Sunday, May 20, 2012

Opozita pa mantelin e viktimës

Postuar nga admin me January - 27 - 2012

nga Alfred Lela

Në një ‘Bibël’ të shqiptarëve, fjalia hapëse krejt mirë mund të ishte: i pari ishte arbitri. Mund të debatohet gjatë për etikën e besimit dhe mosbesimit te pamundësia e shqiptarëve për të ngritur e mbajtur shtet, një tezë urët e së cilës i kanë ndezur të huajt, ndihmuar edhe nga bulshinjtë e vendësve, por sot nuk është koha. Arbitri në ‘biblën’ a fjalorin demokratik të shqiptarëve vjen në formën e një amerikani, përkatësisht të ambasadorit Alexander Arvizu, ndërsa teza rreth së cilës mund të argumentohet zhurmshëm me ‘pro’ a ‘kundra’ është se përplasja (verbale jo fizike) ndërmjet institucioneve është lajm i mirë. Më në fund, zhvillimet e djeshme lidhur me zhvillimet e 21 Janarit të një viti më parë, zyrtarisht dhe me bekimin e një arbitri ndërkombëtar, i kanë hequr njërit prej protagonistëve, opozitës, mantelin e viktimës.

Ky përfundim mund të arrihet pa shumë mund pas gjendjes në të cilën ndodhet Republika rrethuar prej një viti nga tërkuza ‘tërhiq e mos e këput’ e ligjëratës mbi ngjarjet e 21 Janarit të shkuar. Brenda saj rrinë kryeneçe argumentet, plotësisht të kundërta, të mazhorancës dhe opozitës. E para i mbahet qëndrimit se çka ndodhi në Bulevard nuk ishin ‘ngjarje’ por grusht shteti; ndërsa e dyta, se në Bulevard u kryen ‘vrasje shtetërore mbi protestues të paqtë e të pafajshëm të opozitës, e cila ishte në të drejtën e vet për të protestuar’.

Dje më 23 janar, një vit e dy ditë pas spektaklit arrogant të opozitës në Bulevard dhe rrëshqitjes së situatës në sindromin ‘dy duar për një krye’ apo ‘një sy për një sy’ (motive edhe biblike këto) zinxhirit të ngjarjeve i është shtuar edhe një unazë tjetër, që duket se i zgjidh e i ndan institucionet, por në fakt i lidh ato. Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar arrestimin e Komandantit të Gardës, shoferit të tij dhe një punonjësi të IT-së në Kryeministri. Gjithashtu, është bërë me dije se do të kërkohet heqja e imunitetit dhe hetimi i tre deputetëve të Partisë Socialiste.

Në konferencën e shtypit të kryeprokurores Ina Rama ka qenë i pranishëm edhe ambasadori amerikan Arvizu. Edhe ai, ashtu si dhe palët e mbërthyera në akuza për njëra-tjetrën, nuk ka lëvizur shumë nga qëndrimi i tij që, afërmendsh, përfaqëson qëndrimin e Washington-it: hetim për vrasjet, protestuesit dhe organizatorët. Të qenit e tij në krah të shefes së organit të akuzës nuk e bën palë, por vetëm amortizator të procesit, në një proces ku palët kanë ngritur ‘organet e tyre të akuzës’.

Kur ambasadori Arvizu ka shqiptuar ‘të hetohen vrasjet, protestuesit dhe organizatorët’, i ka hequr opozitës shqiptare mantelin e të flijuarës. Dihet se pala që qeveris vendin, çdo palë dhe çdo vend, është automatikisht e etiketuar si ‘xhelat’, duke qenë se të tilla janë institucionet kushtetuese: policia, burgjet e të tjera: ato e ruajnë rendin edhe duke ushtruar dhunë. Për ata që e njohin sadopak natyrën e shtetit, këtu nuk mund të ketë keqkuptime: keqkuptimi ishte te përpjekja e opozitës për të luajtur viktimën dhe për të kërkuar drejtësi nga pozicioni i viktimës. Dje ambasadori Arvizu u ka shërbyer shqiptarëve një parim të përmbysur të drejtësisë amerikane, ‘të gjithë janë fajtorë, derisa të provohen të pafajshëm!’ (të gjithë janë të pafajshëm, derisa të provohen fajtorë!).

Edhe njëherë demokracia me mekanizmat e saj rregullues i ka futur palët në proces: përplasjet në rrugë janë zëvendësuar me përballje në institucione. Ky nuk është vetëm lajm i mirë: është vetë rendi i gjërave.

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org

(marre nga gazeta MAPO)

Gjithashtu mund te lexoni

Komentoni

Terre des hommes Albania

Zbulime të pakëndshme: Frankfurter Allgemeine Zeitung për 21 Janarin

nga Pjesë nga FAZ/Karl Peter Scharz/Ina Verbica Para një vitit para kryeministrisë në Shqipëri u vranë katër demonstrues. Prokurorja që [...]

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

nga Ilirian Agolli Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të [...]

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

nga Ani Ruci Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes [...]

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

nga Ilirian Agolli Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për [...]

Ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE, të hidhet dritë e plotë mbi ngjarrjet e 21 janarit

nga Armand Mero Në Shqipëri, tre ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarjet e 21 janarit ku katër [...]

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri – Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

nga Vilma Filaj-Ballvora Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në [...]

Etiketat

Top Artikuj