nga Hysen Matoshi*
Për librin “Hebrenjtë në Shqipëri – prania dhe shpëtimi”, të Shaban Sinanit
I pranishëm në zhvillimet kulturore shqiptare, pothuajse në të gjitha hapësirat etnike shqiptare dhe në një numër të konsiderueshëm aktivitetesh shkencore të rangut botëror, në të cilat merren në shqyrtim shqiptarët, Shaban Sinani, me kontributet e tij shkencore, identifikohet si njëri ndër zërat më të rëndësishëm të aktualitetit shkrimor shqiptar.
Të këtillë, përveç vlerave të padiskutueshme profesionale që shpërfaqen nëpërmjet prurjeve risimtare shkencore, e bën edhe sensi i tij që të përdallojë në mesin e vlerave të botës shqiptare, ato që janë më karakteristike, ato të cilat në të kaluarën tonë si komb kanë qenë dhe kanë mbetur edhe sot veçori të shprehjes së identitetit tonë kombëtar. Angazhimi i tij rreth prezantimit të kulturës shqiptare, bie fjala, nëpërmjet Kodikëve të Shqipërisë apo edhe Eposit tonë të Kreshnikëve, përbën një dimension të dëshmimit të potencialeve tona krijuese, të denja për t’u përfshirë në trashëgiminë kulturore të njerëzimit.
Mirëpo, bota shqiptare ka edhe vlera që shkojnë përtej atyre që mund të identifikohen me një fushë të caktuar kulturore, vlera që përçohen në të gjitha dimensionet e jetës, që janë një formulë magjike, një mantër e botës shqiptare. Mikpritja ka qenë gjithnjë në kodin e jetës sonë, pavarësisht nga periudhat kohore dhe si e tillë asnjëherë nuk është varur nga kontekstet shoqërore. Shaban Sinani, me librin e tij: “Hebrenjtë në Shqipëri – prania dhe shpëtimi”, duke ofruar dëshmi për një materie konkrete historike, ka nxjerrë në pah, në mënyrën më të mirë, këtë vlerë jo aq të pranishme te popujt me të cilët shqiptarët patën fatin të jenë në fqinjësi.
Fillimisht kontaktet shqiptaro-hebraike në këtë monografi janë trajtuar në rrafshin e dokumentimit të hershëm historik dhe të shtresimeve të trashëgimisë sonë popullore, përkatësisht si një prani hebraike, sado modeste, e identifikuar qysh herët në trojet iliro-shqiptare. Gjithsesi, prania e parë më e ndjeshme lidhet me pushtimin e Spanjës nga inkuizicioni i krishterë, me ç’rast masivisht u dëbuan prej andej (nga inkuizicionistët), krahas myslimanëve, edhe hebrenjtë, një pjesë e të cilëve gjeti strehën e mikpritjes në trojet e asokohshme shqiptare. Natyrisht, periudha e përndjekjes masive të hebrenjve nga nazifashistët para Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë saj, si dhe gjetja e shpëtimit te një popull i vogël në numër e pa kushte të mira jetese, por me një zemër të madhe e me një solidarësi të pashoqe, përbën boshtin e interesimit të autorit, përkatësisht dimensionin e shpëtimit, i cili ka gjetur vend në strukturën titullore të librit.
Libri i Shaban Sinanit shquhet kundruall sprovave tona të sotme historiografike për faktin se ofron të dhëna të shumta dokumentare lidhur me materien që e trajton, sikundër që, në këtë drejtim, nuk lë anash as kontributet e autorëve të tjerë. Dokumentet e shumta shoqërohen me konstatime të qëndrueshme, me sinteza që vënë në pah faktin e pamohueshëm se si një popull i përndjekur gjeti te shqiptarët dhe te strukturat e tyre shtetërore strehën e shpëtimit. Ky akt i madh i një kombi të vogël është vlerësuar lart, ngase si i tillë ishte pothuajse i vetmi akt i mirëfilltë sfidues në planin moral që atëbotë kundërshtonte njërën ndër trajtat më të vrazhda të gjenocidit. Mund të thuhet me gojën plot se autori, me librin e tij, e ka ngritur një monument shkrimor për kombin shqiptar, gurët e të cilit janë dokumentet arkivore dhe të dhënat e përdorura nga burime të ndryshme. Mirëpo, besojmë se kjo vepër, përveçse për ta dëshmuar të kaluarën tonë, kontekstin në të cilin jetuam, mund të shërbejë edhe si një mburojë nga mësymjet e lukunive, të cilat, me çdo kusht, duan ta përdhosin një komb të tërë. Dik Marti do të duhej ta lexonte këtë libër para se ta shkruante raportin e tij. Do të bënte mirë ta lexonte edhe tani dhe ta kuptonte se një komb që hapi zemrën e tij për të pranuar të përndjekurit e botës, nuk mund të shndërrohet në tregtar zemrash.
Faktet e sjella në këtë libër janë të shumta, aty ka dëshmi për më se 2 mijë hebrenj të strehuar në Shqipërinë e varfër e të pushtuar në ikjen e tyre para vdekjes së sigurt. Pa pasur mundësi që të theksohen të gjitha detajet, gjej të udhës të ndalem vetëm tek angazhimi i poetit tonë të madh, Lasgush Poradeci, për ta shpëtuar albanologun e njohur, Norbert Jokli. Aneksimi i Austrisë nga ana e Gjermanisë e kishte vënë në rrezik jetën e njohësit të madh të kulturës shqiptare dhe të dashamirësit të madh të shqiptarëve, ndaj Lasgushi kërkonte që Jokli të vinte në atdheun e tij të dytë. Lasgushi shihte një varg të mirash që mund të sillte ardhja e Joklit në Shqipëri, sikundër vënia e tij në krye të një Instituti Albanologjik dhe intensifikimi i punëve në të gjitha disiplinat e studimeve shqiptare, duke konstatuar përkushtimin e rrallë të albanologut më të madh të kohës për Shqipërinë: “Nuk e harron, sikundër ay gjith Atë (Shqipërinë), një jetë të tërë, jetën e çmuar të djalërisë, burrërisë dhe pleqërisë së tij, ka patur ndërmënd, gjith për të drejtën, për nderin, për fatin e saj ka derdhur zellin e vëzhgimtarisë së tij të papërtuarshme, në librat e tij shkencore, në periodiket e specialitetit, në leksikonet enciklopedike, nër broshurat, revistat dhe fletoret shqiptare, duke i mbushur të gjitha me dashurinë e shumtë për vendin e shqipes, Atdheun shpirtëror të mundimeve të tija” (f. 121). Megjithëse i botuar edhe më herët, ky shkrim i Lasgushit, në këtë kontekst dokumentimi, merr peshë të veçantë, duke e plotësuar mozaikun e kundërshtimit të antisemitizmit me angazhimin e intelektualëve shqiptarë, elitës sonë kulturore, në përpjekje për ta nxjerrë nga thonjtë e vdekjes një komb të rrezikuar nga zhdukja e plotë.
Historia na mëson se si fuqia e një kombi nuk varet vetëm nga aftësia e tij fizike për ta goditur tjetrin, të pambrojturin; fuqia e vërtetë e një kombi qëndron në gatishmërinë morale për ta mbrojtur tjetrin. Kjo kredo morale e kombit shqiptar dokumentohet nga të dhëna të shumta të përfshira në këtë libër, të cilat flasin për faktin se solidarësia me hebrenjtë e përndjekur shtrihej në të gjitha strukturat shoqërore të kohës: tek myslimanët dhe të krishterët, tek të kamurit dhe të varfrit, tek intelektualët dhe shtresat e gjera popullore. Kjo formulë e shpëtimit të premtuar në kodin moral të shqiptarit do të zbatohej sërish, në fundin e shekullit XX, kur përmasat e gjenocidit të bërë nga nazifashistët mbi hebrenjtë po përsëriteshin me zhdukjen sistematike që e bënte Serbia mbi shqiptarët e Kosovës.
Monografia “Hebrenjtë në Shqipëri – prania dhe shpëtimi” është hedhje drite mbi të vërtetën e plotë, mbi një të vërtetë që, parë në kontekstin e zhvillimeve të kohës, është unike; e cila, përveçse është dokumentuar gjithanshëm, mund të thuhet se, në sajë të elokuencës që i karakterizon përgjithësisht shkrimet e Shaban Sinanit, është interpretuar mjeshtërisht. Të dhënat për strehimin dhe përgjithësisht për fatin hebrenjve në Shqipëri janë pothuajse shteruese dhe të mbështetura nga dokumente arkivore. Një vëmendje e posaçme i është kushtuar edhe receptimit tejet pozitiv të këtij akti madhor të Shqipërisë, ku bien në sy sidomos rezolutat përkatëse të Kongresit dhe të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Secilit libër i mbetet ndonjë dilemë. Ky libër disi lë të hapur çështjen nëse shkencëtari i madh, ndër më të mëdhenjtë e njerëzimit, nobelisti Albert Ajnshtajn, kishte marrë një pasaportë shqiptare, por kontributi monumental i Shaban Sinanit nuk lë asnjë fije dileme lidhur me faktin se shqiptarët dhe Shqipëria, në njërën ndër periudhat më të errëta të njerëzimit u dëshmuan si ndërgjegje vepruese e Europës.
*Autori: Drejtor i Institutit Albanologjik, Prishtinë
Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org
