Sunday, May 20, 2012

Zgjedhjet, afër dhe larg

Postuar nga admin me April - 10 - 2011

nga Xhovani Shyti

 

Ekstremiteti kuptimor i fjalëve “afër” dhe “larg” duket i pakuptimtë, kur çdo ditë që shkon nuk bën tjetër veçse e përqas kohën e mbajtjes së zgjedhjeve për pushtetin vendor, të përcaktuara për t’u zhvilluar në datën 8 maj 2011, mirëpo kjo është e vërtetë vetëm në rrafshin kalendarik. Pra, në faktin që deri në datën 8 maj kanë mbetur më pak se dy muaj. Pasi, gjykuar nga realiteti i qëndrimit të deritashëm të palëve politike, si dhe deklaratat e opozitës, duket se mbajtja e këtyre votimeve është një mundësi e largët, ngaqë vetë përmbushja e kërkesë-kushteve të ofruara maxhorancës për të pasur standarde që do të garantonin mbajtjen e zgjedhjeve sipas parametrave ligjore, duket e largët.

Jo më larg se fillimin e javës së shkuar, krahu i koalicionit opozitar ndërmori aktin e regjistrimit zyrtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por duke mos u shprehur përfundimisht për pjesëmarrjen në to. Madje, sikurse u deklarua zyrtarisht, regjistrimi ishte thjesht një akt që kryhej për të respektuar afatin ligjor, gjë që nuk duhet të nënkuptojë domosdoshmërisht pjesëmarrjen e koalicionit opozitar në zgjedhjet lokale. Për të pasur një vendimmarrje përfundimtare, opozita vuri mbi tryezën e mazhorancës ca kërkesa, të cilat mund të cilësohen edhe si kushte, nga përmbushja apo mospërmbushja e të cilave do të varet hyrja apo mos hyrja në votimet e 8 majit. Po cilat janë këto kërkesë-kushte të vlerësuara prej opozitës si garant i mbarëvajtjes së këtij procesi? Janë tre dhe synojnë sërish kartat e identitetit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe regjistrin e votuesve.

Praktikisht, në artikulimin e përmbushjes së këtyre kërkesë-kushteve, opozita i ka kërkuar mazhorancës qeverisëse krijimin e kushteve për verifikueshmërinë e kartave të dyshuara të identitetit, që do të thotë pajisjen e strukturës mbikëqyrëse të procesit zgjedhor me aparaturën identifikuese të këtyre kartave, gjë që mbyll mundësinë e përdorimit të kartave false, sikurse ka ndodhur në zgjedhjet e 2009-s. Ndërkohë që riformatimi i KQZ-së, sipas opozitës, duhet bërë sipas një skeme të balancuar dhe duke rikthyer anëtarin e propozuar nga Presidenti, kërkesë-kushti i tretë lidhet me kontrollin dhe bërjen transparente të përmbajtjes së regjistrit të votuesve.

Janë tre kushte të nxjerra nga përvoja e hidhur e zgjedhjeve të mëparshme, mospërmbushja e të cilave, me gjithë këmbënguljen çudisjellëse të të huajve, vështirë se do t’ia kthejë mendjen për pjesëmarrje në zgjedhjet vendore bllokut opozitar. Konkluzion ky i dalë, nisur nga realiteti i derisotëm. Kur nga krahu i mazhorancës nuk duket ndonjë shenjë që jep shpresë për përmbushjen e ndonjërit prej kushteve (ndonëse nga regjistrat e votuesve po dalin përditë të vdekur dhe të mosqenë në territorin e Shqipërisë), ndërkohë që opozita mbetet e vendosur në kërkesat e paraqitura dhe e pabindur nga garancitë hipotetike që ofrojnë ndërkombëtarët.

Duke qenë të pozicionuara sipas këtij trendi, mosmarrëveshja e thelluar e dy kampeve të politikës akoma më shumë e largon perceptimin e mundësisë së mbajtjes së votimeve të 8 majit. Kjo diskordancë bëhet e frikshme ngaqë dialogu duket i mbyllur në pikën kur ultimativisht mazhoranca i thotë “jo” kërkesave këmbëngulëse të opozitës, çka lë të nënkuptuar se për pozitën qeverisëse procesi teknikisht konsiderohet i mbyllur, ndërkohë që për opozitën përbën kyçin për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, pra fillimin e dialogut të mëtejshëm midis palëve. Përse ka ndodhur kjo dhe cila do të ishte lëvizja që mund të sillte zgjidhjen?

Sekretin e ardhjes së një situate të tillë e gjen po të kthehesh pas në kohë e të ndjekësh zhvillimin e zgjedhjeve të bëra pas viteve postkomuniste. Vetë historiku i mbajtjes së proceseve zgjedhore nga viti 1991 deri në 2009 është i frikshëm, i zhvilluar midis betejash për jetë a vdekje midis palëve, dhe jo si në një ndeshje futbolli. Në këtë historik të trishtë zgjedhor post-’90 ndesh të kenë qenë manipulatorë dhe zhvatës votash pjesëtarë të forcave të policisë së shtetit, zyrtarë të gjendjeve civile, anëtarë komisionesh zgjedhore, hartues listash dhe shpërndarës dokumentesh zgjedhore, rrahës të devotshëm, ministra, zv/ministra, kryeministra, kryetar partish, drejtor drejtorish, biznesmenë etj., kategori sociale. Gjen po ashtu manipulime me të vdekur e të ikur jashtë vendit, me certifikata, pasaporta e karta identiteti false, me minorenë të rritur artificialisht në moshë, por të regjistruar e të afishuar në listat zgjedhore etj. Por, duke kthyer kokën pas do të ndeshësh edhe ushtrimin e terrorit e dhunës shtetërore, të rrahurit barbarisht e të vrarët…Do të gjesh atentatorë dhe viktima të shpëtuar nga rastësia…Do të ndeshësh një praktikë manipulative të kthyer në industri, që ka prodhuar gjithmonë heronj e fitore dhe asnjëherë grabitës votash, prishës procesesh e ndëshkim sipas ligjit. Është një praktikë që, duke përjashtuar votimet e mbajtura në 22 marsin e vitit 1992 (të vetmet që kanë prodhuar zgjedhje), tregon se kush ka pushtetin, ka në xhep fitoren. Një fitore që ka rrjedhur pikërisht prej shfrytëzimit të rrugëve abuzive dhe manipulative. Që përfshijnë vënien e pushtetit në shërbim të fitores, por në dëm të votës së lirë.

Të dy kampet e politikës e kanë provuar këtë shije, ndaj dhe ja dinë sekretin rrugëve të fitores. Kryeministri Berisha, duke qenë njeri nga mjeshtrit dhe arkitekt i kësaj metodologjie (i dyti është Fatos Nano), e ka të qartë se përmbushja e tre kushteve të opozitës është një mundësi më pak për fitore të merituar, ngaqë i mbyll shtegun abuzimeve të çfarëdollojshme: hedhjes në veprim të fletë-votimeve të parapërgatitura, të kartave false, të blerjes së komisionerëve etj., veprimeve antiligjore të ndodhura më parë. Për të, dhe shpurën e zyrtarëve të sprovuar për manipulime nëpër proceset e shkuara zgjedhore, të përmbushen kërkesa që synojnë njëqind për qind standardin do të thotë t’i japësh palës opozitare mundësi verifikimi, pra kontroll të rreptë ndaj një fitoreje të manipuluar. Këtë e di mirë pozita që kundërshton ultimativisht, sikurse e di po aq mirë edhe opozita e majtë, që ngul këmbë dhe vë si kusht tri kërkesat e sipërcituara. Vetëm përmbushja e të cilave do të shkrijë akullin e murit të derisotëm, që ekziston midis saj dhe pozitës, duke e bërë më të afërt, madje duke e garantuar mbajtjen e zgjedhjeve vendore në datën e përcaktuar sakaq prej Presidentit të Republikës, pra në 8 maj 2011.

Shënim: Pikëpamjet e shprehura nuk prezantojnë domosdoshmërisht qëndrimin redaksional të Reporteri.org

(marre nga gazeta SHQIP)

Gjithashtu mund te lexoni

Komentoni

Terre des hommes Albania

Zbulime të pakëndshme: Frankfurter Allgemeine Zeitung për 21 Janarin

nga Pjesë nga FAZ/Karl Peter Scharz/Ina Verbica Para një vitit para kryeministrisë në Shqipëri u vranë katër demonstrues. Prokurorja që [...]

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

nga Ilirian Agolli Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të [...]

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

nga Ani Ruci Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t’i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes [...]

Nisin procedurat për hetimin parlamentar ndaj drejtuesit të KLD-së

nga Ilirian Agolli Komisioni i ligjeve në parlament miratoi sot me votat e shumicës kërkesën e një grupi deputetësh për [...]

Ambasadorët e BE, SHBA dhe OSBE, të hidhet dritë e plotë mbi ngjarrjet e 21 janarit

nga Armand Mero Në Shqipëri, tre ditë përpara se të mbushet një vit nga ngjarjet e 21 janarit ku katër [...]

Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri – Dritë-hijet e një procesi të pazakontë

nga Vilma Filaj-Ballvora Të hënën u dha vendimi në njërin nga proceset gjyqësore më të ndjekura vitin e kaluar në [...]

Etiketat

Top Artikuj