nga Arian Galdini
Letër e Hapur:
(…mediat e lira, tirania e shpërfilljes dhe paqja)
Unë qytetari i dobët, i padëgjuar, i shpërfillur, por i paimplikuar dhe i ndershëm shqiptar ashtu sikurse besoj unë janë shumica e moralshme dhe e heshtur e qytetarëve shqiptarë, besoj se me gjithë zhvillimet e fundit dramatike kur më 21 janar 2011, 4 shqiptarë kanë humbur jetën e qindra të tjerë janë plagosur, një grusht politikanësh shqiptarë të majtë dhe të djathtë që kanë 20 vjet që kanë uzurpuar dhe keqpërdorin për arsye pushteti dhe pasurimi arbitrar personal çdo hapësirë vendimmarrjeje dhe komunikimi publik në vendin tim, në vendin tonë vazhdojnë të marshojnë verbërisht drejt keqnajës së pakthim. Ndërkohë, më 30 janar 2011, ka marrë jetë Karvani i Paqes. Po atë ditë, Karvani i Paqes autorizoi një grup prej 12 qytetarësh, intelektualë, akademikë, politikanë, drejtues të shoqërisë civile, të rinj e të reja, studentë, për të çuar zërin, mesazhin dhe vullnetin qytetar të paqes në Zyrat dhe Veshët e Autoriteteve Politike Shqiptare. Ky grup prej 12 qytetarësh u pagëzua me emrin: Dërgata e Dalëzotsave për Paqen. Më 1 shkurt 2011, Dërgata e Dalëzotsave për Paqen u prit nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Dërgata ka kërkuar gjithashtu takime zyrtare dhe po pret përgjigje për këto takime me Kryeministrin Sali Berisha dhe me liderin e opozitës, Edi Rama. Për ta përforcuar aktivizmin, misionin dhe qëllimin e saj, Dërgata e Dalëzotsave për Paqen ka kërkuar nga qytetarët shqiptarë që të firmosin një Promemorie për paqen si shenjë vullneti dhe qëndrimi të qartë dhe të vendosur qytetar për të dëshmuar se ka një realitet shqiptar që është jashtë rreshtimeve të derisotme pro-pozitë, apo pro-opozitë. Sikurse vihet re lehtë, në mediat shqiptare, të gjithë shkruajnë e ankohen, denoncojnë dhe kërkojnë për një zë aktiv, të qëndrueshëm, të sinqertë, të paporositur, jo skemues qytetar. Ja pra ku është ky zë. Ja pra ku është ky aktivizëm qytetar. Qytetari i Parë Shqiptar, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka njohur tashmë këtë lëvizje të sinqertë qytetare të këtij grupi të vogël intelektualësh, akademikësh, të rinjsh dhe të rejash. ‘Mediat e lira’ ende nuk e kanë parë edhe pse e kanë dëshmuar dhe kanë qenë aty të gjitha. Unë në emër të Dërgatës së Dalëzotsave për Paqen i falënderoj nga zemra të gjithë drejtuesit e lirë të emisioneve të lira të televizioneve të lira që nuk na shohin dot ne. I falënderoj të gjitha televizionet e lira që nuk na konsiderojnë ne, që na shpërfillin ne, që na bllokojnë e bojkotojnë ne, në një kohë kur paradoksalisht deklarojnë se po kërkojnë e kërkojnë të tjerë. I falënderoj të gjitha gazetat dhe drejtuesit e lirë të gazetave të lira që nuk e konsiderojnë lajm dhe nuk e shohin e as njohin këtë nismë të lirë të sinqertë qytetare për paqen. Unë i falënderoj të gjithë miqtë e mi gazetarë televizivë dhe nëpër gazeta të cilët nuk e konsiderojnë lajm asnjëherë nismën e papaguar apo të paporositur. Ju faleminderit të gjithëve, të nderuar Gazetarë të Lirë, të Mediave të Lira Shqiptare që konfirmoni se me moskonsiderimin dhe shpërfilljen tuaj, se rruga e shqiptarëve për liri dhe perëndimizim është shumë e gjatë dhe e mundimshme. Pikërisht ky falënderim i sinqertë që po ju bëj unë sot juve është edhe arsyeja pse unë besoj se unë dhe miqtë e mi, ne dalëzotsat, ne qytetarët e dobët dhe të ndershëm, duhet të vazhdojmë në udhën tonë të lirë, të paimplikuar, të sinqertë, të paporositur, të papaguar. Ju lutem mos u lodhni me ne, se edhe ne nuk do të lodhemi nga shpërfillja dhe moskonsiderimi që na bëhet nga ‘pa-liria’ që pengon miqtë dhe jo miqtë tanë që të shohin se çfarë kemi bërë, çfarë po bëjmë, e çfarë do të vazhdojmë të bëjmë ne. Sot, edhe pse nën klimën e konfliktualitetit të fortë mes palëve, edhe pse nën bllokimin, moskonsiderimin dhe shpërfilljen e pashembullt nga ‘mediat e lira’, ne Dërgata e Dalëzotsave për Paqen kemi një lajm shumë të mirë për dhe nga qytetarët shqiptarë. Ka që nga dt. 8 shkurt 2011, që ka filluar fushata e firmosjes së Promemories për Paqen, nga qytetarët shqiptarë, intelektualë, akademikë, të rinj e të reja, studentë, e deri në ditën e sotme janë mbledhur mbi 2000 firma. Ky lajm i mirë na dëshmon se vullneti dhe sensibiliteti i qytetarëve shqiptarë kërkon me ngulm nga palët politike shqiptare pozita dhe opozita që të gjejnë gjuhën dhe rrugët e paqes, komunikimit, dialogut, urtësisë politike dhe të vendosin interesat kombëtare përmbi ato partiake, interesat e publikut përmbi ato vetjake. Shpresojmë që ky lajm i mirë të jetë lajm edhe për ju si media të lira. Shpresojmë shumë që ky lajm i mirë të përcillet nëpërmjet jush dhe medias suaj edhe te publiku shqiptar që i meriton lajmet e mira. Në ditët në vijim, brenda javës së fundit të shkurtit përmbyllet fushata jonë e mbledhjes së firmave për Promemorien, dhe ne shpresojmë shumë që të kemi mundësi t’ia dorëzojmë tekstin e Promemories së bashku me kopjet origjinale të firmave të qytetarëve shqiptarë, në zyrën e tij Presidentit të Republikës. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar tashmë edhe publikisht se është përfaqësuesi institucional i zërit të qytetarëve shqiptarë. Ndërkohë, një kopje e Promemories dhe e firmave të qytetarëve do t’u dorëzohet të gjitha institucioneve më të larta ndërkombëtare të BE-së dhe SHBA-së. Paralelisht me përgatitjen dhe firmosjen e Promemories për Paqen, ne kemi filluar punën për përgatitjen e një dokumenti të ri që do të quhet Akt Mirëbesimi. Paraprakisht kemi rënë dakord me Presidentin e Republikës për mbështetje publike nga ana e tij të këtij Akti Mirëbesimi. Ndërkaq, në pritje të përgjigjes për takimet tona me Kryeministrin Sali Berisha dhe Kryetarin e PS-së, Edi Rama, ne do ta ofrojmë publikisht Aktin e Mirëbesimit si një dokument nistor të një komunikimi dhe dialogu të mundshëm mes Berishës dhe Ramës. Më tutje, nëse sërish Sali Berisha dhe Edi Rama nuk do ta përfillin zërin tonë, zërin e qytetarëve shqiptarë, por edhe zërin e partnerëve ndërkombëtarë, atëherë 10 përfaqësues të Dërgatës së Dalëzotsave për Paqen kanë vendosur të vetëofrohen duke bërë atë që bëri Gandi në Indi disa dekada më parë. Kur filloi përçarja mes hinduve dhe myslimanëve të Indisë, dhe konflikti e urrejtja prodhoi brenda pak ditëve mbi 1 milion viktima, atëherë lideri i madh, Gandi, mori shtratin e tij dhe vendosi të vetësublimohej për hir të paqes në një grevë urie. Greva e urisë e Gandit zgjati vërtet 25 ditë, por i detyroi palët e egërsuara nga gjaku e dhuna që të vinin para shtratit të tij të grevës së urisë për të dorëzuar armët e urrejtjes. Ne qytetarët e Shqipërisë kërkojmë drejtësi, dëgjim, konsiderim, fuqizim dhe kredibilitet të zërit tonë. Ne qytetarët e Shqipërisë nuk biem dakord me mendimin e shprehur nga ndonjë anëtar i Parlamentit Europian, i cili thotë se në Shqipëri mungon drita në fund të tunelit, madje më keq akoma, nuk ka tunel fare. Ne qytetarët e Shqipërisë e refuzojmë këtë deklaratë, ashtu sikurse refuzojmë të pranojmë strategjinë e një grushti politikanësh shqiptarë të majtë e të djathtë, të cilët duan ta përfshijnë Shqipërinë në grupin e vendeve të Valës së Katërt të Demokratizimit. Shqipëria nuk është as Egjipti, as Tunizia, as Jordania e as Jemeni. Jo, jo dhe jo. Shqipëria e ka fituar betejën me despotizmin në dhjetorin e vitit 1990. Shqipëria është një vend që është e vërtetë se po përballet me vështirësi e tradhti të mëdha në rrugën e demokratizimit nga një grusht politikanësh të papërgjegjshëm, por gjithsesi nuk e ka humbur kurrë dëshirën popullore si edhe orientimin dhe qëllimin institucional demokratizues dhe perëndimizues. Ne qytetarët e Shqipërisë shprehim vullnetin tonë që të punojmë e përpiqemi fort që udha jonë e demokratizimit të ketë si destinacion të vetëm, por edhe të shpejtë: perëndimizimin e Shqipërisë, lirinë e kombinuar me drejtësi dhe anëtarësimin e merituar në Bashkimin Europian. Ne qytetarët e Shqipërisë deklarojmë se ne jemi tuneli dhe ky angazhim dhe vullnet i yni, kjo betejë e jona e saponisur për dinjitet është drita në fund të tunelit. Deklarojmë se ne e shohim Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s, me vizat e liberalizuara dhe me aspiratë të fortë për anëtarësim në BE. Ne nuk e shohim Shqipërinë si koloni apo protektorat. Ne e mbështesim qëndrimin e BE dhe të SHBA-së për të mos ndërhyrë në problematikat e zgjidhjes së krizave shqiptare. Jemi ne shqiptarët ata që duhet t’i zgjidhim vetë krizat tona politike. Jemi ne shqiptarët që duhet të dëshmojmë se jemi një komb i maturuar dhe perëndimor që e ka merituar plotësisht anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave. Ne qytetarët e Shqipërisë kërkojmë gjithsesi nga partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë që të na ndihmojnë. Ju lutemi, miq të nderuar të Shqipërisë në BE dhe SHBA, dëgjojeni, merreni në konsideratë seriozisht, jepini forcë dhe kredibilitet zërit tonë të lirë, të sinqertë, e të pafajshëm qytetar. Ne do të punojmë e përpiqemi sinqerisht dhe energjikisht që të detyrojmë liderët tanë politikë që të bëjnë paqe, dialog, kompromis, zgjidhje transparente me dyer të hapura, parimore në funksion të interesit publik dhe dinjitetit qytetar.
Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org
