Sunday, May 20, 2012

Triumfalizmi i Opozitës

Postuar nga admin me January - 30 - 2012

nga Artur Zheji

Një triumfalizëm, i krahasueshëm me një shpërthim gazmor fishekzjarrësh festivë, ka pushtuar dhe vizatuar hijshëm këto ditë qiellin pa re të Opozitës së sotshme shqiptare.

Gazetarë dhe jogazetarë, politikanë dhe njerëz parapolitikë, mbas arrestimit të Komandantit të Gardës dhe sprovës televizive të suksesshme të Kryeprokurores, janë angazhuar të ndërtojnë jehonën e këtij gazmendi që përlindi, pas një heshtjeje të gjatë, nga ekspertiza e FBI-së amerikane, mbërritur në dorë të shqiptarëve, të cilën Prokuroria e shndërroi në tre urdhër arreste.

Tanimë është fakt, gjeneral Prendi është nën masën e arrestit. I akuzuar për vrasje.

I akuzuar njëkohësisht edhe për manipulim të provës së këtij ‘krimi’. Pistoletën e tij me numër serial të përcaktuar. Situatë kjo, realisht dhe faktikisht e rëndë për Gardën e Republikës dhe Mazhorancën.

Zëra të mekur, gjith’ e më të mekur, flasin nën zë këtyre tavolinave të politikishtes, se Gjenerali dhe Garda, në fund të fundit, po mbronte Kryeministrinë dhe ishte në krye të detyrës, se fundja ishte e përfshirë në një ankth dhe panik të kuptueshëm. Po ngrysej dhe pëshpëritej se po përgatitej një sulm i ri, edhe më i ashpër. Të njëjtët zëra, shtojnë se tensioni që përjetonte gjeneral Prendi ishte akoma më i madh, ngase Kryeministri ishte në zyrë dhe nuk bëhej fjalë, që ai, Kryeministri, të relaksohej qoftë edhe disa orë, qoftë edhe në shtëpi. Mirëpo në të njëjtat tavolina, zëra të tjerë, të ntrashur dhe më kumbues këto ditë, sulmojnë Gjeneralin që paskish humbur kontrollin dhe kish qëlluar çmendurisht mbi turmë. Të tjerë zëra, edhe më buçitës pyesin në mënyrë retorike: ‘Nga kush mori urdhër Gjenerali, nga Kryeministri i tij, nga bodyguardi i Kryeministrit, apo nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Lulëzim Basha?!’

Pra debati është i zjarrtë dhe premton të bëhet edhe më i zjarrtë… Kështu pra dukshëm, vullkani i fshehur i 21 Janarit 2011 ka shpërthyer sërish. Të shumtë janë ata që mendojnë se tanimë Prokuroria e Përgjithshme ka rastin të ‘hakmerret’ ndaj Qeverisë Berisha, në emër të një kauze dhe faktesh të pakundërshtueshme, të certifikuara nga një ekspertizë ndërkombëtare, e pagabueshme, e drejtë dhe e paanshme.

Këtu pra mendohet se janë edhe rezervat energjetike dhe motivimi i kësaj klime triumfaliste të Opozitës, që duket se po bëhet gati të kalërojë këtë situatë, dukshëm të favorshme. Nëse Mazhoranca dhe shefat e saj i qëndrojnë me pasion kësaj ‘sfide’, de facto do të ushqejnë Opozitën me lëndën e duhur të parë, për ta mbajtur sa më gjatë dhe sa më thekshëm në focus këtë debat, të gjallë, agresiv dhe ku çdo emfazë retorike i jep një favor natyral akuzatorëve dhe jo ‘të akuzuarve’.

Duke e përfytyruar këtë debat si një polemikë virtuale, ndërmjet Prokurorit dhe Mbrojtjes, ku opinioni publik dhe populli votues, janë të krahasueshëm me një juri të modelit gjyqësor amerikan, hyrja dhe ngecja në këtë sallë virtuale Gjyqi të Mazhorancës, do të thotë se vetë Mazhoranca ka pranuar se është një Mazhorancë e Pandehur.

Fajtore ose e pafajshme, ngecja dhe ulja në karriget e një salle virtuale Gjyqi apo Gjykimi, ngushton skajshëm kornizën e debatit politik, në të cilin Mazhoranca duket deri më tash si e vetëkapur peng, duke mundësuar kështu, me vullnetin dhe hutimin e vet, një ekstazë të hareshme të Opozitës.

Nëse vazhdohet me këtë skemë, avantazhi i Opozitës, që mbështet hapur Prokurorinë e Përgjithshme, vetëm sa do të rritet e rritet, në mënyrë progresive.

Kundërsulmet ndaj Prokurorisë në kontekstin e sotshëm, nuk e ulin as edhe një grimë prestigjin e saj publik, certifikuar nga ekspertiza amerikane e FBI, e cila ka në përbërjen e vet, të zezë mbi të bardhë, emra dhe mbiemra të rëndësishëm fajtorësh, për deshifrimin e deritashëm të dinamikës dramatike të 21 Janarit 2011.

Dalja më e fundit në media e Ina Ramës ka patur padyshim një rol të rëndësishëm në ngritjen e këtyre tensioneve. Kryeprokurorja u shfaq e vendosur dhe përtej delikatesës së gjesteve, u rrëfye këmbëngulëse në ‘vënien në vend’ të dinjitetit të saj personal dhe të institucionit që ajo drejton.

Ajo, Ina Rama, identifikoi qartë dhe shkoqur dhe në emër të Ligjit, Akuzën zyrtare të Shtetit Shqiptar, me akuzën e Opozitës, si dhe me të ‘Vërtetën’, për të cilën ajo u angazhua publikisht edhe njëherë se është e vendosur të mbrojë deri në fund. Nëse Kryeprokurorja ishte krejt e qartë mbi fajësinë e Komandantit të Gardës, shoferit të tij, apo punonjësit IT të Kryeministrisë, askush nuk kuptoi dot asgjë, pse ishin ‘fajtorë’, deputetët socialistë Bare, Doshi apo Balla, besoj as edhe vetë ata.

Në këtë kontekst kuptohet dhe mirëkuptohet edhe kandidimi vullnetar i Edi Ramës, për t’iu bashkuar kësaj tresheje, akuzuar nuk dihet për çfarë.

Pyetja që sëmbon në këto ditë, ndoshta perifrazohet kështu: ‘Është mirë ta shndërrojmë teatrin politik shqiptar në një sallë të madhe Gjyqi, apo do ta lemë politikën të zhvillohet në habitatin e saj natyral dhe hetimet, proceset apo gjyqet të zhvillohen aty ku taksapaguesi ka ngritur godinat përkatëse?!’

Në përgjigje të kësaj dileme, interesi i palëve është i ndryshëm. Më saktë, krejtësisht i kundërt. Opozita e ka ndërtuar me djersë dhe ‘dëshmorë’ dhe e do këtë sallë virtuale, ku Mazhoranca është e ‘gozhduar’ si e pandehur, kurse Mazhoranca, nuk dihet pse, ka hyrë dhe po rri gjatë e gjatë brenda kësaj salle virtuale Gjyqi.

Dhe kuptueshëm Opozita, përjeton, për pasojë dhe për dhuratë, një triumfalizëm të merituar.

Në emër të ‘Drejtësisë’, vetëkuptohet.

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org

(marre nga gazeta MAPO)

Gjithashtu mund te lexoni

Komentoni

Terre des hommes Albania

Zbulime të pakëndshme: Frankfurter Allgemeine Zeitung për 21 Janarin

nga Pjesë nga FAZ/Karl Peter Scharz/Ina Verbica Para një vitit para kryeministrisë në Shqipëri u vranë katër demonstrues. Prokurorja që [...]

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

nga Ilirian Agolli Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të [...]

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

nga Ani Ruci Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes [...]

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

nga Ilirian Agolli Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për [...]

Ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE, të hidhet dritë e plotë mbi ngjarrjet e 21 janarit

nga Armand Mero Në Shqipëri, tre ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarjet e 21 janarit ku katër [...]

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri – Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

nga Vilma Filaj-Ballvora Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në [...]

Etiketat

Top Artikuj