nga Michael Beckley
1. Përqindja e rritjes nuk është rritje e përgjithshme
Që nga viti 1991, të ardhurat për frymë të Kinës u rritën me 15% në vit, ndërsa shpenzimet ushtarake u rritën 10% në vit. Për kontrast të ardhurat për frymë të Amerikës dhe shpenzimet ushtarake u rritën me 4 dhe 2%, respektivisht.Po, 15 është më e madhe se 4 dhe 10 është më e madhe se 2. A ka gjë më të thjeshtë?
Por përqindjet e rritjes nuk janë të krahasueshme. Të ardhurat mesatare në Kinë në vitin 2010 ishin 7,500 USD. 15% e 7,500 është në fakt më pak para se sa 4% e 47, 000 USD që janë të ardhurat mesatare vjetore të një amerikani. Pavarësisht përqindjes më të lartë të rritjes ekonomike të Kinës qytetari i zakonshëm kinez është 17,000 USD më i varfër krahasuar me amerikanin e sotëm se sa ishte në vitin 1991.
Përgjatë së njëjtës periudhë shpenzimet ushtarake kineze u ulën me 140 miliardë, krahasuar me Amerikën edhe kur nxjerr jashtë ekuacionit fondet e luftërave në Irak dhe Afganistan. Përqindja e rritjes është e lartë për Kinën sepse pika e fillimit ishte e ulët. Kina po rritet, por nuk po afrohet.
2. Shumë vëzhgues mbështeten në tregues të paplotë
Për shembull disa analistë besojnë se Kina është numri 1 në botë për ekonominë e bazuar te teknologjia për shkak se eksporton më shumë prodhime hi-tech se çdo vend tjetër. Por eksportet kineze hi-tech nuk janë as shumë kineze dhe as shumë hi-tech: më shumë se 90% janë prodhuar nga firma të huaja dhe përbëhen nga pjesë të importuara që vetëm sa janë ‘ngjitur’ në Kinë. Këto përqindje janë rritur me kalimin e kohës, një prirje që sugjeron se firmat kineze po mbeten prapa konkurrentëve të huaj. Në fakt në çdo kategori-kërkimet dhe zhvillimi, patentat, përfitimet-kompanitë kineze të prodhimeve hi-tech kanë mbetur prapa atyre amerikane përgjatë dy dekadave të fundit. Një tjetër statistikë e pasaktë është raporti i borxhit me PBB-në, të cilin qeveria kineze e liston si 17%. Raporti i borxhit me PBB-nw e Amerikës nga ana tjetër do të mbetet mbi 60% deri ne vitin 2020. Por shumica e shpenzimeve shtetërore kineze nuk raportohen në statistikat zyrtare sepse kalojnë nëpërmjet enitetve investuese të lidhura me qeveritë lokale. Studime që marrin parasysh këto shpenzime e vendosin raportin borxh-PPB të Kinës diku ndërmjet 75 dhe 150%. Dhe ka gjasa që gjërat do të shkojnë më keq për Kinën. Për shkak të politikës ‘vetëm një fëmijë’ Kina së shpejti do të vuajë procesin më të rëndë demografik në historinë e njerëzimit. Raporti i punëtorëve kinezë për çdo pensionist do të shkojë nga 8 me 1 që është sot në 2 me 1 nga viti 2040. Kostoja fiskale e kësaj lëkundjeje mund të shkojë më shumë se 100% e PBB-së së Kinës. Popullata amerikane në moshë pune në anë tjetër do të zgjerohet me 17% përgjatë 40 viteve të ardhshme. E ardhmja fiskale e Amerikës mund të mos jetë e shkëlqyer, por është më e shkëlqyer se e Kinës.
3. Njerëzit ngatërrojnë përmasat me fuqinë
Kina së shpejti do të ketë ekonominë më të madhe në botë dhe shumë vëzhgues e interpretojnë këtë si tranzicion të primatit nga Shtetet e Bashkuara për te Kina. Por përmasë nuk do të thotë fuqi. Në fund të fundit Kina ishte ekonomia më e madhe e botës edhe gjatë “shekullit të poshtërimit” të saj kur u nda në copa nga fuqitë perëndimore dhe Japonia. Britania m’anë tjetër sundonte një të katërtën e botës në shek. XIX, por asnjëherë, as në pik, nuk ishte ekonomia më e madhe. Në fakt PBB e Britanisë ishte sa gjysma e Kinës dhe shumë më e vogël se e Indisë në kohën kur i pushtoi të dyja vendet. Natyrisht, përmasa e Kinës e bën atë një lojtar të rëndësishëm në çështjet ndërkombëtare; veçanërisht ndryshimet klimaterike dhe tregtia. Për më shumë ushtria kineze mund të ‘kërcënojë’ Amerikën por pa e kapur, duke kompensuar për inferioritetin teknologjik me strategji asimetrike dhe një gatishmëri më të madhe për të sipërmarrë rreziqe dhe përballuar dëme njerëzore.
Por Kina nuk është një superfuqi në rritje në formën e Bashkimit Sovjetik, siç nuk është as një fuqi e madhe si Gjermania e fillimshekullit XX. Është një vend i madh në zhvillim dhe do të mbetet i tillë për një të ardhme të parashikueshme. Kështu, amerikanët nuk duhet të tremben nga Kina. Po ashtu, as nuk duhet t’i largohen garës për influencë në Azi me këtë fuqi në ngjitje.
*Michael Beckley është kërkues i ‘International Security Program’ në JFK School of Government në Harvard
Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org
