iu mor padrejtësisht pas Luftës së Dytë Botërore, pikërisht për të pasur këtë lloj cirku. Mund të jetë kjo arsyeja që edhe ish të dënuarit politikë nuk janë dëmshpërblyer edhe pas 20 vjetësh, për t’i pasur si spektatorë në shfaqje ose edhe si objekt të zbutjes. Përndryshe secili do të shikonte punën e vet duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Kam dëshirë të besoj se kjo gjendje gjërash nuk do të vazhdojë pafundësisht. Edhe arusha Mira shpesh nxehej dhe nuk i kryente ushtrimet që i impononte mjeshtri. Ndoshta nga lodhja, ngaqë s’ishte ngopur apo ngaqë s’kishte pëlqyer ushqimin. Kështu që edhe shqiptarët e sotëm, nëse nuk u ka ardhur në majë të hundës deri tani, shumë shpejt do të zbrazen, sepse s’do t’u mjaftojë më shpërblimi mjeran apo edhe më keq do t’u bjerë mbi kokë zemërimi i atyre të cilëve paratë u janë marrë padrejtësisht.
Tashmë pothuajse të gjithë e kanë kuptuar se përse shqiptarët nuk mund të zhvillojnë dot zgjedhje si Danimarkë. Jo, sepse nuk dinë të shkojnë nëpër qendrat e votimit, jo sepse nuk dinë të vendosin një kryq apo një plus në katrorin përkatës, jo sepse nuk dinë ta palosin fletën e votimit dhe ta fusin në të çarën e kutisë së votave. Jo, jo, aspak. Ndryshimi është se nëse në Danimarkë votojnë për njerëz, njerëz me kulturë, me ide, vizion, atdhedashuri dhe vullnetmirë për të rritur nivelin dhe cilësinë e jetës së bashkatdhetarëve të tyre, në Shqipëri qytetarët e zakonshëm shqiptarë votojnë për njerëz pa kurrfarë kulture dhe vizioni, për disa zhvatës të rëndomtë, për pothuajse mafiozë pa kurrfarë dashurie për kombin dhe tokën e të parëve të tyre. Thjesht për disa klounë, çakej dhe hiena, që dinë vetëm të vjedhin e të rrjepin dhe të kacagjelosen në sytë e bashkëkombësve, duke sajuar më pas edhe origjina prej dyersh të mëdha dhe familjesh të fisme shqiptare.
E solla këtë që sipas meje është një ngjashmëri, për të ripohuar edhe një herë se shqiptarët, ashtu sikurse edhe të gjitha kombet e tjera që gjallojnë në planetin e populluar nga qeniet njerëzore, nuk e meritojnë këtë trajtim, aq më pak nga tre-katër palaço cirku të patalentuar që herë sillen si fashistë dhe herë si bosë mafiozë dhe që për fat të keq kanë të njëjtën kombësi me ta.
Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org
