Sunday, May 20, 2012

Historia e artë që duhet ta ndriçojmë

Postuar nga admin me April - 8 - 2011

nga NDRIÇIM KULLA

 

Njëra nga periudhat më të rëndësishme ku duhet të ushtrohet penda e rishkrimit të historisë sonë, është ajo e Shqipërisë në raport me Venedikun ose e thënë më saktë, e historiografisë së marrëdhënieve shqiptaro-veneciane, duke përfshirë këtu edhe raportet me Skënderbeun. Janë botuar, sidomos në vitet e fundit, një sërë librash të rëndësishëm që hedhin mjaft dritë në këtë periudhë, ndaj do të qe e vlefshme të radhisnim disa nga pikat më kulmore ku mund të shtrihen studimet e të ravijëzohen interpretimet.

Historianë të papërgatitur apo historianë shumë idealistë, deri më sot kanë arritur t’i mohojnë limitet e arsyeshme të asaj që mund të pretendohet për ideale nga një Republikë që e zotëronte fuqinë e vet falë tregtisë së jashtme më shumë sesa pranisë ushtarake; nga një Republikë që qindra herë u shty në luftë për mbrojtjen e Europës e qindra herë u la e vetme përballë rrezikut.

Shumë prej tyre janë treguar të skandalizuar për regjimin e vjeljes së taksave, të ushtruara sidomos në regjimin e vend-qëndrimeve venete gjatë shek. XV në Shqipëri; Shumë të tjerë kanë arritur të stigmatizojnë braktisjen e Krujës dhe të Shkodrës, bashkë me plogështinë e së paqtës “Zonjë” të rrënuar nga fuqia, që s’vendosi kurrë të shpaguhej. Nuk mund ta kursejmë një keqardhje të thellë ndaj saj për marrëveshjen shumë pak të ndershme me turqit, në periudhën e luftës së tyre me Skënderbeun për zotërimin e Danjës. Por nuk mund të imitojmë aspak ata lloj historianësh që, për të demonstruar vlerën e tyre kritike, mohojnë çfarëdo lloj besueshmërie të biografive të vjetra të heroit shqiptar, duke i gjykuar ato si shumë të përzemërta me Republikën Venete, për ta ngjyruar atë si armiken e tij të përjetshme dhe të pabesë. E kjo, për faktin se janë zbuluar tashmë mjaft dokumente që bashkëprovojnë vlerësimin e përhershëm dhe bashkëpunimin reciprok midis Kastriotit dhe Venecias, pavarësisht fërkimeve të vogla dhe dyshimeve të natyrshme. E në fakt, pa Venecian, që e mbronte dhe e mbështeste nga krahët, Skënderbeu nuk kish për të rezistuar aq gjatë; ashtu si pa Skënderbeun që i krijonte përpara saj një mur pritës, Venecia kish për t’i humbur vendqëndrimet në Shqipëri shumë përpara.

Janë pikërisht prurjet e reja të dokumenteve arkivore ato që hedhin poshtë kritikat dhe vlerësimet e shumë historianëve. Është pikërisht dëshmia e përhershme e popullit shqiptar ajo që e përgënjeshtron, e më konkretisht fakti se “mikja e vjetër” dhe mbrojtësja e Shqipërisë mbeti gjithmonë porti ku ankoroheshin shpresat e shqiptarëve e prej të cilit niseshin pareshtur ndikime të pamatshme, por thellësisht të gjalla të frymës perëndimore, kundrejt një kombi historik evropian, mbi të cilin kish rënë nata.

Ndaj provave të shkujdesjes dhe bujarisë veneciane, popullsia shqiptare nuk u tregua kurrë as e pandjeshme, as e pakujtesë. Janë vërtet mallëngjyese shprehjet e besimit dhe besnikërisë që lexohen nëpër “kapitujt” dhe dokumentet veneciane për komunitetin e qyteteve shqiptare; e akoma dhe më shumë mallëngjyese, provat e heroizmit të treguar në gueriljet e pareshtura kundër rebelëve sllavë apo në luftërat e tmerrshme kundër pushtimit turk. Është për t’u nënvizuar këtu devocioni gati njëshekullor i himariotëve për Venecian, duke i furnizuar shpesh ushtritë e saj ose për t’i përdorur nëpër luftëra të ndryshme, ose për t’i dhënë goditjen vendimtare Perandorisë Osmane.

Pas kësaj paranteze të paraqitjes historiko-njerëzore të marrëdhënieve shqiptaro-veneciane, le të shtrojmë dy pyetje a çështje, që do të qe mirë të shënjoheshin qartë. Po cili qe vallë qëndrimi i Venecias në kauzën e pavarësisë shqiptare? Cili qe vallë ndikimi i saj në mbijetesën e mrekullueshme të sentimentit nacional të shqiptarëve?

Dokumentet shqiptare dhe papnore të kohës janë të gjitha një dëshmi e gjallë e vlerësimit, ngrohtësisë dhe dashamirësie për Venecian, që mbretëronte në popullsinë shqiptare. Duke përmbledhur, mund të themi se pavarësisht nga dekadenca, nga luftërat e shpeshta në tokë dhe braktisja e fuqive të mëdha evropiane, ajo përsëri vazhdoi t’i mbante gjallë shpresat e kristianëve të Lindjes, me 11 luftëra kundër turqve për plot 64 vjet, nga 318 që u zhvilluan gjithsej që nga humbja e Shkodrës, deri në rënien e Republikës Venete, pa llogaritur këtu betejat e shpeshta detare me piratët; pra një herë në çdo 5 vjet, e plogështuara “Zonjë” bënte luftë me turqit.

Qytetërimi, kultura, përsosuria e industrisë dhe financat e forta, të konkretizuara në një monedhë të sigurt, kishin arritur të linin në shekuj, një mendim të shkëlqyer të Venecias në Shqipëri, njëlloj si të një ideali. Në gjuhën popullore shqiptare, malli i përsosur, njeriu i mirë e i ndershëm etiketoheshin si “venecianë”.

Venecia qe dhe vatra më e gjallë e kulturës shqiptare, madje e kulturës më të vërtetë e më autentike shqiptare. Antike është dyndja e studentëve shqiptarë, veçanërisht atyre kishtarë, në universitetin venecian të studimeve në Padova; në kohën e tij, punoi aty si profesor edhe humanisti i shquar shkodran Marin Beçikemi. Madje, do të qe fortësisht i dokumentuar interesimi i venecianëve për kulturën shqiptare, nëpërmjet skicimit të një bibliografie të veprave të botuara përgjatë sundimit venecian në shekuj, madje në periudha të tilla ku një libër i kulturës shqiptare ishte diçka e rrallë. Në këtë dritë, termi konvencional “Shqipëria Venedikase”, i përdorur nga shumë studiues, ka në bazë të vërtetën e madhe, që qytetet shqiptare të bregut lindor dhe Venediku kanë pasur shumë elementë të përbashkët të jetës qytetare, politike, ushtarake, ekonomike, madje dhe artistike. P.sh., një e dhënë historike flet se në Venedik, shqiptarët qenë më të mirët specialistë të kapeleve. Po njëlloj, ata qenë shumë të njohur edhe për prodhimin e arkivoleve, si muratorë, skalitës, furrtarë, argjendarë e deri teknikë për matjen e vëllimit të barkave. Po veçanërisht të njohur ata qenë në prodhimin e xhamit, madje përmendet një farë Nikolla Biagi si pronar i fabrikës më të madhe të xhamit në Murano, qendra e xhamit venedikas të shek. XV.

Duke dëshiruar që të gjitha këto dije, të një lloji të ri për historinë tonë, të bëheshin sythe të një studimi më të thelluar, për ato çështje ku domumentacioni është i plotë dhe i mjaftueshëm shkencërisht, do të donim të bëhej një përshkrim rinovues edhe në tekstet tona të historisë në shkollat dhe auditorët tanë, ku është djepi i vërtetë i së ardhmes shqiptare. Këto institucione duhet ta njohin medoemos këtë raport të jetës shqiptare, me një pjesë nga më të përparuarat dhe të iluminuarat e Europës së atëhershme, sepse kjo na ndihmon ta njohim më mirë edhe raportin tonë me vetveten. Por duhet të nënvizojmë pasurinë e jashtëzakonshme që ka fituar historiografia jonë dhe tabloja e jetës shqiptare, nga dokumentet e zbuluara e të botuara mbi këto marrëdhënie, por nga ana tjetër, edhe faktin se studimet për të ashtuquajturën Shqipëri Venedikase janë veçse në një fillim. Madje, ajo që dhemb më shumë është se nuk kemi të bëjmë aq shumë me përpjekje hulumtuese, se sa përpjekje botuese. Mund të japim si shembull veprën madhore 25 vëllimshme të Zef Valentinit me titull “Akte shqiptaro-venete të shekullit XIV-XV”, një arkiv monumental prej 4000 dokumentesh, i shtrirë nga viti 1301 deri më 1447, fortësisht shkencor, që paraqitet pa diskutim si panorama më e plotë dokumentacionare që ekziston deri më sot për një periudhë të historisë së Shqipërisë. Zhbirimi i tyre do të na sillte besoj mjaft të papritura, siç mund të qenë p.sh., fjalët e veçuara të futura nëpër dokumentet latine e venedikase, të botuara nga Zef Valentini me titullin “Në parahistori të shqipes”, pra të gjetura shumë më herët se sa dëshmitë e ekzistencës së shkrimeve shqip. Për të gjitha këto arsye, ky monument i historisë sonë duhet të gjejë edhe mbështetjen e vullnetit politik (nëpërmjet ndihmës financiare dhe strukturore të organizimit të një nisme të veçantë për këtë botim) në mënyrë që ai të kapërcejë vështirësinë e të qenit i shkruar në gjuhën latine e të bëhet tashmë i disponueshëm për historianët dhe studiuesit e të gjitha fushave. Ja, kjo do të qe vërtet një ndihmesë e çmuar dhe konkrete për rishkrimin e historisë sonë, për këtë periudhë sa të panjohur aq edhe të veçantë të historiografisë shqiptare.

Po, nëse marrëdhëniet shqiptaro-veneciane dhe ato të historisë së Skënderbeut tashmë janë kristalizuar, nuk kanë pasur të njëjtin fat marrëdhëniet shqiptaro-veneciane të periudhës para-skënderbegiane, goxha sugjestionuese në ekzistencën e asaj periudhe të stërgjatë të “Albania felix” të shek. XV, siç konsiderohet nga historianët, apo dhe më hershëm në shek. XIV, të cilësuar nga Fallmerajeri si koha e “Manifestimit shqiptar”. Shqipëria e mesjetës së vonë na paraqitet si një vend kulture e me një jetë kishtare goxha të zhvilluar, me aq shumë kuvende e manastire, si ndër katolikë, ashtu dhe ortodoksë, si jashtë, ashtu dhe brenda qyteteve; por edhe këtu mund të veçojmë një mangësi të caktuar studimesh; nëse për kuvendet katolike të Veriut, studimet kanë shkuar shumë përpara (kemi prova të kuvendeve të moçme të benediktinëve që në shek. XII, të zëvendësuara më pas nga domenikanët dhe franceskanët në shek. XIII), për historinë e manastireve ortodokse të Shqipërisë së mesme e jugore, nuk rezultojnë të tilla studime. Në këtë kuptim, kjo mbetet një pyetje për t’u shtruar në historiografinë tonë.

Se ç’jetë kulturale kishin katedralet e shumta apo manastiret dhe abacitë e shpërndara në të gjithë vendin, në shekujt përpara invazionit turk, nuk na është bërë e mundur të njihet; nuk dimë as se ç’ndikim patën në këtë jetë ipeshkvit e ditur të rangut të një Guillelmus Adae apo të një Giovanni da Pian di Carpine, arqipeshvi i Tivarit; as oborret e princërve të pajisur me një kulturë të rafinuar, siç qe ai i Napolit apo ambientet intelektuale të Venecias (duke pasur parasysh se ajo pati sunduar shumë zona të Shqipërisë gjatë shek. XIV e XV).

Të gjitha këto janë pyetje për historiografinë tonë. Ndikimi i këtyre qarqeve, kësisoj mundet veçse të aludohet dhe të justifikohet logjikisht, ndërkohë që është goxha i dokumentuar nëpër arkiva ndikimi i disa qyteteve të kultivuara latine të asaj kohe, të shndërruara në qendër të vëmendjes për studiozët e rinj shqiptarë.

Madje, është më se e provuar me dokumentet e prurjeve të reja, se Shqipëria veriore e ka pasur një periudhë kohe në shekullin XIV, kur ka ushqyer me kler edhe trevat më në veri të saj, gjer në qytetet e Dalmacisë. Por, këtij zhvillimi kishtar, rrjedhimisht dhe të kulturës latine, iu përgjigj edhe një zhvillim institucional, që provohet gjerësisht me hulumtimet e botuara sërishmi nga arkivat e Venecias, jo vetëm mbi regjimin e vend-qëndrimeve veneciane në Shqipëri gjatë shekullit XIV-XV, por kryesisht me statutet e qyteteve të asaj kohe të shtrira në këtë territor. Gjatë kësaj periudhe, është fakt se nisën të lulëzonin një tok qytetesh, që paraqiteshin të gjitha si seli peshkopatash, ku ipeshkvit ushtronin zakonisht edhe autoritetin qeveritar. Dokumentet e reja që kanë filluar të njihen, të bollshme, por jo të plota, kanë sektorë të veçantë që na rezultojnë të kënaqshëm, për aq sa mund të veprojmë në një rindërtim shumë të ngjashëm dhe të mundshëm të realitetit të kohës. Në këtë mori tekstesh dhe kapitujsh të disponuara në arkivat veneciane, nisur nga larmishmëria, natyra dhe karakteristikat e kërkesave e veçanërisht nga pandryshueshmëria e disa prej tyre, ne mund të flasim në mënyrë rigorozisht shkencore mbi mentalitetin politik dhe administrativ të Shqipërisë së asaj periudhe. Nga pikëpamja e arkeologjisë p.sh., mund të thuhet se monumentet mbishkrimore apo të arkitekturës, por edhe të artit të epokës venedikase në Shqipëri, në bregun lindor të Adriatikut ende nuk janë studiuar dhe nuk janë venë në qarkullim shkencor. Nga këto mund të dalin fakte përforcues për njohjen e asaj periudhe, le të themi “të artë” për Shqipërinë, madje dhe befasuese siç janë p.sh., disa emblema me reliev të luanit të Shën Markut, të gjetura edhe në Berat e Gjirokastër, përtej kështjellave tashmë të njohura të bregut lindor me vulën e përcaktuar të kulturës venedikase.

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org

(marre nga gazeta PANORAMA)

Gjithashtu mund te lexoni

Komentoni

Terre des hommes Albania

Zbulime të pakëndshme: Frankfurter Allgemeine Zeitung për 21 Janarin

nga Pjesë nga FAZ/Karl Peter Scharz/Ina Verbica Para një vitit para kryeministrisë në Shqipëri u vranë katër demonstrues. Prokurorja që [...]

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

nga Ilirian Agolli Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të [...]

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

nga Ani Ruci Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes [...]

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

nga Ilirian Agolli Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për [...]

Ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE, të hidhet dritë e plotë mbi ngjarrjet e 21 janarit

nga Armand Mero Në Shqipëri, tre ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarjet e 21 janarit ku katër [...]

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri – Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

nga Vilma Filaj-Ballvora Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në [...]

Etiketat

Top Artikuj