Sunday, May 20, 2012

Të gjitha rrugët të çojnë… në Romë

Postuar nga admin me January - 23 - 2012

nga Monika Shoshori Stafa

Kishte kohë që fjala “turp” nuk më vinte në përdorim. Jo se jam shumë e rezervuar në përdorimin e fjalëve, por sepse ajo gjendje e neveritshme që ta sjell në mendje këtë fjalë është bërë e përditshme dhe mënyrë jetese. Në një vend ku mungon kultura e refuzimit të së keqes nuk ka si ndodh ndryshe.

Në një vend ku njeriu nuk bën përpjekje të provojë se nuk është mposhtur nga e keqja, por kënaqet duke gjetur një provë se edhe një tjetër është si ai; këtu ku askush nuk guxon të shqiptojë jo se një zgjidhje është e keqe, por se zgjidhja më e mirë ja ku është, nuk ke si të mendosh ndryshe.

Për të thënë të vërtetën, titullin e këtij shkrimi ma solli ndërmend intervista e ambasadorit amerikan në Tiranë John L. Withers II, tani qytetar i thjeshtë dhe i zakonshëm i vendit të tij. Vite me radhë, dekada të tëra, më kishte ngjallur ndjenjën e kundërt kënga e Pink Floyd “Shine on the crazy Diamond”, që më vërtitej në mendje si një frazë instinktivisht kundërshtuese ndaj “Shame on the albanian losers leadership”.

Por inkurajimi i vargjeve të këngës së Pink Floyd nuk më mjaftonte aspak. Sepse, duke e kthyer kryet pas, qoftë për të parë historinë më të afërme të vendit, “Shqipërinë demokratike”; qoftë për të parë shtetin shqiptar në 100-vjetorin e vet; qoftë dhe për të shkuar më thellë në histori, në epokën e motit të lavdisë, të lavdisë së Gjergj Kastriotit, shqiptarët, pavarësisht se si e kanë marrë me të mirë vetveten përmes historive që kanë shkruar, më shumë gjejnë “shame” se “shine”, më shumë vetëposhtërim se krenari.

Kishte të drejtë F. Konitza kur i shkruante “Lamçes së Vogël”, Sejfulla Malëshovës: E ç’kanë shqiptarët për të ruajtur?! Se mos kanë një Backingam Palace, një Panteon, një Notre-Dame?! Se mos kanë një dhomë lordësh a një lozhë të zgjuarish? Po më mirë le të mos e vijojmë më tej zemërimin e Konitza-s, sepse mund të na dalë ndokush dhe të na cilësojë për prirje të diskutueshme ndaj demokracisë, edhe pse duke cituar vetëm fjalët e themeluesit të kriticizmit në mendimin shqiptar.

Në fakt, pikëpyetja ime e madhe në këto ditë dyshimesh që i kam shprehur në formën “vit i brishtë a vit i trishtë”; pikëpyetja se çfarë kanë mundësi shqiptarët të zgjedhin duke parë para e prapa, “shine” a “shame”, m’u shkrua në krye duke lexuar intervistën e ambasadorit Withers dhe sidomos pohimi i tij “shqiptarëve u mungon një Skënderbe”, që, si të thuash, vuloste qortimet e tij të ashpra e të merituara ndaj vendit ku ka shërbyer, vendit që i është kthyer në një atdhe të dytë.

Mundem ta them këtë sepse zakonisht ambasadorët, kur kthehen në vendin e origjinës dhe sidomos kur ndahen nga detyra, si rregull shkruajnë kujtime (në rastin e Shqipërisë pjesa më e madhe e kujtimeve kanë karakter nënçmues). Ndërsa intervista që përmenda identifikon një diplomat që vazhdon të jetojë me lëngimet e vendit ku ka kryer detyrën dhe e sheh atë njësoj si në vitet kur ndodhej në Tiranë.

Në të vërtetë, duke e lexuar atë intervistë, m’u duk për një çast vargjet e Nolit “Mbaju nëno mos ki frikë / se ke djemtë në Amerikë” nuk kishin vetëm kuptimin e shpresës së Nolit te “Vatra” dhe vatranët; por dhe shpresën te vendi që është quajtur “kampioni i lirisë” në botë. Sepse ambasadori Withers foli si një djalë Shqipërie dhe më shumë se kaq, si një djalë i lirë Shqipërie.

Janë thënë shumë pohime qortuese për Shqipërinë në dy-tri vitet e fundme: për krimet e pazbuluara, për korrupsionin e parefuzueshëm, për pajtimin me të keqen, për edukatën e përligjjes së saj, për krizën elektorale, për krizën qeverisëse, për krizën e së sotmes dhe të perspektivës, për humbjen e vlerave të sistemit, për ikjen nga demokracia, për vështirësimin e rrugës drejt Europës. Këto qortime kanë qenë aq intensive, saqë kanë prodhuar dhe të kundërtën: “teorinë” e një konspiracioni botëror antishqiptar, duke filluar me “demonizimin e Skënderbeut” prej Oliver J. Schmidt, deri te raporti i Dick Marty-t për tregtimin e organeve të serbëve nga veprimtarë të UÇK-së dhe të partnerëve të tyre në Shqipëri. Të tilla qortime kishte me shumicë dhe në intervistën e Withers: Shqipëria ka krizë sistemi, Shqipëria po humbet rrugën e së ardhmes. Mirëpo pohimi më kritik i tij ishte pikërisht ai që “shqiptarëve sot u mungon një Skënderbe”.

Shumëkujt kjo mund t’u duket si një figurë. Ose interpretimi im ndryshe mund t’u ngjajë me sjelljet konformiste të shqiptarëve më 1946-n, kur mezi prisnin ç’do të thuhej nga Beogradi; më 1956-n, kur mezi prisnin ç’do të thuhej nga Moska, më 1964-n, kur mezi prisnin ç’do të thuhej nga Pekini; më 1990-n, kur mezi prisnin se ç’do të lexonte Elez Biberaj në “Zërin e Amerikës”. Por nuk është kështu.

Sigurisht ambasadori Withers e di mirë se shqiptarët sot nuk janë në luftë me ndonjë perandori, se shteti shqiptar nuk është rrethuar nga ndonjë ushtri pushtuese, sepse është anëtare e Aleancës Euroatlantike, se në bedenat e kështjellës së Krujës nuk ka jataganë dhe jeniçerë. Pra, kur përmendet emri i Gjergj Kastriotit, sigurisht nuk është fjala për një komandant, por për një prijës, jo për heroin e shpatës, por të mendjes. Pohimi se shqiptarëve u mungon sot një Skënderbe ka kuptimin e qartë se shqiptarët sot nuk kanë prijës, nuk kanë udhëheqës me ide ardhmnore, nuk kanë lidership.

Kjo ndoshta është akuza më e madhe që është bërë në dy dekada ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Është folur për krizë parlamentare, krizë qeverisëse, tronditje të vlerave të sistemit, humbje të rrugës së duhur, ngadalësim dhe vështirësim progresi. Por nuk është folur për krizë lidershipi (leadership crisis) qoftë edhe në kohërat më kritike, në kohën kur F. Vrantskij i takonte krerët në një kryqëzor në Adriatik apo në kohën kur dikush tjetër organizonte darkën e dyshes së papajtueshme në “Crocodile”, në Strasburg.

Kjo po ndodh pikërisht në kohën kur Shqipëria, duke pasur përgjegjësinë e shënjimit të 100-vjetorit të vet, duhej të rimerrte veten, të rimëkëmbte sistemin e tronditur, të çlironte institucionet prej së keqes dhe të riorientohej drejt mbrothësisë, po të përdornim një shprehje të rilindësve. Mirëpo lidershipi shqiptar, ngado që të hedhësh vështrimin e të kthesh kryet, është si një bajgë e ndarë përgjysmë, për tresh, për katërsh. Kjo është kriza e lidershipit, kriza e një vendi ku askush nuk mendon për vendin; kriza në të cilin popullit i thuhet se tani që keni lejen për të udhëtuar për në Europë jemi pjesë e Europës; krizë në të cilën rënia, borxhet, paaftësia paguese, sherbetosen me optimizëm donkishotesk duke e paraqitur vendin si përjashtimi i vetëm nga kriza botërore. Në të vërtetë në Shqipëri ka krizë lidershipi, sepse të gjithë ata që duhet të formulojnë idetë e ecjes drejt perspektivës popullin shqiptar e mendojnë një popull pa tru, që mund të besojë çdo shtrembërim iluziv të realitetit. Pikërisht kur lidershipi nuk mendon më për qëllime publike, por si ta bëjnë realitetin e mbrapshtë të këndshëm, atëherë shqiptarët mbeten në gjendjen traumatike që u mungon një Skënderbe, i cili nuk do të kishte për detyrë të mposhtte sulltanët e kalifët, as të bënte një kuvend të ri të Lezhës, thjesht të mendonte pozitivisht, domethënë të fillonte për të menduar nga e mbara: jo si të dalë edhe më tej vendi në ankand, jo si të varfërohet dhe errësohet edhe më shumë e ardhmja, por për të kundërtën; jo si të trajtohet si turmë pa tru populli që qeveriset, por të bëhet pjesëmarrës në qeverisje.

Në 25-vjetorin e vetëqeverimit, Shqipëria kishte nja një dekadë e gjysmë që kishte qeveri dhe institucione. Në atë përvjetor jubilar nderimi më i madh iu bë Skënderbeut, me një konkurs kombëtar për shtatoren më të bukur. Atëherë Shqipëria ishte në prag të një lufte dhe mund të kishte nevojë për një Skënderbe edhe në kuptimin klasik. Megjithatë nderimi iu bë. Por sot nderimi për Skënderbeun nuk po vjen nga ndonjë komplot ndërkombëtar antishqiptar, me shkencëtarë e politikanë të pajtuar dhe paguar kundër interesave të tyre. Po vjen nga errësimi i figurës së liderit, prijësit, pajtuesit, konvergjentit. Po vjen edhe nga zhvleftësimi progresiv i monedhës që mban portretin e Skënderbeut. Po vjen edhe nga zhvlerësimi i urdhrit me emrin e Skënderbeut.

Atëherë, cili është ai Diamond i shqiptarëve që duhet të jetë krenar për veten, si këndonin Pink Floyd? Sa për pyetjen tjetër, se cilët janë liderët shqiptarë që duhet të ndihen në turp, përderisa e kanë lënë vendin e tyre pa një model udhëheqësi, pyetjen për “shame on the albanian leadership”, përgjigjja është e nënkuptuar: vendi nuk ka vetëm krizë mendimi, krizë idesh, krizë qeverisjeje, krizë votimesh, krizë elektorale, por edhe krizë lidershipi, krizën kur s’ka kush ta udhëheqë, por lidershipi për këtë nuk flet, sepse mendon se populli shqiptar është një popull pa tru. Natyrisht që këtë askush nga ne nuk e beson në 100 vjet histori Shqipërie e më shumë. Të gjitha rrugët të çojnë në atë Diamond shqiptar mendimi, që ende se ka gjetur veten në Romën e tij.

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org

(marre nga gazeta SHQIP)

Gjithashtu mund te lexoni

Komentoni

Terre des hommes Albania

Zbulime të pakëndshme: Frankfurter Allgemeine Zeitung për 21 Janarin

nga Pjesë nga FAZ/Karl Peter Scharz/Ina Verbica Para një vitit para kryeministrisë në Shqipëri u vranë katër demonstrues. Prokurorja që [...]

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

nga Ilirian Agolli Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të [...]

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

nga Ani Ruci Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes [...]

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

nga Ilirian Agolli Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për [...]

Ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE, të hidhet dritë e plotë mbi ngjarrjet e 21 janarit

nga Armand Mero Në Shqipëri, tre ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarjet e 21 janarit ku katër [...]

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri – Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

nga Vilma Filaj-Ballvora Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në [...]

Etiketat

Top Artikuj