Lëvizja Socialiste për Integrim e mbylli shpejt ndryshimin e dytë qeveritar brenda 16 muajsh, duke zëvendësuar Ilir Metën me Nasip Naçon në Ministrinë e Ekonomisë. Pikërisht ky dikaster, që përmban brenda tij edhe sektorët e Tregtisë e Energjetikës, është kthyer për LSI-në në “Trekëndëshin e Bermudës”, ku fillimisht ra Dritan Prifti. Dora e zgjatur e hakmarrjes së deputetit të Fierit tërhoqi drejt fundit edhe Ilir Metën. Kryetari i LSI-së, pas hezitimit fillestar, dha dorëheqjen dhe u përpoq ta trajtonte largimin e tij nga qeveria për shkak të një përgjimi skandaloz, si çështje të mbyllur në aspektin politik.
Nga njëra anë, Meta tha se do të përballej si qytetar pa pushtet me Dritan Priftin në organet e drejtësisë, ndërsa në anën tjetër mblodhi me shpejtësi forumet partiake dhe plotësoi formalitetet për ndryshimet në qeveri. Postet qeveritare për LSI-në mbetën të njëjta, formula e ndarjes së pushtetit nuk ndryshoi, numri i të punësuarve në administratë nuk do të preket dhe koalicioni me Partinë Demokratike do të vazhdojë si më parë. Qëllimi i lëvizjeve që pasuan publikimin e përgjimit ishte shumë i qartë: Të minimizohet sa më shumë kostoja politike që vjen nga skandali dhe opozitës t’i hiqet tabela e qitjes mbi të cilën ishte shkruar: Ilir Meta.
Nga ana e saj, opozita u gjend disi e papërgatitur për ndryshimin taktik të zgjedhur nga kryetari i LSI-së. Është e kuptueshme se liderët socialistë do të preferonin Ilir Metën të ulur në krahun e djathtë të Sali Berishës, për ta goditur atë me faktin më të qartë të aferave korruptive në zyrat e qeverisë, siç ishte biseda në godinën e Ministrisë së Ekonomisë. Megjithatë, nëse mundi ta marrë për pak çaste iniciativën politike, duke dhënë dorëheqjen nga qeveria, Ilir Meta dhe partia e tij mbetën sërish në shënjestër të sulmit, pasi ata me fanatizëm zgjodhën të ruanin portofolat ministrore. Një dhuratë jo e vogël për opozitën, aq më tepër katër muaj larg zgjedhjeve vendore. Ilir Meta duket se ka vështirësi të kuptojë se nuk është në interesin e tij politik të bëhet parzmore dhe simbol i qeverisë “Berisha” për afera të ndryshme korruptive, pavarësisht nëse ato janë të përgjuara ose jo. Për këtë arsye, kryetari i LSI-së duhej të kishte zgjedhur një mekanizëm tjetër veprimi, në momentin që “gjylja e madhe ra”: tërheqjen e ministrave nga qeveria.
Së pari, duke u larguar nga vendi i kraterit së bashku me partinë e tij, Meta do t’u shpëtonte goditjeve të tjera politike. Një vendim për të tërhequr përkohësisht përfaqësimin nga qeveria “Berisha”, duke ruajtur mbështetjen parlamentare dhe evituar krizat e mundshme, do t’i jepte mundësinë ish-kryeministrit të analizonte shumë më i qetë çfarë po ndodh me forcën politike që themeloi shtatë vite të shkuara dhe ku ndodhej ajo në raport me elektoratin.
Së dyti, një tërheqje disamujore e LSI-së nga ekzekutivi do ta spostonte fokusin e kritikave të opozitës drejt Partisë Demokratike, Kryeministrit dhe ministrave të tij. Partia Socialiste do ta kishte të vështirë apo të pamundur të deklaronte se blloku i Metës mbeti në zyrë, pavarësisht largimit të Metës. Në këtë mënyrë, për herë të parë prej qershorit 2009, do të shihnin kundërvënien direkte PD-PS, pa çapitjet në mes të aleatit të vogël të Sali Berishës.
Së treti, nga pikëpamja strategjike, pas marrjes së një goditjeje kaq të fortë politike, një tërheqje nga vija e frontit të krijon mundësinë e një reflektimi më të gjatë dhe të qetë. Një reflektim që mund ta ndihmonte LSI-në të kuptonte cilët janë miqtë e saj dhe cilët janë miqtë e pushtetit. Në fund të fundit, do ta ndihmonte të neutralizonte çdo çimkë, që për shkak të mungesës së pushtetit do të ishin të panevojshme.
Së katërti, ministrat aktualë të LSI-së do ta kenë shumë më të vështirë të qeverisin kur të ulen këtej e tutje në kolltukët ministrorë apo në tavolinën e Këshillit të Ministrave. Edhe Haxhinasto e Vasili, pavarësisht mënyrës se si drejtojnë në dikasteret përkatëse, kanë mbi shpatulla edhe aferën e numrit një me numrin dy të partisë.
Së pesti, një largim disamujor i ministrave të LSI-së do të ishte një lëvizje korrekte edhe karshi aleatit kryesor politik, Partisë Demokratike. Kryeministri Berisha dhe partia e tij do të paguajnë në mënyrë të pashmangshme një kosto politike për shkak të aferave të përgjuara prej qindra mijëra eurosh të Ilir Metës dhe Dritan Priftit. Ndonëse e mori në mbrojtje zëvendësin e tij, Berisha e nuhat fare mirë efektin negativ për koalicionin, prej shfaqjes me zë dhe figurë të pazareve të paligjshme.
Në këtë mënyrë, një LSI pa ministra do ta ndihmonte këtë forcë politike t’i shmangej greminës drejt së cilës është nisur. Nëse brenda katër muajsh, kolltuku i ministrit të Ekonomisë u shndërrua në varrin politik të kryetarit dhe nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, një kokëfortësi në momente të vështira mund ta kthejë qeverinë në varrin politik të LSI-së.

