Sunday, May 20, 2012

Kosova na bën me turp

Postuar nga admin me April - 6 - 2011

nga Lorenc Vangjeli

Në më pak se një gjysmë viti, shteti më i ri Europë, vetëm “3-vjeçar”, e bën me turp Shqipërinë që përgatitet të festojë 100-vjetorin e Pavarësisë. Dy vendime të njëpasnjëshme të Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë, andej kufirit ku jetojnë shqiptarë, rrëzuan dy Presidentë të Republikës. Në Tiranë, është e vështirë të numërohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë rrëzuar vendime të qeverisë shqiptare. Duke nisur nga viti 2005, kur nisi mandati i parë i një ish-Presidenti të bërë dy herë Kryeministër, ato janë rreth dy dyzina të ndotura.

Në Kosovë mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe askush nuk e konsideron një akt të tillë as si dramë dhe as si traumë. Nuk u konsideruan zgjedhjet e parakohshme si të tilla as në dimrin e vitit të kaluar. Në Tiranë, realizimi i plotë i një mandati katërvjeçar quhet domosdoshmëri, sepse konsiderohet stabilitet. Zgjedhjet e parakohshme quhen edhe dramë, edhe traumë. Dhe kjo është një arsye e trishtuar, që, qoftë edhe e vetme në morinë e arsyeve që do ta kundërshtonin një gjë të tillë, do të ishte e mjaftë për të pasur turp nga krahasimi me Kosovën të vendit këtej kufirit. Kjo është qasja që politika zyrtare ka për organin suprem të drejtësisë, për Gjykatën Kushtetuese.

Në Tiranë thjesht nuk e marrin seriozisht. Në Tiranë janë mësuar që të drejtën nga e shtrembra, respektin apo përdhosjen e Kushtetutës, ta vendosë politika, maja e piramidës së saj. Sipas parimit klient-kamerier, ku klienti ka gjithmonë “të drejtë”.

Pikërisht te defektet e sistemit të drejtësisë në përgjithësi, te mungesa e thellë e besimit të publikut tek ajo dhe më shumë se kaq, te roli që ky pushtet ka luajtur gjatë gjasmepluralizmit shqiptar në 20 vjet, pikërisht këtu gjenden frakturat e gjithë çfarë ka ndodhur keq në këtë vend.

Në Tiranë do ta lidhnin për të marrë gjithkënd që me një vendim të Gjykatës Kushtetuese do të trokiste në derën e ekzekutivit dhe do ta vinte nën akuzë. Në Kosovë, fatmirësisht nuk ka asnjë të marrë që do të guxonte të ngrihej kundër saj. Në këtë këndvështrim, Tirana është shumë larg nga Prishtina. Për fatin e mirë të Kosovës. Për fatin e keq të Shqipërisë.

Nga viti i largët 1993, kur në sistem u dyndën fillimisht si push i bardhë plepash, juristët e plepave, pakkush u kujtua se gjysmëinfermierët që u graduan nga politika në Doktorë, në fakt, kaluan nga gjilpërat që meritonin te bisturia në zemër të shtetit. Sot kuptohet më mirë se Doktori i dikurshëm i Presidencës shkrepi një pushkë pikërisht aty, në zemër të sistemit, plumbi i së cilës kishte edhe efektin e helmit me shumë efekte anësore. Doktorët e rinj thjesht u përshtatën. Thjesht ulën kokën. Thjesht shërbyen. Edhe atëherë kur sistemi u vu në pikëpyetje sepse Kushtetuta konsiderohej paçavure. Edhe atëherë kur elementë të sistemit, duke nisur me Prokurorët e Përgjithshëm, u bënë viktima të një pushteti, që normalisht duhej të ishte klient i tij.

Dy Presidentë të rrëzuar në Prishtinë janë një kujtesë për çfarë po bëhet keq dhe shumë keq në Tiranë. Pakkush kujton sot se një vendim i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri ka rrëzuar marrëveshjen dypalëshe detare mes Republikës së Shqipërisë dhe fqinjit të jugut, Greqisë. Për probleme proceduriale dhe substanciale. Që do të thotë, marrëveshja është bërë duke anashkaluar ligjet dhe fryti i saj është devijimi i linjës detare me fqinjin. Duke mbetur te fryti, sikur Tirana të kishte seriozitetin e Prishtinës në respektim të Kushtetutës, do të niste automatikisht një reaksion zinxhir deri në bërthamën e pushtetit. Së pari, do të kujtohej neni tre i Kushtetutës, që thotë se “Pavarësia e shtetit dhe tërësia e territorit të tij…, janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”. Dhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë dëshmoi se është cenuar tërësia e territorit të Republikës së Shqipërisë. Më tej akoma, nga ky moment, flet Kodi Penal. Neni 208 i tij thotë se “Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i territorit një shteti apo një fuqie të huaj… dënohet me burgim jo më pak se 15 vjet ose me burgim të përjetshëm”. Ndërsa neni 210 sqaron më tej: “Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht apo tërësisht të territorit… dënohet me burgim nga 5 deri në 10 vjet burg”.

Në rast se Tirana do të kishte minimalisht seriozitetin e Prishtinës, Prokurorja e Përgjithshme do të niste në çast ndjekjen penale të të gjithë zyrtarëve që kanë qenë pjesë e ekipit negociator të marrëveshjes. Do të ishte një dosje që nuk do të kishte nevojë për hetim. Gjykata nuk do të kishte asnjë mundësi teorike që të vepronte ndryshe dhe vetëm do të përshkallëzonte përgjegjësinë penale të secilit. Në fund të reaksionit zinxhir, qytetari shqiptar do të vendoste për faturën politike që do të duhej të paguante fund e krye një mazhorancë që kishte “…cenuar bazën e shtetit… tërësinë territoriale të vendit”. Siç thotë Kushtetuta. Siç do ta lexonte Kushtetutën e tij çdo vend europian, përveç Shqipërisë.

Dhe këtu do të mbyllej një histori tragjike e Shqipërisë politike. Këtu do të ngrihej një kufi i dalluar qartë mes patriotëve dhe tradhtarëve, ndonëse këta të fundit betohen gjithë ditën me shqipe të keqe për patriotizëm.

Ndaj sot Prishtina e bën me turp Tiranën, kur rrëzon dy Presidentë; ndërsa Tirana rrënon me këmbëngulje çdo qasje normale ndaj ligjit dhe Kushtetutës. Duke mbajtur në këmbë një qeveri të rrënuar, por ende jo të rrëzuar. Një qeveri që, pavarësisht çdo rezultati të mundshëm elektoral, sot e mot, ka një kapitull të garantuar e të hapur turpi me historinë moderne të këtij vendi, ndaj të cilit ajo është sjellë me arrogancën e tradhtarëve dhe hipokrizinë e horrave.

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org

(marre nga gazeta MAPO)

Gjithashtu mund te lexoni

Komentoni

Terre des hommes Albania

Zbulime të pakëndshme: Frankfurter Allgemeine Zeitung për 21 Janarin

nga Pjesë nga FAZ/Karl Peter Scharz/Ina Verbica Para një vitit para kryeministrisë në Shqipëri u vranë katër demonstrues. Prokurorja që [...]

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

nga Ilirian Agolli Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të [...]

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

nga Ani Ruci Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes [...]

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

nga Ilirian Agolli Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për [...]

Ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE, të hidhet dritë e plotë mbi ngjarrjet e 21 janarit

nga Armand Mero Në Shqipëri, tre ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarjet e 21 janarit ku katër [...]

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri – Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

nga Vilma Filaj-Ballvora Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në [...]

Etiketat

Top Artikuj