Sunday, May 20, 2012

Rreth botës tiranike të Ngjelës

Postuar nga admin me January - 30 - 2012

nga BELINA BUDINI

Po të kesh lexuar kujtimet e “botës së djeshme” të Stefan Cvajg, e ndien menjëherë se refleksionet “për një kohë” të Spartak Ngjelës shënojnë më në fund daljen e një autori shqiptar në viset e rrëfenjës historike moderne si zhanër dhe si metodë komunikimi. “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010” është një nga librat e shumtë me kujtime që botohen në Shqipëri, por ndoshta i pari që pas kujtimeve të Eqrem Bej Vlorës që arrin të sjellë një epokë të tërë historike si refleksion bashkë me përjetimet personale të vetë autorit, pa bërë as thjesht dhe vetëm histori, as thjesht dhe vetëm autobiografi. Spartak Ngjela ia ka dalë mbanë t’i shkëmbejë nën frymëzimin fenomenologjik si të ishin e njëjta gjë.

Historia dhe metoda e autorit bazohet vetëm te përvoja dhe interpretimi vetjak. Asgjë jashtë subjektit. Analiza historike e Ngjelës nuk kërkon një objekt studimi te regjimi diktatorial ose tiranik siç e quan ai, por buron nga vetja-subjekt, sipas pohimit se historia është e bazuar tek “arketipi i përgjithshëm biografik” me fjalët e tij tek introdukta e librit. Bota tiranike e Ngjelës shpjegohet kësisoj vetëm përmes këtyre arketipave, një ndër të cilët është edhe vetë Ngjela, por ku arketipi i tiranit, ai i Enver Hoxhës, zë vendin kryesor. Po kështu, janë arketipat e Mehmet Shehut, Beqir Ballukut dhe Hysni Kapos si “alterego” të Enver Hoxhës që propozohen si gurët e themelit për regjimin e Hoxhës. Një katërshe që Ngjela e vizaton me ngjyrat e mafiozëve të Nju Jorkut, sepse ishte sipas tij një “katërshe mafioze”. Krijimi i saj shihet si strategjia e diktatorit Hoxha për t’u ruajtur prej tyre. Një gjetje e tij për t’i mbajtur larg përpjekjeve aktive për ta përmbysur, me anë të një vëllazërimi të detyruar me ta. “Pra, Katërshja s’ishte gjë tjetër, veçse një bashkim, si ai i familjeve mafioze, gjithmonë në funksion të mbajtjes së pushtetit politik… në këtë bashkim i kishte thirrur Hoxha… I kishte blerë, i kishte nënshtruar, por u kishte dhënë edhe pushtet… Kjo realisht ishte një katërshe e frikshme… Ja kjo ishte Katërshja. Ajo të vriste kur të donte ose të internonte po ashtu, këdo dhe gjithmonë familjarisht…”

Sigurisht, galeria e arketipave ose personazheve të vizatuara nga Ngjela në libër është tepër e gjerë dhe shkon nga i ati, Kiço Ngjela, të cilin e sheh në mënyrë realiste, tek protagonistë të tjerë të kohës si Liri Belishova, të cilën e përshkruan si grua me “strukturë mendore prej politikaneje”, të tjerë miq të tij si Lad Shehu, Agim Myftiu e deri tek personazhe episodikë si Pal Vata i barsoletave shkodrane etj.

Në përgjithësi struktura e historisë së rrëfyer nga Ngjela është vetëm përvoja e tij, interpretimi i tij, subjektiviteti koshient dhe jo objektiviteti i aspiruar, dhe kjo metodë nuk e ka reduktuar por e ka pasuruar librin. Qasja e tij prej shkrimtari dhe filozofi e kompenson për bukuri mungesën e distancës prej historiani dhe shkencëtari. E bën edhe më të këndshëm e të çlirët rrëfimin e tij. Përndryshe, ku do të mund t’i gjenim gjithë ato interpretime të lira dhe sentimente estetiko-letrare rreth profilit ose konstitucionit psikik të Enver Hoxhës? Për këtë shtie në punë dhe aplikon lirisht koncepte që nga “Totem dhe tabu” të Zigmund Frojdit për të shpjeguar “tabutë” dhe kultin e Enver Hoxhës e deri tek simbolikat letrare të pjesës së Shekspirit “Mbreti Lir” me të vetmen shfaqje që pati në skenën shqiptare, gjatë së cilës diktatori ishte larguar me tërbim nga salla…

“Braktisja e Mbretit Lir nga të tria vajzat i kishte projektuar Hoxhës atë natë të tre anëtarët e Katërshes së pushtetit të tij, treshen e famshme që ishte edhe më e re në moshë, por edhe më e shëndetshme se ai vetë…”. Ngjela shkon larg në interpretimin e largimit të Hoxhës nga salla e Mbretit Lir, duke lexuar përmes kësaj simbolike ndjesitë e Hoxhës, që sipas tij nuk donte të vdiste përpara bashkëpunëtorëve të tij, sidomos përpara konkurrentëve të tij… Dhe ky ishte paralajmërimi për eliminimet e ardhshme të secilit prej tyre… Pa pretenduar përpikërinë shkencore dhe historike, por i shkruar mjaft qartë dhe me gjuhë të kultivuar, rrëfimi i Ngjelës të fton në një lexim të rrjedhshëm dhe pa pengesa, ndonëse vëllimi i librit i kalon të 600 faqet.

Mirëpo, lirshmëria me të cilën është shkruar ky libër në stil dhe në metodë, nuk ia heq atij fuqinë historike dhe analizuese që e përshkon nga fillimi deri në fund. Edhe pse në formë episodesh, faktet dhe dëshmitë historike në libër janë të panumërta. Po kështu edhe tezat që hedh, të argumentuara e të informuara me erudicion. Në të vërtetë, po të lexosh librin, e kupton se një rrëfimi si atij të Ngjelës nuk i duhen citimet dhe referencat e hollësishme apo një bibliografi shkencore, për të dëshmuar se është një rrëfim erudit. Madje, përbërësi kryesor i librit “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare” është erudicioni. Interpretim psikanalitik, filozofik, kritikë arti dhe letërsi, janë vetëm disa nga hapësirat e erudicionit që plazmon rrëfenjën e Ngjelës, që shijohet si përrallë gjithë duke qenë histori.

Nëse do ta referojnë ose jo historianët shqiptarë tekstin e Ngjelës, kësaj nuk i dihet. Mirëpo, historia është aty me gjithë fuqinë e vet, pikërisht tek personalja dhe subjektivja e autorit. Nuk ka nevojë të quhet historik që të jetë i tillë, ashtu siç nuk është nevoja, për shembull, të quhet histori letërsia e Kadaresë, e mbushur plot e përplot me histori. Le ta quajmë letërsi, po të duam!

Të lexosh historinë e Ngjelës, është si të lexosh Ngjelën. Njëlloj si me shkrimtarët. Nuk është aspak si të lexosh një historian. Të lexosh “refleksionet për një kohë” të Ngjelës është si të lexosh “botën e djeshme” të Cvajgut. Me librin “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare” lind kështu një rrëfimtar i shkëlqyer bashkëkohor shqiptar. Jo një historian, por një rrëfimtar modern i historisë. “Përkulja…” nuk tingëllon as si libër politikani. Fatmirësisht! Të paktën jo si libri i ndonjë politikani aktiv… 638 faqet e shkruara të volumit të parë me refleksione historike dhe auto-biografike të Spartak Ngjelës tingëllojnë më tepër si letërsi historike, e mbushur me mendim por edhe me sentiment. Sfida e volumit të dytë, që prek periudhën e aktualitetit politik për Ngjelën, do të jetë pa dyshim më e madhe për të. Nëse do ta dominojë sentimenti apo mendimi politik, kjo mbetet për t’u parë, por do të dëshironim që përmbyllja e rrëfimeve të tij të shënonte gjithashtu ngritjen dhe lartësimin e një komunikuesi të sprovuar të politikës shqiptare në sferën e mendimit politik bashkëkohor.

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org

(marre nga gazeta PANORAMA)

Gjithashtu mund te lexoni

Komentoni

Terre des hommes Albania

Zbulime të pakëndshme: Frankfurter Allgemeine Zeitung për 21 Janarin

nga Pjesë nga FAZ/Karl Peter Scharz/Ina Verbica Para një vitit para kryeministrisë në Shqipëri u vranë katër demonstrues. Prokurorja që [...]

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

nga Ilirian Agolli Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të [...]

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

nga Ani Ruci Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes [...]

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

nga Ilirian Agolli Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për [...]

Ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE, të hidhet dritë e plotë mbi ngjarrjet e 21 janarit

nga Armand Mero Në Shqipëri, tre ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarjet e 21 janarit ku katër [...]

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri – Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

nga Vilma Filaj-Ballvora Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në [...]

Etiketat

Top Artikuj