Sunday, May 20, 2012

Kaosi i votave që bllokoi Tiranën

Postuar nga admin me May - 24 - 2011

nga Lorenc Vangjeli

Një javë që pati gjithçka nga Shqipëria e zakontë, zakonisht anormale: hendek mes palësh, vota të dyshuara, ndeshje televizive mes protagonistësh, protesta dhe përleshje në rrugë me policinë. Të premten, raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it jep diagnozë të rëndë për standartet e zgjedhjeve në Shqipëri, duket se shqiptarët kanë humbur të gjithë. Zgjedhjet sërish nuk garantuan standartet.

Java në Tiranë rrjedh më shpejt sesa kronika. Çfarë është lajm i ri në mëngjez, në mesditë është lajm arkivi dhe çfarë ndodh në mesditë, në mbrëmje është fshehur nën dhjetra lajme të tjera që pasojnë njëri-tjetrin. Lajmi i fundit fatkeq, fatkeqësisht i paralajmëruar që në momentin kur nisi procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të tetë majit, është se Shqipëria edhe kësaj here nuk mundi të realizojë standartet evropiane të zgjedhjeve. Shqipëria rihyri dhe njëherë brutalisht në listën e vendeve në krizë politike duke ngulitur konceptin e ndërkombëtarëve: “Këta nuk ndryshojnë”! E thënë në këtë mënyrë duket se e gjithë klasa politike është njëlloj fajtore, por në terren konkret, fajtori kryesor për atë që po ndodh nuk është as PD-ja, as PS-ja, as dy kandidatët në garë për Tiranën, kryetari socialist Edi Rama dhe ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha, madje fajtor nuk është as Arben Ristani, jeniçeri zemërak i KQZ-së. Fajtori ka një emër, ai quhet Sali Berisha, ka një adresë, godina e Këshillit të Ministrave, Bulevardi Dëshmorët e Kombit.
Kryeministri aktual është njeriu që shkatërroi institucionin e zgjedhjeve që në vitin e largët 1996 dhe që atëherë, ky institucion, ka ecur sipas parimit të gaforres, para dhe anash dhe jo drejt objektivit. Kështu ka ndodhur edhe në 1997, edhe në 2001 kur zgjedhjet i organizuan socialistët, edhe në 2005, kur procesi u pranua nga palët për arsye politike, edhe në 2009, kur procesi ishte tërësisht i helmuar nga dyshimet reciproke, nga klima e tendosur para dhe pas garës dhe nga numërimi i keq dhe shumë i keq i vullnetit të votuesit shqiptar. Zoti Berisha ka qenë edhe autor i vrasjes së zgjedhjeve, edhe viktimë e vrasjes së tyre nga të tjerë.

Lëmshi juridik
Nuk është problem juridik, por çështje e vullnetit politik. Në rrëmujën e pjesës së parë të javës së kaluar, u krijua përshtypja se me vështirësi dhe me “mik” Shqipëria e kaloi Rubikonin dhe doli matanë bregut të zgjedhjeve të ndershme dhe të lira, gjithmonë sipas konceptit shqiptar dhe jo evropian për to. Deri të mërkurën në mbrëmje, palët, siç pritet gjithmonë pas zgjedhjeve lokale, kishin dalë dhe pretendonin të dyja se kishin dalë fituese. PS ishte rikonfirmuar sërish në shumicën dërmuese të qyteteve të mëdha, përfshi edhe bastione domethënëse të kundërshtarit, PD kishte marrë shumicën e komunave, PS kishte dalë mbi 100 mijë vota mbi rezultatin e kundërshtarin, PD kishte fituar rreth 140 mijë vota në koalicionin që e udhëhiqte ajo. LSI e Ilir Metës, për të cilën të gjithë kishin vënë bast se do të zhbëhej si parti, realizoi një rezultat më të lartë edhe se në zgjedhjet e 2009-ës, PDIU e Shpëtim Idrizit siguron në ndeshjen e parë një rezultat spektakolar dhe jashtë parashikimit, PR e Fatmir Mediut, që kujtohet vetëm në simbiozë me tragjedinë e Gërdecit, mundi të tejkalojë edhe ajo pritshmëritë optimiste. Gjithkush që ishte në garë mund të gjente lehtësisht argumenta që të provonte kishte fituar. Vetëm Tirana, pesha e rëndë e kryeqytetit që do të prishte këtë balancë, ishte ende në “dilemë”. Në rezultatin e shpallur live nga të gjitha ekranet e TV-vë, Edi Rama kishte arritur fitoren për herë të katërt me dhjetë vota me peshën dhe vlerën e diamantit, kurse Lulzim Basha kishte fituar të drejtën që të “qeveriste” në një të nesërme PD-në. Në mbrëmjen e të mërkurës ka ndodhur diçka që nuk është bërë ende publike. Njeriu që ka përzierë letrat në këto 20 vjet pluralizëm, befas ndryshoi mendje dhe dha sinjalin e parë publik se ajo që kishte ndodhur në fund të numërimit të votave në njësinë pesë nuk kishte qenë e vërtetë. “Votat e hedhura në kutinë e gabuar duhet të numërohen”! Pak më parë, në të njëjtën mbrëmje, vetë Ristani i KQZ-së kishte paralajmëruar se do të shpallte fitues Ramën “sa më shpejt që të ishte e mundur” dhe mendohej se një gjë e tillë do të ndodhte të enjten. Ambasadorët e huaj, shpëtimtarët e asaj çfarë po tretej me shpejtësi nga një proces që kishte nisur të helmohej sipas zakonit, ishin garantët e “paktit”, por kjo gjë nuk ndodhi. Pakkush mund të thotë pse, por gjithkush e di që kthesa u morr në zyrën e vetë kryeministrit.

Votat, të kontestuara, të pavlefshme
Rezultatet paraprake jozyrtare që KQZ-ja i dha OSBE/ODIHR-it tregonin se zoti Rama kishte 10 vota më shumë se zoti Basha (përkatësisht 124,623 dhe 124,613 vota). Rama shpalli menjëherë fitoren, ndërsa Basha tha se do të priste rezultatet zyrtare nga KQZ-ja. Më pas, zyrtarë të PD-së, përfshirë Kryeministrin Sali Berisha, i kërkuan KQZ-së të konsideronte si vota të vlefshme për kryetar bashkie të Tiranës ato që u gjetën gjatë numërimit për zgjedhjet për kryetar minibashkie”, garantojnë garantët e huaj të procesit zgjedhor në Shqipëri.

“Filli” u gjet dhe ky ishte thelbi, për detajet kujdesej një armatë juristësh të cilëve ju vihej në krye vetë Arben Ristani. Filli u bë lëmsh juridik dhe leshnaja ballkanike e Tiranës u plotësua tërësisht. Deputetët socialistë bllokuan sallën e KQZ-së dhe më pas, edhe simpatizantët e opozitës bllokuan rrethimin e jashtëm të KQZ-së. 21 janari dhe kujtimi i tij i përgjakshëm është ende shumë pranë dhe forca të ndërhyrjes së shpejtë dhe qindra policë të rendit u vunë në mes të demonstruesve dhe mureve të Pallatit të Kongreseve. Tabloja e zymtë paszgjedhore u plotësua me episode të dhunës të ushtruar nga policia, me pjesmarrjen e paligjshme të armatimit personal të saj në brez dhe me një valë protestash që tensionuan vendin nga veriu në jug. Dy kandidatët në garën që normalisht kishte përfunduar, Rama dhe Berisha bënë luftë deklaratash në distancë dhe palët dukeshin më të distancuara se kurrë. Kriza politike e krijuar që mbas zgjedhjeve të helmuara me dyshime dhe të pahetuara të 28 qershorit 2009, thjesht vetëm u thellua. Votat e kontestuara, vota të gjetura në kutinë e gabuar, nisën të numërohen në tavolinën e KQZ-së, por ato kishin pasur shumë probleme. Ishin vetëm një pjesë e votave që kishin pasur të njëjtin fat, por trajtim të ndryshëm. Dhe ky ishte një nga standartet e shumtë të dyfishtë të përdorur nga KQZ-ja. E cila po sillej në kundërshtim me traditën, kur vota të tilla më parë, edhe nga OSBE/ODIHR-i ishin shpallur të pavlefshme.

“KQZ-a, në rastin e Tiranës vepron dhe si komision zonal”, pretendohej nga mbrojtësit e Ristanit, “KQZ thjesht bën shumatoren aritmetike të tabelave të njësive në Tiranë”, pretendonin kundërshtarët e tyre. Por mbi gjykimin e palave, ngrihet edhe vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Konventa evropiane e të drejtave të njeriut. Në momentin që KQZ sillet si KZAZ, pala e pakënaqur detyrohet të ankimohet për të vetëm në Kolegjin Zgjedhor duke u privuar në këtë mënyrë nga një shkallë ankimimi, e drejtë kushtetuese kjo. Dhe po kështu, e drejta e aksesit në gjykatë, e drejta e ankimimit dhe e drejta e shqyrtimit të çështjes nga një organ i krijuar me ligj, në një rast të tillë shuhet. Pra, shkelet konventa evropiane.

Historia e fletëve të votimit të shpallura që në krye të herës së pavlefshme, është pastaj një histori më vete. “Kodi Zgjedhor nuk parashikon drejtpërdrejt vlefshmërinë e fletëve të votimit gjetur në një kuti votimi, të ndryshme nga ajo që i korrespondon llojit të zgjedhjes për atë fletë. Ai as nuk parashikon ndonjë procedurë për vlerësimin e fletëve të votimit të gjetura në kuti të tjera. Nuk kishte asnjë vendim apo udhëzim nga KQZ-ja për këtë çështje përpara ditës së zgjedhjeve dhe as manuali i miratuar i KQZ-së nuk e trajtonte këtë çështje, ndonëse në zgjedhjet e kaluara vendore, fletët e votimit të hedhura gabim përbënë problem. Anëtarët e grupeve të numërimit ishin trainuar për t’i konsideruar fletë të tilla votimi të pavlefshme dhe fletët e votimit të hedhura gabim ishin konsideruar të pavlefshme në Tiranë deri në mbylljen e numërimit për kryetar bashkie të Tiranës më 14 maj”, shkruhet në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it të publikuar të premten mbasdite. Peng i një ngatërrese të tillë ka mbetur dhe vetë Presidenti i Republikës. Pretendohet se zoti Topi ka hedhur votën për kryetarin e bashkisë në kutinë e gabuar. Të hënën është kërkuar pikërisht kjo kuti që të hapej në KQZ nga e gjithë njësia bashkiake në të cilën ka votuar presidenti. Ndodhi të premten, njëlloj siç u paralajmërua. Dhe në atë kuti, e vetmja votë e “gabuar” ishte ajo që pretendohej se ishte “firmosur” nga zoti Topi. Presidenti e konsideroi një gjë të tillë spekullim duke hapur një debat shumë të fortë për atë çfarë merret shumë lehtë në Tiranë: cënimi i garancive kushtetuese se vota është e fshehtë.

Revista MAPO ka mundur të sigurojë një tabelë të përafërt për sasinë e votave të konsideruara të pavlefshme në të gjitha njësitë bashkiake të Tiranës. Për të gjithë Shqipërinë, për momentin, është e pamundur të specifikohet ky numër. Në Tiranë, ato variojnë nga 4 për qind në pothuaj të gjitha njësitë bashkiake. Por në qëndra të veçanta votimi, si për shembull në njësinë katër dhe në njësinë 11, ato shkonin përkatësisht edhe në 9 dhe 9.22 për qind të totalit të të gjitha votave. Që do të thotë, se në qendra të veçanta, një në çdo dhjetë vota është konsideruar e pavlefshme. Llogaritet se për Tiranën, këto vota janë nga 6 deri në 10 mijë të tilla. Arsyet pse janë konsideruar të pavlefshme janë të shumta dhe kanë respektuar kërkesat e Kodit Zgjedhor. Në to mungonte ndonjë nga vulat, kanë qenë me shënime, është votuar më shumë se për një nga subjektet në garë, nuk është bërë asnjë akt votimi mbi të dhe ka qenë e bardhë, nuk është e qartë se për kë është votuar. Mbi të gjitha, janë gjetur të hedhura në kutitë e gabuara. Shumica e tyre kanë pasur dhe një problem tjetër, të panjohur më parë: ishin prodhuar me defekt që në shtypshkronjë. Teori “konspiracioni” e konsiderojnë të qëllimshme një gjë të tillë dhe teori të tilla kanë qarkulluar pafundësisht në Tiranë.

Çfarë do të ndodhë?
Raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it saktësoi rrugën e nesërme që duhet ndjekur për të shpëtuar çfarë ka mbetur nga procesi. Normalisht, kolegji zgjedhor, me këtë paravendim të arbitrit suprem, e ka më të thjeshtë vendimmarrjen e tij për ligjshmërinë apo paligjshmërinë e vendimit të KQZ-së për të numëruar votat e gjetura në kuti të gabuara. Por kjo gjë ndodh në një vend normal. Në Tiranë, politika zyrtare i ngjan fluturimit të mizave në ajër: merr kthesa të befasishme, të papritura dhe në drejtimin më të paimagjinuar të mundshëm.

Një tjetër teori konsiprative që qarkullonte në Tiranë, pretendonte se “situatën do ta shpëtojë një barazim i sikletshëm sipas neneve 160 dhe 161 të Kodit Zgjedhor, që flasin për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qendrën e votimit dhe përsëritjen e zgjedhjeve”. Pra, me një ripërsëritje të votimit në Tiranë vetëm për kryetarin e bashkisë së Tiranës. Por në situata që ndryshojnë me orë, është vështirë të flitet se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim, sa kohë që palët këtë ndeshje e kanë kthyer në betejën e jetës. E qartë deri më tani është vetëm se arbitri suprem, OSBE/ODIHR-i e ka “shpallur” fitues paraprak zotin Rama, kurse kadiu i KQZ-së Ristani, ka shpallur si të tillë zotin Basha, që së paku, megjithatë, është fitues moral në këtë garë në kufinjtë e absurdit.

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org

(marre nga ravista MAPO)

Gjithashtu mund te lexoni

Komentoni

Terre des hommes Albania

Zbulime të pakëndshme: Frankfurter Allgemeine Zeitung për 21 Janarin

nga Pjesë nga FAZ/Karl Peter Scharz/Ina Verbica Para një vitit para kryeministrisë në Shqipëri u vranë katër demonstrues. Prokurorja që [...]

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

nga Ilirian Agolli Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të [...]

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

nga Ani Ruci Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes [...]

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

nga Ilirian Agolli Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për [...]

Ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE, të hidhet dritë e plotë mbi ngjarrjet e 21 janarit

nga Armand Mero Në Shqipëri, tre ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarjet e 21 janarit ku katër [...]

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri – Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

nga Vilma Filaj-Ballvora Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në [...]

Etiketat

Top Artikuj